Xhuliano Skuka është futbollisti më i kërkuar i Superligës. Dibrani pjesë e Partizanit kishtë tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane, por pas derbit të fundit kundër Tiranës që u vendos nga goli i tij, mësohet se tre klube të Seria A janë në kontakte me Partizanin.
Verona dhe Empoli janë dy skuadra që e duan Skukën që këtë muaj, ndërsa Lecce kërkon ta sigurojë për merkaton e verës. Më shumë këmbëngulëse është Verona, gjë të cilën e konfirmojnë edhe mediat italiane, por trajneri i Empolit e ka ndjekur sulmuesin në ndeshjen derbi nga Air Albania në Tiranë.
Ndonëse flitet për shifra konkrete, burime për ‘Report TV’ bëjnë me dije se interesimi është i madh, por asnjë ofertë e shkruar zyrtarisht nuk ka mbërritur në zyrat e klubit të Partizanit. Këta të fundit gjithsesi pretendimet i kanë për të paktën 1 milionë euro, ndërsa duan edhe përqindje kartoni në rast se shitet në të ardhmen. Vështirë se të gjithë kërkesat e Partizanit do plotësohen.
Për t’u theksuar se Skuka është treguar vendimtar në disa raste këtë sezon për të kuqtë, duke realizuar 10 gola deri më tani. Ai u bashkua me Partizanin në janar të 2021 nga Dinamo ku ishte një zëvendësues, ndërsa impakti te kryeqytetasit ka qenë mbreslënës.