Trakti i panjohur që hedh dritë mbi ‘Marrëveshjen e Mukjes’, dëshmia: Të kërkojmë Kosovën, është megalomani, sepse do bëhemi si Mustafa Kruja

Trakti i panjohur që hedh dritë mbi ‘Marrëveshjen e Mukjes’, dëshmia: Të kërkojmë Kosovën, është megalomani, sepse do bëhemi si Mustafa Kruja

Memorie.al publikon dëshmitë e rralla të Xhemal Alimehmetit, ish-shok klase i Ramiz Alisë në gjimnazin e Tiranës gjatë periudhës së pushtimit të vendit dhe një nga eksponentët kryesorë të Rinisë së Ballit Kombëtar, i cili i kundërvihet ish-shokut të tij të periudhës së rinisë, duke hedhur poshtë ato që Alia, kishte shkruar në kujtimet e tij për ngjarjen e fillimit të gushtit të vitit 1943, kur Partia Komuniste dhe organizata nacionaliste ‘Balli Kombëtar’ u mblodhën në fshatin Mukje dhe nënshkruan një marrëveshje në mes tyre, e cila njihet në histori, si ‘Marrëveshja e Mukjes’ e cila pak ditë më vonë, do të prishej nga udhëheqja e lartë e PKSH-së, me në krye Enver Hoxhën. Trakti i panjohur i Ballit Kombëtar i hedhur pak ditë, pas asaj ngjarjeje nga më të përfolurat e historisë së Shqipërisë, ku paria e organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’, pasi ka përshkruar me fakte të gjithë atë që ndodhi në Mukje, ku si pikë kryesore u ngrit problem i Kosovës, ka përgënjeshtruar Nacionalçlirimtaren, që akuzonte Ballin, se: donte ndarjen e pushtetit edhe pse nuk kishte luftuar, duke dhënë me fakte të gjitha luftërat që kishin bërë deri në atë kohë çetat e armatosura të Ballit Kombëtar, kundra forcave pushtuese italiane, etj.

“Nuk është e vërtetë ajo çka thuhet në librin: ‘Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë’. Në dëshmitë e tija të dhëna aty lidhur me periudhën e Luftës, Ramiz Alia, me qëllim i dredhon së vërtetës historike për ‘Marrëveshjen e Mukjes’ që bëri ‘Balli Kombëtar’ me Partinë Komuniste, në fillimin e gushtit të vitit 1943. Jo se Ramiz Alia, nuk e di se si qëndron e vërteta rreth asaj marrëveshje, por ai nuk do të dali kundër asaj që ka thënë për 45-vjet, ish-shefi i tij Enver Hoxha, të cilit ai i shërbeu me besnikëri”.

Kështu shprehej në mes të tjerash, Xhemal Alimehmeti, ish-i burgosur politik dhe shoku i klasës i Ramizë Alisë, në gjimnazin e Tiranës gjatë periudhës së pushtimit të vendit dhe një nga eksponentët kryesorë të Rinisë së Ballit Kombëtar, i cili thoshte se, nuk kishte asgjë personale me Ramiz Alinë, përkundrazi, i është mirënjohës atij, që nuk i ka dalë dëshmitar, për ta rënduar në gjyq, kur ai dënua në vitin 1945 me pesë vjet burg politik.

“Por, për t’i përgjigjur ish-shokut tim të klasës, Ramiz Alisë, unë nuk dua të flas tani. Jo se nuk kam argumenta, por se tani është komoditet të flasësh. Prandaj nuk dua dhe lidhur me ato që thotë Ramizi në librin e tij, po ju tregoj traktin të cilin nxori ‘Balli Kombëtar’, pak kohë pas prishjes së njëanshme të asaj marrëveshje nga ana e Partisë Komuniste. Ai trakt që u bë publik që në atë kohë, është një dokument që mund të vlejë më shumë se çdo gjë që mund të thuhet tani”, shprehej Alimehmeti, duke na vënë në dispozicion, traktin që Memorie.al e publikon të plotë në këtë shkrim.

