Dhe problemet nuk kanë të sosur. Pas 5 futbollistëve të infektuar me koronavirus dhe largimit të trajnerit Adolfo Sormani Partizani merr një tjetër lajm të hidhur madje më shumë se dy të parët. FIFA u ka bllokuar merkaton në hyrje të kuqve për një vit për shkak të parregullsive që janë konstatuar në transferimin e sulmuesit Eraldo Çinari.
Futbollisti shkodran erdhi në vitin 2018-të në klubin e kuq pasi kishte kaluar një eksperiencë tek Istra në Kroaci dhe është pikërisht klubi kroat që ka ankimuar procedurat e transferimit dhe që ka fituar gjyqin në FIFA. Në këtë mënyrë organizmi më i lartë i futbollit në botë i ka bllokuar merkaton Partizanit për një vit duke e gjobitur skuadrën e kuqe edhe me 80 mijë euro ndërsa futbollisti është pezulluar me katër muaj nga aktivitetet sportive.
Tjetër problem edhe për vetë sulmuesin që në momentin më të mirë të formës së tij i mungon skuadrës pasi është i infektuar me koronavirus por tashmë edhe i pezulluar. Të kontaktuar nga Report Tv në kampin e kuq e pranojnë këtë zhvillim por thonë se kanë prova të mjaftueshme për ta zgjidhur situatën dhe se patjetër do ta ankimojnë këtë vendim. Nëse vendimi mbetet në fuqi Partizani do ketë shumë probleme për sezonin e ardhshëm pasi nuk mund të blejë dot futbollistë dhe duhet ta kërkojë zgjidhjen tek Akademia apo duke mbajtur futbollistët aktual/ Përgatiti Andi Kapxhiu.