Tre kamionë të ngarkuar me inerte u ndaluan sot në Fushë Milot, pasi po transportonin materiale inerte në kundërshtim me ligjin. Tre persona janë vënë nën hetim penal për rastin.
Bëhet fjalë për një 39-vjeçar nga Tirana, një 48-vjeçar nga Durrësi dhe një 46-vjeçar po nga Tirana. Ata u pikasën nga Policia Rrugore gjatë patrullimit, ndërsa lëviznin me kamionë të mbushur me inerte. Automjetet u sekuestruan si provë materiale.
Rasti vjen në një moment kur juglindja e Shqipërisë prej shtatë ditësh përballet me bllokime rrugësh, ndërsa gërmimet e inerteve në lumenj po shihen si një nga faktorët që kanë ndikuar në dëmtimin e akseve rrugore. Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 39 vjeç, banues në Tiranë, E. K., 48 vjeç, banues në Durrës dhe L. Sh., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë patrullimit në Fushë Milot, u konstatuan nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke transportuar me kamionë, inerte, në kundërshtim me ligjin. 3 kamionët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale"
Komente












