TIRANE- Ngjarjet e ‘97 e trazirat që përjetuan shqiptarët, janë rikthyer në vëmendje nga ish-kreu i qeverisë së asaj kohe, Aleksandër Meksi. Ai flet për vështirësitë që ka kaluar qeveria e viteve ‘92-‘97, si dhe ngritjen e ekonomisë kapitaliste ne vend. Për ish-kryeministrin, kjo periudhë s’është treguar me vërtetësi e se kur të hapen dosjet do dalin përgjegjësit e vërtetë përfshi këtu te implikuar jo vetëm individë por dhe shtete. “Pa u sqaruar këto dy episode, piramidat, fajdet, fondacionet dhe ‘97 çfarë ndodhi realisht s’do ketë qetësi në Shqipëri. Nuk bëhet kështu historia e Shqipërisë, por bëhet me fakte, me hapjen e arkivave të atyre shteteve që patën një rol në atë që ndodhi.

Sigurisht që do duhen 25-30 vjet”, tha Meksi. Ish-kryeministri thotë se “fajdet kanë nisur aktivitetet e tyre herët në Shqipëri por ne s’mundem që t’u deklaronim hapur shqiptarëve që të mos depozitonin të ardhurat në këto firma. Një shifër fare e vogël mund të ketë ikur, e kanë kaluar nga një dorë në tjetrën, ti i fut unë i marr dhe i fundit del i humbur”. Meksi u ndal te marrëdhënia me ish-liderin e PD Sali Berisha, atë kohë President. “Dy vetë njëlloj në Shqipëri nuk i gjen bashkë.

Kur njëri thotë e bardhë dhe tjetri thotë e zezë, por të dy i shohin ndryshe. Ne s’ishim në këtë por kishte një mënyrë në PD për ata që nuk e dinë kishte, një kryesi ku votohej për vendimet që merreshin, e kur në dhjetor të ‘94, janë ndryshuar ministrat, janë ndryshuar me votë të fshehtë në Kuvend nga grupi parlamentar i PD”, tha Meksi.

Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)