Trashëgimia kulturore e Kosovës drejt shkatërrimit

Trashëgimia kulturore e Kosovës drejt shkatërrimit

Ndërtesa të trashëgimisë kulturore

Më 18 prill shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve. Në Kosovë aktualisht janë të listuara rreth 1,600 asete, që konsiderohen të rëndësishme për trashëgiminë kulturore.

Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dominohet kryesisht nga asete arkitekturore dhe arkeologjike. Shumë prej tyre me vështirësi janë duke i mbijetuar shkatërrimit.

Sipas Fondacionit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosovo), në Kosovë, nga viti 2018 deri më 2021, janë shkatërruar tërësisht nëntë objekte, që kanë qenë të vendosura në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme 2020-2021.

Sipas këtij fondacioni, dhjetëra objekte të tjera që përfaqësojnë vlera të rëndësishme arkitekturore, janë në prag të shkatërrimit.

Në Kosovë ekziston edhe një listë e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme, e cila përmban 23 asete - në mesin e tyre: Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës, Kalaja e Prizrenit e Xhamia e Sinan Pashës. Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa prej këtyre objekteve në qytete të ndryshme të Kosovës, e që, sipas njohësve të trashëgimisë kulturore, “i kanë ditët e numëruara”.

Shkolla e parë shqipe në Prishtinë

Ky objekt, që gjendet në kryeqytetin e sotëm të Kosovës, Prishtinë, është ndërtuar në mesin e shekullit XIX. Sipas të dhënave publike të qasshme në internet, objekti është djegur në vitet 1880 dhe pas rindërtimit, në vitin 1908, është shndërruar në gjimnaz. Ky objekt duket i dëmtuar për shkak të mungesës së kujdesit.

Në gjendje të njëjtë sikur ky janë edhe shumë objekte të tjera në Kosovë, thotë Sali Shoshi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

“Sipas hulumtimeve në terren, del që të paktën 200-250 prej tyre janë në rrezik.

Rreziku është shumë i madh që ato të rrënohen brenda muajve apo viteve të ardhshme”, thotë Shoshi.

Shtëpia e banimit “Shefqet Mehmeti”

Kjo shtëpi gjendet në qendër të Prishtinës. Sipas të dhënave publike, besohet se daton nga shekulli XIX.

Edhe pse është në kuadër të Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, objekti vërehet se është i dëmtuar shumë. Investime në të nuk duket se janë bërë.

Eksperti i trashëgimisë kulturore dhe punëtori shumëvjeçar i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Qazim Namani, thotë se në shumicën e objekteve ku janë bërë intervenime nga institucionet e Kosovës, por edhe organizatat ndërkombëtare, ato kanë qenë joprofesionale dhe i kanë dëmtuar, sipas tij, vlerat e objektit.

“Kemi shumë objekte që kanë pësuar një shkatërrim të pariparueshëm gjatë këtij procesi”, thotë Namani.

Ai përmend si shembuj disa intervenime në qytetin e Prishtinës, në Kalanë e Artanës, në Kalanë e Harilaçit, në Kalanë e Prizrenit, si dhe në Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

Investimet, që i përmend, janë kryer kryesisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, si dhe nga organizatat ndërkombëtare.

Shtëpia e Xhafer Devës

E rrezikuar nga shkatërrimi, në qendër të qytetit të Mitrovicës së Jugut qëndron ajo që njihet si Shtëpia e Xhafer Devës. Në fillim të muajit shkurt, një iniciativë për renovimin e këtij objekti ka nxitur debat të ashpër në shoqërinë kosovare, por edhe më gjerë, për shkak të së kaluarës së Xhafer Devës, i cili thuhet se ka bashkëpunuar me nazistët.

Kjo shtëpi është ndërtuar në vitin 1930 dhe ka shërbyer për funksione të ndryshme - si ambulancë, strehimore për fëmijë dhe pjesërisht si objekt komunal.

Për nga stili i ndërtimit konsiderohet se i takon arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe, sipas ekspertëve, shquhet për elemente të shumta dekorative në eksterier. Thuhet se është ndërtuar nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.