Trakti i ‘Ballit Kombëtar’, disa ditë pas prishjes së ‘Marrëveshjes së Mukjes

Balli Kombëtar ka mbajtur gjithmonë, si në shtyp, si me gojë, si me vepra, një pozitë pajtuese, t’urtë dhe afruese përkundrejt Partisë Komuniste. Përkundrazi kjo e fundit përkundrejt Ballit Kombëtar ka mbajtur kurdoherë një pozitë sulmuese dhe arrogante.

Në kohët e fundit shpifjet e Partisë së Kuqe kanë arritur kulmin me një trakt të shtypur më më 12 shtator. Balli Kombëtar nuk mohon tronditjen që pati kur pa se n’ atë trakt çetat e tij quheshin tradhtare!

Tronditja ka qenë edhe më e fortë sepse ky trakt është botuar mbas marrëveshjes së Mukajt që Balli Kombëtar bëri më 1 dhe 2 gusht të këtij viti me të ashtuquajturën Parti Nacional-Çlirimtare, tani po e themi, me këtë vetë pjellje djallëzore të Partisë Komuniste, që me fjalë shkencore quhet autoparthenogesë.

Tani duket se kjo Parti Komuniste kërkon, nuk merret vesh pse, të ndajë lakrat dhe beson se ka ardhur koha që t’i shpalli luftë pa mëshirë Nacionalizmit Shqiptar. Duket se theorika e revolucionit permanent qenka asimiluar krejt nga komunistët militantë t’onë.

Tani, me që puna ka ardhur në këtë pikë kaq kritike, Balli Kombëtar do që të vihet në dijeni i gjithë Populli Shqiptar mbi marrëveshjen që u bë në Mukaj ndërmjet dy partive. Në këtë katund të Shqipërisë së Mesme u mblodhën 12 delegatë të Ballit Kombëtar dhe 12 delegatë të Partisë Nacional-Çlirimtare më 1 dhe 2 gusht 1943.

Mbas shumë bisedimesh erdhën në një marrëveshje sipas së cilës, formohet një komitet i përbashkët me emrin Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili ka për qëllim:

1) Luftë të menjëhershme kundra armikut okupator dhe kundra çdo armiku tjetër eventual.

2) Luftë për një Shqipëri Indipendente dhe Etnike.

3) Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bije, me formimin e një qeverie provizore.

4) Forma e regjimit do të përcaktohet nga vetë populli.

5) Komiteti midis atributeve të tjera ka edhe atë të proklamimit të Indipendencës.

6) Pika e parë me të cilën do të merret komiteti defenitiv është çështja e proklamimit t’ Indipendencës.

7) Komiteti defentiv do të caktohet brenda datës tetë gusht.

8) Deri më caktimin e komitetit defenitiv, detyrat e këtij do t’ushtrohet prej një komiteti provizor të përbërë prej 12 vetash, gjashtë nga secila palë.

Pa humbur kohë, me të nesërmen u emëruan misat e këtij komiteti provizor dhe po n’atë ditë ky komitet bëri mbledhjen e parë dhe me një trakt të përbashkët u lajmërua popullit shqiptar për marrëveshjen e shenjtë.

Mbas aksionit në Qafë-Shtamë, majori Abaz Kupi, na u drejtua si neve, ashtu dhe Nacional-Çlirimtares me një letër, në të cilën na epte të gjitha informatat e luftës.

Në marrëveshje të plotë të të dyja partive, u nxor një trakt n’emër të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë me moto: “Ja vdekje ja Liri”.

Trakti ka qenë hartuar pikërisht si na lajmëronte vetë majori. Dredhia e parë u duk me këtë rast, sepse si mbas fjalëve që kishim, shtypi i trakteve do të qe i përbashkët, çdo herë që edhe aksioni do të qe i përbashkët.

Mirëpo, po Nacional-Çlirimtarët botuan veçanërisht një trakt të tyre që qe hartuar ndryshe nga sa na lajmëronte majori Abaz Kupi.

Më shtatë gusht, Nacional-Çlirimtarët me anë të një letre si edhe me gojë, për shkak të ndalimeve të paparashikuara ishin të mejtimit që afati për formimin e komitetit definitiv, të shtyhej edhe gjashtë ditë të tjera.

