Transparenca buxhetore
Shqipëria “në zonën e kuqe”

Transparenca buxhetore<br />Shqipëria “në zonën e kuqe”
TIRANE- Kur vjen fjala te transparenca buxhetore, Shqipëria lundron në zonën e kuqe të listës me shtetet që publikojnë më pak të dhëna mbi hyrje-daljet në arkën e qeverisë. Sipas raportit të Indeksit për Transparencën Buxhetore për vitin 2015, Shqipëria renditet e 72-ta në listën me 102 vende, pas shteteve si Timori Lindor, Afganistani apo Tunizia.

Në krye të listës, në zonën e evidentuar me ngjyrë të gjelbër, gjenden vendet më transparente kur vjen fjala te të dhënat buxhetore: Zelanda e re, Suedija, Afrika e Jugur apo Norvegjia. Shqipëria gjendet në zonën e kuqe të listës, ku renditen vendet me transparencë të kufizuar, ku bëjnë pjesë Mozambiku, Zambia apo Sri Lanka, por edhe një shtet tjetër ballkanik: Maqedonia.

Transparenca
“Qeveria shqiptare i ofron publikut informacion minimal mbi buxhetin”, thekson në raport “International Budget Partnership”, një OJF me seli në Uashington, që monitoron transparencën e buxheteve shtetërore kudo në botë.

Nga 100 pikët e mundshme të vrojtimit, Shqipëria grumbullon në total vetëm 38 pikë. Në zërin “pjesëmarrja e publikut”, Shqipëria merr vetëm 15 pikë (nga 100 të mundshmet). Po ashtu, transparenca e buxhetit nga Parlamenti rezulton gjithashtu “e kufizuar”, dhe merr vetëm 49 nga 100 pikët e mundshme. Ndërkohë që rezulton pozitiv auditimi i buxhetit nga ana e Këshillit të Lartë të Shtetit, ku Shqipëria vlerësohet me 92 pikë.

Rekomandimet
Në raport, “International Budget Partnership” rendit edhe hapat që duhet të hedhë Shqipëria për të përmirësuar transparencën buxhetore. “Të publikojë një raport përfundimtar çdo fundviti. Të prodhojë e të publikojë një Buxhet për Qytetarët dhe një rishikim gjashtëmujor të tij.

Të rrisë transparencën e propozimeve buxhetore të qeverisë duke paraqitur më shumë informacion mbi klasifikimin e shpenzimeve për vitet në vijim si dhe klasifikimin e shpenzimeve për vitet e mëparshëm”, thekson “International Budget Partnership”. Shqipëria këshillohet gjithashtu të rrisë pjesëmarrjen e publikut në vendimmarjen për buxhetin si dhe të ngrejë një zyrë për shqyrtimin e buxhetit pranë Parlamentit.

Ballkani
Indeksi i buxhetit të hapur i Partneritetit Ndërkombëtar të Buxhetit, IBP, për 2015, i rendit vendet e Ballkanit shumë ndryshe në shkallën globale. Në indeksin 2015, Rumania doli në vendin e nëntë globalisht, me një indeks 75 nga një maksimum prej 100. Kërkimi mati transparencën e buxhetit, mundësinë e pjesëmarrjes publike në të dhe forcën e institucioneve që e mbikëqyrin ekzekutimin e tyre.

Pikët e buxhetit të hapur varionin nga 0 deri në 100, ku 100 ishte më e larta. Të gjitha shtetet ndahen në kategori, me shtetet që arrijnë pikët e mjaftueshme mbi 61 dhe ato të pamjaftueshme nën 60. Në Ballkan, pas Rumanisë për më shumë transparencë erdhi Bullgaria me 65 pikë. Brenda grupit të shteteve me buxhete të hapura “jo mjaftueshëm” ishte Kroacia, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina. Ato morën respektivisht 53, 47 dhe 43 pikë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Ceremonia e rivarrimit të 5 dëshmorëve të atdheut, Balla: T'i konsolidojmë rezultatet

Ceremonia e rivarrimit të 5 dëshmorëve të atdheut, Balla: T'i konsolidojmë rezultatet