Trashëgimia e Angela Merkelit dhe e ardhmja e Gjermanisë

Trashëgimia e Angela Merkelit dhe e ardhmja e Gjermanisë

Angela Merkel

Me largimin e kancelares Angela Merkel pas 16 vitesh në detyrë, lidershipi i Gjermanisë dhe BE-së ka mbetur bosh. Cila është trashëgimia e Merkelit, dhe çfarë do të ndodhë më pas?

Cilat ishin vendimet më të rëndësishme dhe më me ndikim të kancelares Merkel?

Brenda vendit spikasin disa të tilla, përfshirë miratimin në vitin 2009 të një ligji që parashikon një klauzolë në Kushtetutë që e kufizon borxhin publik (Schuldenbremse), duke garantuar buxhete të balancuara.

Por edhe vendimin e vitit 2011 për të hequr dorë nga energjia bërthamore pas katastrofës në Fukushima të Japonisë,si dhe vendimin e saj të vitit 2015 për të anashkaluar rregullat e BE-së në lidhje me azilkërkuesit dhe për t’i hapur kufijtë e Gjermanisë për më shumë se 1milionë refugjatë nga Siria dhe vendet e tjera të lindjes.

Në nivelin e BE-së, ajo ka meritë për këmbënguljen që ka pasur për reformën strukturore gjatë krizës së borxhit të eurozonës, vendosmërinë e saj për të përfunduar ndërtimin e gazsjellësit të diskutueshëm “Nord Stream 2”në bashkëpunim me Rusinë, dhe pranimin e emetimin të një borxhi të përbashkët nga BE,për të zbutur efektet ekonomike negative të pandemisë së Covid-19.

Ajo u etiketua shpesh si mbrojtëse e standardeve të demokracisë liberale dhe aleancës transatlantike. A ka qenë vërtet e tillë?

Etiketimi si “udhëheqëse e botës së lirë” ka qenë gjithmonë i tepruar. Është e vërtetë që në krahasim me udhëheqësit populistë si presidenti amerikan Donald Trump, ai brazilian Jair Bolsonaro ose kryeministri britanik Boris Xhonson, Merkel është dukur gjithmonë si mishërim i lidershipit racional dhe të qëndrueshëm.

Por siç kemi argumentuar bashkë me profesorin e Universitetit Ratxhers R.Daniel Kelemen, Merkel është udhëhequr kryesisht nga ajo që ne e quajmë “Merkantilizëm”, pra pasja si

prioritet sistematik e interesave tregtare dhe gjeo-ekonomike gjermane mbi vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe solidaritetin brenda BE-së.

Për këtë ka shumë shembuj. Gjatë krizës së borxhit grek, synimi kryesor i Merkelit ishte të mbronte aftësinë paguese të bankave gjermane, dhe t’ia vendoste barrën kryesore vendeve të Evropën Jugore, dhe e bëri këtë përmes masave shtrënguese dhe reformave strukturore, të cilat kanë shkaktuar plagë të qëndrueshme.

Ajo nuk ishte e gatshme që të përballej drejtpërdrejt me prirjet autoritare të kryeministrave Viktor Orban në Hungari dhe Jarosllav Kazinski në Poloni, dhe kjo pjesërisht për shkak të interesave tregtare gjermane. Po ashtu ajo arriti një marrëveshje gjithëpërfshirëse investimesh me Kinën, pavarësisht kundërshtimit nga udhëheqësit e tjerë të BE-së.

Dhe në vazhdën e aneksimit të Krimesë nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2014, ajo sabotoi regjimin e sanksioneve kundër Rusisë, për t’i dhënë Putinit çmimin shumë më të madh, gazsjellësin“Nord Stream 2”.

Ajo qeverisi në pjesën më të madhe të kohës përmes koalicioneve të mëdha, veçanërisht me Partinë Socialdemokrate. Si ndikoi në politikën gjermane stili i saj i qeverisjes?