Balli Kombëtar, me sinqeritet, aprovoi këtë afat duke i’u thënë se personat e Ballit, që do të merrnin pjesë n’ atë komitet definitiv, qenë caktuar dhe se po niseshin për në një vend të sigurt të Shqipërisë së Mesme, në të cilin do të prisnin shokët e Partisë Nacional-Çlirimtare.

Mbasi kaloi afati, më 15 gusht u lajmërua përsëri qendra e asaj partie me anë të komitetit të Tiranës, se njerëzit t’onë po presin dhe janë gati të fillojnë punën.

Lajmërimi jonë mbeti pa përgjigje ashtu dhe lajmërimet e tjerë që janë bërë javë pas jave. Nga fillimi i muajit shtator, morëm vesh më në fund se n’ Orenjë të Çermenikës, Partia Nacional-Çlirimtare, bëri një festë të madhe me daulle dhe me saze, dhe se në këtë festë, Balli Kombëtar ka qenë në qendër të talljeve, të sharjeve ndyrollogjike të vjershave satirike etj, që populli i ka dëgjuar vetë.

Mbas këtij ahengu, filluan të qarkullojnë fjalë se Nacional-Çlirimtarja prishi marrëveshjen. I’u drejtuam herë pas here zyrtarisht, të na epej ndonjë shpjegim mbi këtë pikë.

Jo vetëm që Partia Çlirimtare nuk na u përgjigj kurrë zyrtarisht, por nga goja e anëtarëve të saj, dëgjojmë poshtë e lart se, lidhja u prish për këto arsye kryesore:

1) Balli Kombëtar nuk bëri aksione të menjëhershme.

2) Marrëveshja nuk u bë nga poshtë-lartë, por nga lart-poshtë.

3) Qendra e përgjithshme e partisë nuk e aprovoi lidhjen.

Le t’i analizojmë tani këto arsye.

Balli ka bërë aksione në çdo kohë edhe përpara Marrëveshjes së Mukjes. Aksioni i Gjormit me Hysni Lepenicën, aksioni i Mallakstrës me Tefik Sfirin, gjatë të cilit mbeti i vrarë Jashar Cakrani, aksioni i Selenicës me Jusuf Luzajn, e sa e sa të tjerë.

Mbas marrëveshjes, Hysni Lepenicës, Komandantit të Përgjithshëm të Prefekturave të Jugut iu dha urdhër t’intesifikohen luftërat kundër armikut. Dhe me të vërtetë, porsa mbërriti në vend, Komandanti filloi veprimet, më të rëndësishme nga të cilat janë me radhë:

Në Dukat sulmohet një kolonë prej 42 kamionësh e drejtuar për Llogora. Mbas katër orë luftimesh kolona shpartallohet: 96 armiq të vrarë dhe 130 robër, të cilët mbasi i çarmatosën u lanë të lirë.

Në Qafën e Dushkut (Gjorm), sulmohen katër kamjona. Armiku shpartallohet. 12 italianë të vrarë, teprica robër.

Në Mavrovë sulmohet një fuqi armike prej 200 këmbësorësh. Gjysma e tyre u vra, gjysma tjetër u çarmatos dhe u la e lirë.

Në Vajzë sulmohet një kolonë prej 15 kamionësh e cila shpartallohet mbas dy orë lufte. U vranë 76 italianë: teprica u zu rob dhe mbasi i çarmatosën u la e lirë. Në këto aksione kryesore plaçka e zënë është shumë e madhe, vetëm mitralozat kanë qenë 36.

Në Shqipërinë’ e Mesme më 20 gusht, çetat e Ballit Kombëtar të major Xhemal Herrit dhe të Rexhep Picallit, të ndihmuar nga çeta partizane e Ishmit, sulmuan shoqërin e militarizuar ‘Belloti’ n’afërsit’ e Tiranës. Instalimet dhe makineritë u hodhën n’erë. Çetat mbasi morën materialin e nevojshëm për luftën e lirisë, dogjën çdo material tjetër që mbeti.

Në Shqipërinë’ e Veriut, në Shkodër, një fuqi armike e përbërë prej 800-900 italianësh, të përkrahur edhe nga milicë tradhtar, mësynë çetat partizane në katundin Reç.

