Për herë të parë këtë sezon Partizani ka siguruar fitoren e 3 radhazi në kampionat. Të kuqtë, për llogari të javës së 16 të Superligës mposhtën 2-1 Flamurtarin. Vendimtar ishte Xhuliano Skuka me penalltinë e ekzekutuar saktë në minutën e 85, ndërsa më herët Flamurtari po me penallti barazoi avantazhin e Isgandarlit. Po në 16:30 Elbasanit i mjaftoi goli i Ze Gomes në shtesë për të mposhtur në transfertë Vorën dhe për të vijuar të ruajë kreun e kampionatit të paktën edhe 1 javë.
Të dielën, Vllaznia që nuk njeh fitore në 4 ndeshjet e fundit, teksa dy prej tyre janë humbje, do të presë Bylisin në Loro Boriçi.
“Besoj shumë që të kthehemi te fitorja. Jam i bindur që djemtë, por edhe të gjithë stafi do japin maksimumin për të marrë 3 pikët,”-tha Vioresin Sinani, drejtor i Vllaznisë.
Sinani tregon edhe arsyen përse është i bindur që Vllaznia do të rikthehet te fitoret.
“Lojtarët të cilët kanë patur probleme po kthehen dhe me një ekip të plotë mendoj se gjërat do bëhen gjithmonë e më të lehta,”-u shpreh Vioresin Sinani, drejtor i Vllaznisë.
Sfida tjetër e së dielës në Superligë është mes Dinamos dhe Egnatias. Një duel përcaktues për kreun, duke qenë se rrogozhinasit e vendit të dytë kanë 2 pikë më shumë se ‘nëndetësja’ e Ilir Dajës. Këta të fundit vijnë pas një ecurie pozitive në javët e fundit dhe në Air Albania duan të vijojnë me 3 pikët.
Komente