Shtëpia e familjes Koroglu

Ky objekt është një shtëpi e veçantë e stilit osman. Gjendet në qendrën e vjetër të qytetit të Mitrovicës së Jugut. Sipas të dhënave, besohet se është ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIX.

Kategorizohet si tip i çardakut të mbyllur dhe gjatë historisë thuhet se nuk ka pësuar ndryshime të mëdha.

Objekti ende bart detaje origjinale, përfshirë dritaret tipike të asaj kohe. Siç shihet, objekti nuk është në gjendje të mirë dhe ka rrezik të dëmtohet edhe më shumë.

Sipas të dhënave të Fondacionit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, nga viti 2018 deri më 2021, janë rrënuar tërësisht shtatë kulla të njohura, një çardak, dy shtëpi banimi dhe një shkollë - të gjitha të listuara si pjesë të trashëgimisë kulturore dhe të mbrojtura me ligj.

Disa nga këto objekte janë rrënuar nga pronarët e tyre, me arsyetimin se kanë paraqitur rrezik, për shkak të gjendjes së keqe.

Kulla e Hamdi Osmanajt

Kjo kullë gjendet në fshatin Trubuhoc, në qytetin e Istogut. Është ndërtuar në shekullin XIX.

Në tabelë nuk shënon viti i saktë i ndërtimit, por aty shihet se mungesa e investimeve në konservim, ka bërë që pjesë të mëdha të murit kryesor të kullës të rrëzohen.

Ky objekt është i listuar në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Mulliri i Halil Mehmet Bricorit

Pak kilometra larg Istogut, në Kamenicë të Pejës, Mulliri i Halil Mehmet Bricorit mezi qëndron në strukturat e dëmtuara.

Gjatë viteve ka shërbyer si mulli për bluarjen e miellit për banorët e zonës. Ka pasur një stil të veçantë të ndërtimit, me dritare të vogla dhe derë tipike të kohës, e njohur sidomos në kullat e Rrafshit të Dukagjinit. Objekti duket se është djegur dhe brenda tij ka vetëm mbeturina.

Stacioni i trenit në Lutogllavë

Një objekt më i veçantë i trashëgimisë kulturore ndodhet në Lutogllavë të Pejës. Ky është prej stacioneve më të vjetra të trenave në Komunën e Pejës. Si objekt është i vendosur në Listën e Objekteve për Mbrojtje të Përkohshme.

Për gjeneratat e moshuara, ai mbetet pjesë e kujtimit kolektiv të asaj pjese të Kosovës, kur hekurudha ishte ndër mjetet kryesore të transportit. Linja e parë hekurudhore në Kosovë është ndërtuar në vitin 1874, ndërsa në fillim të viteve 1900, hekurudha e Kosovës është shtrirë në pjesën më të madhe të territorit.

Shtëpia e Murat Novobërdaliut në Artanë

Ky objekt është ndërtuar në fillim të shekullit XIX (1905-1910). Njihet si shtëpia e Murat Novobërdaliut.

Objekti që ndodhet fare pranë Kalasë së Novobërdës, është në fazë kritike të shkatërrimit. Çatia është e dëmtuar dhe vazhdimisht rrjedh uji. Përveç një pllakate në hyrje të objektit, aty nuk vërehet ndonjë intervenim.

Problemi kryesor në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sipas Sali Shoshit, qëndron te mosplanifikimi i investimeve për restaurim.

“Shteti, në momentin që vendos të futë në listë për mbrojtje [një objekt]... aty përfundon historia. Ato ndërtesa, pastaj, mbesin në mëshirën e kohës”, thotë Shoshi.

Trashëgimia kulturore në Kosovë mbrohet me ligj dhe dëmtimi është i dënueshëm me Kodin Penal.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Radio Evropa e Lirë për më shumë informacione në lidhje me këtë temë.

Kosova, pavarësisht përpjekjeve, nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë - UNESCO./ Marrë nga REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut