TIRANE- Biletat e autobusëve në kryeqytet tashmë do të kushtojnë 50 lekë dhe ato do të jenë vetëm me një përdorim ashtu sikurse edhe sot. Ky është vendimi i marrë nga Ministria e Transporteve i bërë gati për tu firmosur me Shoqatën e Transportit Publik dhe më pas ky vendim ti kalojë Këshillit të Ministrave për miratim. ndërkohë në vendim është parashikuar edhe rritja e çmimit të abonesë për të gjitha llojet e saj.

Ekspertët e ministrisë së Transporteve që kanë hartuar draftin e kanë argumentuar ndryshimin e çmimit të biletës së transportit urban me gjendjen tepër të rënduar ekonomike dhe financiare të shoqërive të transportit, por sigurisht nuk është harruar edhe situata e vështirë e shtresave më të dobëta ekonomike të popullsisë. Sipas projektmarrëveshjes është renë dakord për çmimet por edhe për kushtet që duhet të ndryshojnë. “Ministria merr përsipër përgatitjen dhe propozimin e projekt vendimit të KM për ndryshimin në rritje të tarifave të shërbimit urban, ku bileta një udhëtimesh të jetë 50 lekë, aboneja e pajtimit mujor, e përgjithshme, 1800 lekë. Sa i përket abonesë së studentëve ajo do të jetë 900 lekë dhe ajo për një linjë urbani 1400 lekë’ thuhet në projektmarrëveshjen e Ministrisë së Transporteve.

Rimbursimi
Sa u përket kategorive sociale, ata do të vazhdojnë të rimbursohen nga shteti. Në këtë draft marrëveshje thuhet se Shoqata, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, për një periudhë 3-5 mujore duhet të gjejë modalitetet për unifikimin e legjislacionit për të gjithë kategoritë e veçanta të qytetarëve që sot me ligj e përfitojnë shërbim falas. Por drafti i ri parashikon që rritja e çmimit të biletës të shoqërohet me investime nga shoqata e transportit urban, ku kërkohet që brenda një viti të fillojë të aplikohet sistemit elektronik i biletave shumëpërdorimshe.

“Kërkohet përmirësim i cilësisë së shërbimit duke zbatuar kontratën për shpejtësinë e lëvizjes së mjeteve. Mjetet e shërbimit të përdorin karburante të cilësisë së parë dhe mjete të standardeve. Të kryhet një studimi brenda 6 muajve për futjen e teknikave moderne të emetimit dhe kontrollit të biletave të shërbimit (sistemi elektronik të biletave shumëpërdorimshe) brenda një viti” thuhet në projektmarrëveshje.

Afatet
Ndërkohë sa i përket hyrjes në fuqi të çmimit të ri të biletave ai do të jetë menjëherë pas firmosje së marrëveshjes dhe kalimit të saj në qeveri. Aktualisht çmimi i biletës së transportit urban është 30 lekë, por prej kohësh shoqata ka kërkuar rritje të saj, me pretendimin se jo vetëm që është rritur çmimi i karburantit, por as shteti nuk subvencionon kategoritë e veçanta sociale që udhëtojnë falas. Propozimi i shoqatës ishte që bileta të bëhej 70 lekë dhe aboneja e përgjithshme 2400 lekë në muaj, por duket se ky propozim nuk është miratuar për shkak të rritjes shumë të lartë. Sa i përket rritjes së çmimit të biletës ajo ka ndodhur edhe në vitin 2008, me një vlerë prej 10 lekësh, por këtë vit rritja është dyfish me atë të para 5 vjetëve.   

faksimile


Shkrimi u publikua sot (04.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)