Tre grabitje kanë ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Korçë-Kapshticë. Autorët, që dyshohen se kanë qenë të njëjtët kanë vepruar me shpejtësi në tria fabrikat, por vetëm në njërën prej tyre kanë arritur që të marrin kasafortën me para, e cila kishte brenda 7 milionë lekë.

Pre e grabitjes ishin një fabrikë e përpunimit të qumështit, një mjalti ‘Morava’ dhe një fabrikë bojërash në Dishnicë. Në fabrikën e qumështit dhe mjaltit autorët nuk kanë gjetur para. Report Tv siguroi edhe pamjet nga brenda fabrikës së mjaltit që është kthyer gjithçka përmbys nga autorët, që nuk kanë gjetur kasafortën dhe janë larguar. 


Por nuk janë dorëzuar me kaq, pasi i janë drejtuar banesës së pronarit të mjaltit ‘Morava’, por ky i fundit i ndjeu duke dalë me armë nga shtëpia. “U tentua të grabitet, u shkatërrua, jo se u vodh.  Në orën 02:30 ishim në gjumë, një derë ballkoni u hap, gruaja ndjeu dhe doli, e dinim që e kishim hajdutin brenda, mora çiften që kam me leje dhe pashë dhomën, por nuk ishin. Dola jashtë shtëpisë dhe më pas shkova te fabrika, pashë që ishte shqyer gjithçka. Të gjitha materialet ishin hedhur poshtë, serverat e kamerave ishin vendosur të shkatërruar mbi tavolinë dhe ishin marrë.

Edhe në dhomën e ekonomistit, po ashtu, kishin hequr edhe pikurat, pasi mendoj që kërkonin ndonjë kasafortë. Tentuan të dilnin në oborrin e shtëpisë, por qentë nuk i lejuan, hapën dritaren dolën dhe erdhën për në shtëpi. Lajmëruam policinë, e cila erdhi urgjentisht, erdhi edhe shefi i komisariatit dhe ndjeni me mua deri në mëngjes. Janë marrë gjurmët, pasi kishte disa gjurmë. Gruaja është tronditur. Në mëngjes morëm vesh që edhe një baxho është hapur më para, më pas erdhën këtu, më pas është hapur një biznes në Korçë. Këtu ikën në 02:30 në orën tre është hapur atje” deklaroi Gëzim Skerma për Report Tv.

Duke qenë se edhe në banesë nuk arritën që të merrnin asgjë, autorët janë larguar duke u drejtuar për në fabrikën e bojërave në Dishnicë. Ata nuk janë pikasur nga roja në momentin që janë futur brenda në fabrikë, ndërsa kanë arritur që të marrin kasafortën me para, e cila nga të dhënat e para kishte brenda 7 milionë lekë. Pronari i firmës së bojërave është 47-vjeçari me inicialet A.M. ndërsa Report Tv siguroi pamjet e godinës ku ndodhi grabitja.

d.b/shqiptarja.com