Transferimi i Prokurorit Martini
Prokuroria: U bë me kërkesë të tij

Transferimi i Prokurorit Martini<br />Prokuroria: U bë me kërkesë të tij
Prokuroria ka reaguar sot lidhur me transferimin në Shkodër të Prokurorit Anton Martini. Shqiptarja.com siguroi dhe botoi një ditë më parë bisedën telefonike mes të arrestuarve të operacionit antidrogë "Ballkani", Jurgen Molla dhe Arben Prendi, lidhur me një pagesë prej 150 mijë euro, për transferimin e prokurorit të çështjes së tyre, Anton Martini.

Konkretisht, biseda telefonike është zhvilluar mes Jurgen Mollës dhe nënës të Arben Prendit, korrierit të Mollës, të arrestuar në pikën e kalimit kufitar Morinë me 15 kg heroinë.
 
Por, sipas organit të akuzës, transferimi i prokurorit Martini është bërë me kërkesë të këtij të fundit në shtator të vitit 2015-ë.
 
"Në vijim të disa shkrimeve mediatike lidhur me atë që konsiderohet "lëvizje e një prokurori të Prokurorisë për Krime të Rënda për në Prokurorinë e Shkodrës, pasi është paguar nga anëtare të një grupi kriminal", Prokuroria e Përgjithshme e vlerëson të sqarojë si vijon: Prokuroria për Krime te Renda ka drejtuar hetimin, e zhvilluar ne bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me partnere ndërkombëtare, gjate te cilit u zbuluan dhe arrestuan disa persona. Ky hetim është zhvilluar fillimisht nga prokurori Anton Martini, i cili më pas u transferua në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës, me kërkesë të tij.
 
Kërkesa për transferim është dorëzuar në Shtator 2015-ës dhe, në përfundim të procedurave, ai transferohet pranë Prokurorisë së Shkodrës, me dekret të Presidentit të Republikës, në Dhjetor 2015.
 
Më tej, ky hetim u drejtua nga një prokuror tjetër, i cili finalizoi hetimin e nisur në vitin 2015. Sa i përket personit, për të cilin pretendohet se është paguar një shumë e caktuar parash për "lëvizjen e prokurorit", Prokuroria e Përgjithshme sqaron se Anton Martini nuk ka qenë prokuror i asaj çështjeje.
 
Hetimi ndaj shtetasit Arben Prendi është drejtuar nga një prokuror tjetër dhe çështja ndaj tij ka përfunduar në gjykatë disa kohë më parë.
 
Çdo aludim apo pretendim tjetër, mediatik apo publik nuk përputhet me faktet.
 
Së pari, prokurori Anton Martini është transferuar në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës, me kërkesën e tij, administruar pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Inspektimit, në muajin Shtator 2015. Procesi i transferimit të tij përfundoi në Dhjetor 2015, pasi u shqyrtua fillimisht nga Këshilli i Prokurorisë;
 
Së dyti, prokurori Anton Martini nuk ka qenë prokuror i çështjes, për të cilën pretendohet se janë paguar para për largimin e tij nga ky hetim;
 
Së treti: Operacioni "Ballkan", finalizuar pak ditë më parë, është një ndër më të suksesshmit në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Ky hetim është zhvilluar në konspiracion të plotë dhe bashkëpunim efikas, i shoqëruar me arrestimin e thuajse të gjithë personave të përfshirë, ndër ta të dyshuarit si organizatorë, financues dhe transportues të trafikut të lëndës narkotike",
thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës