Tre ligjet, Rama: PD le ta paraqesë
 në Kuvend, kompromisin e LSI-në

Tre ligjet, Rama: PD le ta paraqesë<br /> në Kuvend, kompromisin e LSI-në
TIRANE - Kreu i PS-së, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për "Top Channel", ku është pyetur kryesisht për votimin e tre ligjeve në Kuvend. 

Gjatë paradites së sotme zoti Meta ka bërë një deklaratë ku ka ftuar mazhorancën për të votuar tre ligjet. Ju e keni shprehur edhe pak ditë më parë mbështetjen tuaj për këtë deklaratë, por cilat janë hapat e mëtejshëm që do të ndërmerrni për këtë çështje?

Qysh ditën e parë, që kryetari i LSI ka dalë me një paketë kompromisi për të miratuar të tre ligjet dhe vendosur që ato të hyjnë në fuqi me parlamentin e ri, ne jemi shprehur dakord me këtë paketë. Në fakt këtu bëhet fjalë për dy ligje dhe Rregulloren e Kuvendit, jo për tre ligje dhe kam nevojë ta nënvizoj këtë gjë. Mirëpo është e qartë që ka vetëm retorikë dhe propagandë të shfrenuar antiopozitare nga qeveria dhe mesa duket nuk ka në fakt, asnjë vullnet për t’i miratuar këto ligje.

Duket se kjo çështje është kthyer në një pingpong politik pasi dy ditë më parë kryeministri Berisha nga Gjirokastra deklaroi se do t’i kërkojë kryetares së parlamentit dhe deputetëve të vetë që të votojnë që nesër tre ligjet. Kush është e vërteta e kësaj deklarate, të gjithë thonë po, por ndërkohë...?

Në këtë rast e vërteta është e thjeshtë. Është shumica ajo që ka në dorë të marrë nismën, të paraqesë në Kuvend propozimin për miratimin e këtyre dokumenteve me propozimin e kompromisit të bërë nga LSI. Pastaj vota e Kuvendit do të tregojë se kush ka ndërmend çfarë, kush bën propagandë dhe kush në fakt është i interesuar drejtpërdrejtë për ecurinë e procesit. Edhe pse unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk janë në thonjëza tre ligje që e pengojnë Shqipërinë të afrohet më tutje në Bashkimin Europian, po janë 3 pushtete që mungojnë. Pushteti legjislativ, që është i gjithi nën kontrollin e një njeriu të vetëm. Pushteti ekzekutiv, që është nën kontrollin e korrupsionit dhe pushteti gjyqësor, që është i gjithi nën kontrollin e ekzekutivit dhe të korrupsionit.

A jeni i gatshëm të uleni me kryeministrin Berisha në një tryezë bisedimi për këtë çështje pasi LSI ka bërë atë propozim kompromisi, kurse kryeministri thotë le të votojnë ato projektligje të cilat kanë kaluar nga Komisioni i Ligjeve dhe janë në Parlament?

Faktikisht, është e qartë që është kryeministri, ai që mesa duket që ka nevojë që këto tre ligje të qëndrojnë të pavotuara, për të mbushur çdo ditë topat e tij të fushatës elektorale, tanimë, që i gjithë baruti është lagur komplet dhe për t’u përpjekur që t’u tregojë shqiptarëve atë që shqiptarët nuk e besojnë, se gjithçka ata po jetojnë në gjithë këtë papunësi, në gjithë këtë varfëri, në këtë dëshpërim social lidhet me këto tre ligjet dhe lidhet me opozitën. E vërteta është që shqiptarët janë shumë të vetëdijshëm që koha për rotacionin është vetëm pak ditë përpara tyre dhe në 23 qershor ata do ta vendosin me votë përfundimisht. Rrotacionin dhe fundin e këtij rrënimi të vazhdueshëm.

Menjëherë pas deklaratës së z. Meta ka reaguar ministrja e integrimit zonja Bregu, e cila thotë se opozita nuk është e gatshme t’i votojë këto tre ligje. Komenti juaj?

Po pra, është zonja Bregu, është edhe zoti Kodra, Saliu. Kodra pas bregut dhe bregu që dalë menjëherë pas kodrës. Prandaj, shqiptarët në 23 qershor do ta lënë edhe kodrën edhe bregun dhe do të vazhdojnë në det të hapur rrugëtimin e tyre drejt Familjes Europiane.

(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN