Prokuroria e Tiranës ka caktuar masën arrest shtëpie për një avokate në Tiranë, Elisabeta Dostin. Kjo e fundit, përmes falsifikimit të dokumenteve ka transferuar pasuritë e shoqërisë që përfaqësonte, Prodhim Veshje nr.02” tek një shoqëri 100% në pronësi të saj, “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k. Skema mashtruese i ka sjellë avokates një përfitim të paligjshëm që llogaritet rreth 1 milion euro. Ndaj saj rëndojnë 3 akuza, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Si funksioni skema e ngritur prej avokates?
Në vitin 2023, avokatja Dosti me cilësinë e përfaqësueses ligjore të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a, (shoqëri e krijuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, ku punonjësit e kësaj ndërmarrje janë bërë aksionerë të shoqërisë), nëpërmjet vendimeve apo akteve të tjera të falsifikuara dhe në mënyrë krejtësisht të paligjshme ka kryer kalimin e të gjitha pasurive të paluajtshme (toka dhe ndërtesa) të shoqërisë, tek kompania "Empire Investment Solution (EIS)" sh.p.k, e cila në momentin e krijimit zotërohej 100% prej saj.
Më pas ajo ka transferuar dhe zhvendosur pronësinë e kuotave të shoqërisë "Empire Investment Solution (EIS)" sh.p.k, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të kapitalit të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
Pasuritë e paluajtshme të transferuara në mënyrë të paligjshme tek shoqëria "Empire Investment Solution (EIS)" sh.p.k, janë dhënë me qira duke realizuar të ardhura të larta, një pjesë e tyre janë shitur në vlerën 1 mln euro. Ndërsa në dhjetor 2019 tokën dhe ndërtesën e kësaj shoqërie që e përfitoi në mënyrë të paligjshme, me sipërfaqe totale 5989 m2, avokatja e ka dhënë për ndërtimin e një pallati. Avokatja do të përfitonte 35% të sipërfaqes ndërtimore korresponduese të sipërfaqes prej 5989 m2.
Prokuroria e Tiranës thotë se nga pasuritë e transferuara në mënyrë të paligjshme, shoqëria "Empire Investment Solution (EIS)" sh.p.k, ka realizuar pasuri me vlera miliona euro, duke përjashtuar nga përfitimi i pjesës takuese të të ardhurave aksionerët e tjerë në shoqërinë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a.
Sipas organit të akuzës, transferimi i aseteve të pasurive nga njëra shoqëri tek tjera është kryer jo vetëm mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim me ligjin por edhe nëpërmjet akteve të tjera të paligjshme përfshi edhe ato korruptive, me qëllimin e posaçëm të dëmtimit të interesave të aksionarëve në minorancë të shoqërisë “prodhim veshje nr.02”, të cilët ishin kryesisht pensionistë (ish punonjës të ndërmarrjes shtetërore NPV) dhe në vështirësi për të realizuar të drejtat e tyre.
Komente

Hiqjani licensen pergjithemone! Kjo as notere nuk duhet te punoje.
Përgjigju