Çetat e Ballit Kombëtar të Shkodrës, menjëherë i shkuan në ndihmë çetës partizane. Lufta vazhdoi për 36 orë: okupatori la përmbi 150 të vrarë dhe u tërhoq. Nga luftëtarët e lirisë mbetën të vrarë djaloshi Rifat Tartari dhe kapter Haxhi Islami.

Ja zotërinj komunist: Ja ç’ka ka bërë Balli Kombëtar. Punë, punë dhe jo fjalë dhe pallavra.

Sa për arsyen e tretë se Qendra e Përgjithshme e Partisë nuk e aprovoi mbledhjen, atë e besojmë sepse:

Kjo Qendër e Përgjithshme, e cila nuk gjendet në Shqipëri, nuk mund të aprovonte një lidhje që merrte përsipër të përpiqej për një Shqipëri Etnike, mbasi kjo fjalë është jashtë kuadrit të politikës internacionaliste.

Këtë, ne nuk e kemi pritur aspak nga qendra e Partisë Komuniste, sepse besonim se me shkatërrimin e Kominternit ajo do të qe Kombëtare si Partia Komuniste, e vetëquajtura Shqiptare, s’e paska fituar akoma lirin’ e saj. Dhe mbasi mbaruam me tri arsyet, jemi që jemi, le t’i dëftejmë pak Popullit t’onë se si u zhvillua bisedimi në Mukaj për punën e Shqipërisë Etnike.

Katërqind e ca burra, faqe të cilëve u zhvillua mbledhja, mund të dëshmojnë se sa ka zgjatur bisedimi për redaktimin e nenit në të cilin flitet se do të luftojmë (thoshte Balli), se do të përpiqemi (thoshte Nacional-Çlirimtarja), që Kosova të jetë e bashkuar me neve për jetë a vdekje.

Në këto bisedime, po tregojmë, sa për dijeni, tezat dhe arsyet e Nacional-Çlirimtarëve, pse këta nuk donin që Kosova të përmendej.

Është megalomani (mëndje madhëri) të pretendojmë Kosovën.

Nuk e duam Kosovën se na e ka falur (siç) armiku.

Nuk mund ta kërkojmë Kosovën, sepse vemi në kundërshtim me Kartën e Atlantikut, në të cilën nuk përmendte fjala Etnike.

Po ta kërkojmë Kosovën, bëhemi edhe ne si Mustafa Kruja, sepse edhe Mustafa Kruja, kërkon Kosovën.

Këto edhe të tjera amenitete, lulëzuan muhabetin e pikës së Shqipërisë Etnike. Pa le pastaj si vajti puna e shpalljes s’Indipendencës dhe të rrëzimit të Viktor Emanuelit.

Kundërshtimet e Nacional-Çlirimtarëve, kanë qenë të rrepta. Puna pse ata nuk donin të shpallnin Independencën dhe të rrëzonin Viktor Emanuelin, për neve është dhe mbetet mister.

Mos vallë pse një nga drejtonjësit e Nacional-Çlirimtares vazhdon të mendojë akoma si më 12 prill 1940, datë në të cilën ai në gazetën “Tomorri” në faqen e tretë, në një artikull të mallëngjyeshëm, kallëzonte mjerimet e Shqipërisë nën thundrën e Zogut dhe shpëtimin e lulëzimin e saj në suazën e Perandorisë Romake të themeluar nga Duçja.

Apo jo fort i ndershëm Zotni Doktor Omer Nishani?

Fundi i fjalës, Balli Kombëtar, fton botërisht Nacional-Çlirimtaren, të na thotë njëher’e përgjithmonë, si edhe pse u prish marrëveshja e Mukës: kjo është me rëndësi për Kombin t’onë, se tani e tutje, me që u bë kështu, s’mbeti më vend për fjalë. Për prishjen e marrëveshjes ju të Nacional-Çlirimtares do të jeni përgjegjës përpara Kombit.

Dëshmia e Ramiz Alisë për Mukjen, në librin ‘Unë Ramiz Alia, dëshmoj për historinë’

“Nuk e di… Megjithatë, unë besoj se Gjinishi dhe Dishnica, e kanë bërë nënshkrimin e Marrëveshjes së Mukjes në kokë të tyre. Do ta them arsyen pse. Dishnica dhe Gjinishi, pranuan formimin e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, ku të dy palët viheshin në pozita të barabarta.

