Transfertat kombëtare në Euro u rritën për të tretin vit radhazi në 2025. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar në sistemin kombëtar të pagesave në Euro, AIPS Euro, u kryen 399 mijë transferta në monedhën europiane.
Transfertat në euro janë rritur me 22.7% krahasuar me vitin 2024. Në vlerë, transfertat për vitin e kaluar arritën në pothuajse 6.33 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 21.3%.
Megjithëse transfertat ndërbankare në Lekë ngelen ende dominuese (veçanërisht pagesat në vlerë të vogël), ritmi i rritjes së tyre është më i ulët krahasuar me rritjen e transfertave në Euro.
Kështu, numri i veprimeve në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël në Lekë (AECH) vitin e kaluar u rrit me 19.3% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i transaksioneve në sistemin e pagesave me vlerë të madhe në Lekë (AIPS) u rrit lehtë me 0.8% krahasuar me vitin 2024. Në vlerë, volumi i transaksioneve në sistemin AECH u rrit me 54.8%, ndërsa në sistemin AIPS në Lekë vlera e transaksioneve u rrit me 9.5%.
Rritja e shpejtë e numrit dhe volumit të transfertave në Euro duket të jetë një efekt i rritjes së prurjeve valutore në ekonomi dhe veçanërisht shtim në numrin e transaksioneve të lidhura me turizmin. Ky është gjithashtu tregues i një euroizimi të lartë të pagesave në ekonominë shqiptare.
Sistemi i pagesave AIPS Euro filloi funksionimin në janar të vitit 2022, me qëllimin uljen e kostove të transfertave bankare në monedhën europiane. Para ngritjes së këtij sistemi, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në Lekë. Komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.
Sistemi AIPS Euro solli një ulje të ndjeshme të komisioneve dhe një rritje të përdorimit të kanaleve bankare për transfertat kombëtare në Euro.
Në veçanti, ndryshimet e miratuara vitin e kaluar në rregulloren “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, parashikojnë ulje të mëtejshme nivelit të komisioneve që klientët e sektorit financiar do të paguajnë për kryerjen e transfertave në Euro.
Rregullorja e re ul nivelin e komisionit minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin AIPS Euro, në 4 euro, nga 6 euro që ishte më parë.
Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.
Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.
Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar./Monitor
Komente









