Një skelet dinosauri, i cili për vite me radhë besohej se i përkiste një Tyrannosaurus rex të ri, është shitur në ankand për një shumë prej 47.3 milionë dollarësh (35.5 milionë paund).

Me nofkën Jodi, skeleti afërsisht 3 metra i gjatë u nxor në ankand nga Sotheby's në Nju Jork. Shitja vjen një vit pasi studiuesit konfirmuan se skeleti i përket një gjinie të veçantë.

Ai pritej të shiste të paktën 9 milionë dollarë kur u nxor në ankand të martën. Ankandi vjen pasi Sotheby's shiti një Tyrannosaurus Rex, të quajtur Gus, për një shifër rekord prej 50.1 milionë dollarësh në korrik.

Shitja ka ringjallur debatin në komunitetin shkencor nëse mbetjet e dinosaurëve duhet të shiten privatisht apo të ekspozohen publikisht.

Sotheby's e përshkroi Jodin si një skelet  të gatshëm për ekspozitë" me rreth 191 elementë fosile kockash dhe një kafkë "të ruajtur bukur, praktikisht të plotë".

Shtëpia e ankandeve shtoi se Nanotyrannus është "një nga vetëm tre skelete të tilla të njohura nga shkenca".

Identiteti i blerësit, i cili fitoi pas një ankandi emocionues prej 12 minutash midis gjashtë palëve të interesuara, nuk është bërë i ditur.

Ai bëhet fosili i dytë më i vlefshëm i dinosaurëve i shitur ndonjëherë, pas Gusit. I treti më i vlefshëm ishte një Stegosaurus i quajtur Apex, i cili u shit nga Sotheby's në korrik 2024 për 44.6 milionë dollarë.