Pra, me gjithë faktin se Balli nuk kishte bërë luftë, ai në këtë marrëveshje u barazua me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare që kishte organizuar luftën kundër italianëve. Për mendimin tim ky ka qenë gabimi themelor.

Në vendimin për prishjen e Mukjes, ka ndikuar edhe çështja e Shqipërisë etnike e cila u shtrua në Mukje. Për ç’arsye e them këtë. Shikoni, ju me siguri i dini vendimet e Bujanit. Ato nuk janë aq kategorike. Pse? Kishte një arsye:

Çështja ishte që midis forcave që luftonin kundër fashizmit, në atë kohë nuk duheshin bërë objekt diskutimi mosmarrëveshjet apo pikat konfliktuoze. Gjatë luftës, nuk mund të zgjidheshin problemet që ekzistonin midis dy palëve të cilat luftonin kundër fashizmit.

Prandaj shtruarja e çështjes në mënyrë kategorike, siç është bërë në Mukje, ishte si të hidhje dorezën e duelit midis këtyre dy forcave antifashiste. E vërteta është se rreth kompromisit të Mukjes ka disa pika paqartësi.

Një artikull që shkroi kohët e fundit Ymer Dishnica, nuk shtoi asgjë të re. Me çfarë udhëzimesh shkoi ai në takim, ku i shkeli ato, a ishin udhëzimet personalisht të Enver Hoxhës, apo të udhëheqjes së Frontit Nacional-Çlirimtar, në ç’kushte u muar vendimi i denoncimit të kompromisit, a ka dokumente të shkruara për bisedimet.

Këto janë pyetje që edhe unë nuk i kam të qarta. Për rrethana objektive, nuk besoj që të ketë pasur një urdhër nga Miladini apo udhëheqja e lartë Jugosllave që të anulohej Marrëveshja e Mukjes, sepse ka pasur vështirësi komunikimi.

Ta zëmë, Vasil Shantos i është dashur plot tre muaj për të shkuar në takim me udhëheqjen jugosllave të Luftës, nga Shkodra në Jajce të Malit të Zi, ku gjendej Shtabi i tyre. Po kështu me sa di unë, nuk ka pasur as lidhje radiogrami të Shtabit tonë me atë Jugosllav.

Ajo lidhje ka ekzistuar vetëm në mes Vukmanoviç Tempos, kur ishte në Shqipëri dhe Shtabit të tij në Jugosllavi. Është shumë e qartë se prishjen e Mukjes nuk e ka bërë Balli. Balli ishte i interesuar që të funksiononte Mukja.

Balli fitoi shumë me Mukjen, sepse pa bërë luftë, fitoi paritetin në vendosjen në kuadër të Komitetit të Shpëtimit Kombëtar.

A do të zbatonte Balli në praktikë vendimin për të bërë luftë antifashiste, që ishte një nga pikat kryesore të Mukjes, kjo është çështje tjetër. Unë nuk e besoj. Dhe ja përse.

Ta supozojmë që bëri gabim PKSH-ja që denoncoi Marrëveshjen e Mukjes. Po përse Balli dhe Legaliteti pas dështimit të Mukjes u bashkuan me gjermanët? Apo siç thotë populli: për inat të sime vjehrre, vete fle me mullixhinë!

Duket fare qartë se Balli Kombëtar e deshi Mukjen, sepse kujtoi se me kapitullimin e Italisë, në Shqipëri do të zbarkonin aleatët anglo-amerikanë. Pra, ballistët donin të ishin në pushtet si luftëtarë antifashistë.

Ndërsa kur e panë se aleatët nuk erdhën, por vendin e italianëve e zunë nazistët gjermanë, iu kthyen politikës së bashkëpunimit me pushtuesin, siç kishin bërë edhe me parë.

Kurse prishjen e Marrëveshjes së Mukjes, e shfrytëzuan për ta paraqitur Luftën nacional-Çlirimtare si luftë civile, të provokuar e të dashur nga partizanët”. /Memorie.al

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë