Transfertat kombëtare në euro shënuan rritje për të dytin vit radhazi në 2024.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar në sistemin kombëtar të pagesave në Euro, AIPS Euro, u kryen 325 mijë transferta në monedhën europiane. Transfertat në euro janë rritur me 30.5% krahasuar me vitin 2023.
Në vlerë, transfertat për vitin e kaluar arritën në pothuajse 5.22 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 26.2%.
Megjithëse transfertat ndërbankare në lekë ngelen ende dominuese (veçanërisht pagesat në vlerë të vogël), ritmi i rritjes së tyre ishte më i ulët vitin e kaluar.
Kështu, numri i veprimeve në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël në lekë (AECH) vitin e kaluar u rrit me 12% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i transaksioneve në sistemin e pagesave me vlerë të madhe në lekë (AIPS) u rrit me 10.5% krahasuar me vitin 2023. Në vlerë, volumi i transaksioneve në sistemin AECH u rrit me 11.9%, ndërsa në sistemin AIPS në lekë vlera e transaksioneve u rrit me 3.8%.
Sistemi AECH proceson pagesat ndërbankare deri në vlerë 1.5 milionë lekë, ndërsa sistemi AIPS Lekë proceson pagesat e mëdha, me vlerë mbi 1.5 milionë lekë.
Rritja e shpejtë e numrit dhe volumit të transfertave në euro duket të jetë një efekt i rritjes së prurjeve valutore në ekonomi dhe veçanërsisht shtim në numrin e transaksioneve të lidhura me turizmin. Ky është gjithashtu tregues i një euroizimi të lartë të pagesave në ekonominë shqiptare.
Sistemi i pagesave AIPS Euro filloi funksionimin në janar të vitit 2022, me qëllimin uljen e kostove të transfertave bankare në monedhën europiane.
Para ngritjes së këtij sistemi, transfertat kombëtare në euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.
Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.
Sistemi AIPS Euro solli një ulje të ndjeshme të komisioneve dhe një rritje të përdorimit të kanaleve bankare për transfertat kombëtare në euro.
Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk mund të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma, ndërsa nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.
Në fund të vitit të kaluar, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Me anëtarësimin e institucioneve shqiptare të pagesave, edhe komisionet e transfertave ndërkombëtare në monedhën europiane do të pësojnë një ulje drastike./Monitor