TIRANE - Tre gjeneralët e liruar nga Presidenti i Republikës i kanë kërkuar gjykatës të mërkurën, rikthimin e tyre në detyrë, nëpërmjet padive civile që kanë bërë. Ata kanë kërkuar shfuqizimin e dekreteve të Presidentit Nishani. Këtë fakt e konfirmoi për "A1Report!", ish-Zv.Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sandër Lleshi. Në paditë e hartuara secila më vete kërkohet shfuqizimi i dekretit të Nishanit, si i i pambështetur në ligj.

Rastin e ish-Zv.Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Sandër Lleshi, do ta gjykojë gjyqtari Shkëlqim Mustafa; atë të gjeneral-brigade Dhori Spirollarit, Enkelejda Metaliaj dhe atë të ish-komandantit të Mbështetjes Rajonale, Abaz Lleshit, gjyqtarja Fahrie Bundo.

Vetëm në datën 31 maj, disa ditë pas lirimit, tre gjeneralët e shkarkuar nga Presidenti Nishani: Gjeneral Brigade Sandër Lleshi, Gjeneral Brigade Dhori Spirollari dhe Gjeneral Brigade Abaz Lleshi vendosën të dalin në një konferencë shtypi për të treguar shkaqet e vërteta që fshiheshin pas lirimit të tyre nga poste kryesore drejtuese të Forcave të Armatosura. Ata treguan se me 3 dekrete, që mbanin datën 21 maj, Presidenti Nishani firmosi lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, komandantin e Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Dhori Vangjel Spirollari dhe Komandantin e Brigadës së Mbështetjes Rajonale Gjeneral Brigade Abaz Liman Lleshi.

Për afro dhjetë ditë, pasi nuk morën asnjë reagim nga Presidenti, ata gjykuan se pas shkarkimit të tyre joligjor, fshihej një reagim emotiv ndaj disa shqetësimeve serioze që janë paraqitur Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe kryetarit të komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare në parlament më 25 mars 2013 nga Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Sandër Lleshi. Ndonëse kaluan 2 muaj, Gjeneral Lleshi nuk mori asnjë përgjigje zyrtare për shqetësimet që u ngritën, prandaj  vendosën t'i bënin publike.
 
Gjeneralët akuzuan ministrin Imami dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Gjunkshin për shpërdorim të Forcave të Armatosura; krijimin e një defiçiti të lartë alarmant në buxhetin e Forcave të Armatosura. Gjithashtu, ata akuzuan Presidentin e Republikës Nishani se dekretet nuk ishin bazuar në ligjet e vendit dhe në to mungonte transparenca. Ata shkuan më tej duke thënë se u vu në rrezikshmëri, siguria e atdheut.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)