VLORË- Gjykata e Apelit Vlorë, ka vendosur të ndryshojë rrënjësisht pozicionin penal të Arianit Kondit, njeriun që ekzekutoi me 6 plumba 33-vjeçarin Ergys Gjioveshaj, duke i ndryshuar akuzën dhe njëkohësisht dënimin, nga 20 vite që dha Shkalla e Parë, në 12 vite, që në përfundim për shkak të gjykimit të shkurtuar, shkojnë 8 vite.

Ngjarja ka ndodhur në 20 prill 2017 në një lokal në prani edhe të një këngëtareje të muzikës popullore në Vlorë, ku viktima dhe autori i krimit ndodheshin të pranishëm. Një javë më parë "Shqiptarja.com" paralajmëroi se gjykata e Apelit Vlorë ishte duke përgatitur ndryshimin e akuzës për Arianit Kondin, njeriun kryesor që ekzekutoi Gjioveshaj dhe që për momentin ndodhet në kërkim nga policia.

Në këtë rast gjykimi është me vend shprehja "Kap Ça të Kapim", pasi treshja e gjyqtarëve të Apelit Vlorë Petrit Aliaj, Skënder Damini dhe Klodiana Xhyzari, kanë vendosur t'i ndryshojnë akuzat ndaj të pandehurit Arianit Kondi. Në Gjykatën e Shkallës së Parë, Kondi është dënuar në nëntor të 2018 me 20 vite burgim për akuzën e “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit". Por gjatë ditës së sotme gjyqtarët e Apelit Petrit Aliaj, Skënder Damini dhe Klodiana Xhyzari, kanë vendosur të ndryshojnë akuzën e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", duke e dënuar Kondin për akuzën e "Vrasjes me dashje". Për pasojë Kondi është dënuar në mungesë me 12 vite burgim nga 20 vite që ishte dënuar nga gjykata e Shkallës së Parë Vlorë. Dënimi me 12 vite është ulur për shkak të gjykimit të shkurtuar, ku përfundimisht Arianit Kondi është dënuar me 8 vite burgim.

Me këtë vendim të marë në Apel, Kondi ka përfituar një ulje dënimi prej 12 vitesh, në raport me dënimin prej 20 vite që kishte marrë në 2018 nga Gjykata e Vlorës. Në shkallën e parë nëpërmjet avokatëve të tij, Arianit Kondi kërkoi veçimin e dosjes hetimore, pasi nuk pranonte autorësinë e krimit të vrasjes së Ergys Gjioveshaj dhe plagosjen e tre personave të tjerë Florjan Hilaj, Arta Luka dhe Arsonel Llanaj.

Të pandehur në këtë çështje si autorë të dyshuar janë dhe Ergest Sina e Eljaso Çela, të arrestuar dhe deklaruar fajtor e dënuar me nga 2 vite burgim për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në qeli.