Duke zbatuar shumë nga idetë popullore që iu parashtruan nga SPD-ja e qendrës së majtë-përfshirë pagën minimale dhe pensionet më të mëdha -Merkel me zgjuarsi zuri qendrën e politikës gjermane, gjë që e ka bërë CDU-në një forcë kaq të fuqishme elektorale.

Shumica e analistëve bien dakord se CDU, do të fitonte me lehtësi zgjedhjet e ardhshme, në rast se ajo do të kandidonte për një mandat të pestë. Stili i saj konsensual – dhe mënyra e miratimit të propozimeve nga rivalët e saj ideologjik – i ka dhënë mundësi kandidatit të SPD për kancelar dhe Ministrit aktual të Financave, Olaf Sholc, të pretendojë se ai dhe jo Armin Lashet i CDU, është trashëgimtari i vërtetë i Merkel.

Dhe kjo qasje duket se po funksionon:SPD e ka përmbysur diferencën e madhe që kishte deri disa kohë më parë, dhe po kryeson në shumicën e sondazheve. 16 vitet e Merkelit në drejtimin e Gjermanisë kanë treguar se dominimi i qendrës është receta e duhur për të pasur sukses.

Cilat ishin pasojat e udhëheqjes së saj në BE? A ka figura të tjera në Evropë që mund ta luajnë atë rol?

Ndërsa Merkel e mbajti BE-në të bashkuar gjatë një dekade krizash – krizën e eurozonës, agresionin rus në Ukrainë, krizën e refugjatëve, Brexit dhe përçarjen e aleancës transatlantike gjatë presidencës së Trump -vendimi më i rëndësishëm ka qenë me siguri përqafimi i propozimit për obligacionet e emetuara nga unioni pranverën e vitit të kaluar. Duke zbutur kundërshtimin e vjetër të Gjermanisë ndaj një integrimi më të thellë ekonomik në BE, ky mekanizëm i bashkimit të borxheve, ka potencialin që t’i hapë derën një epoke të re.

Presidenti francez Emanuel Makron, do të donte të merrte mantelin e udhëheqësit të BE-së. Por ai nuk gëzon të njëjtin popullaritet në mbarë Evropën si Merkel, dhe për më tepër Franca nuk e ka më ndikimin diplomatik që kishte dikur. Për mirë a për keq, Sholc ose Lashet – dy politikanët që kanë më shumë gjasa të trashëgojnë postin nga Merkel – do të bëhen udhëheqësit e rinj të BE-së.

Thënë këtë, ata do të jenë liderë efektivë vetëm nëse do të kenë një marrëdhënie të mirë pune me Parisin, dhe atyre do t`u duhet kohë që të fitojnë të njëjtën sasi besimi dhe kapitali politik, që krijoi me shumë kujdes Merkel përgjatë 16 viteve.

Cilat janë sfidat më të mëdha të politikës së jashtme, me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme gjermane?

Sfida kryesore, do të jetë t’i jepet një kuptim konkret idesë së re të madhe të BE-së për një “autonomi strategjike të hapur”, që është aktualisht një qëllim disi i mjegullt drejt rritjes së ndikimit global të BE-së përmes pasjes së një sovraniteti më të madh.

Marrëveshja e fundit në fushën e mbrojtjes midis Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, janë dy përkujtesa të dhimbshme për anëtarët e BE-së,dhe nëse duan të jenë seriozë,ata duhet të bashkojnë veprimet e tyre në një politikë të përbashkët mbrojtëse në çështjet globale.

Elitat politike gjermane, kanë ngurruar deri më tani të angazhohen në atë fushë. Një sfidë tjetër e madhe, do të jetë bindja e pjesës tjetër të botës për t’iu kundërvënë ndryshimeve klimatike.

Berlini duhet të udhëheqë përmes shembullit personal, duke e transformuar makinerinë e tij industriale, e cila vazhdon të mbështetet shumë tek lëndët djegëse fosile, drejt energjisë së rinovueshme. Negociatat për koalicionin e ri qeverisës, të cilat do të jenë të gjata dhe të mundimshme, do të hedhin më shumë dritë nëse gjermanët do të jenë apo jo në lartësinë e detyrës./ Bota.al

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat