TIRANE- Ndërsa mbeten vetëm pak javë përpara marrjes së vendimit për statusin e Shqipërisë nga vendet anëtare të BE, tre ministra të kabinetit “Rama” zbarkojnë në Bruksel për të lobuar për një përgjigje pozitive nga këshilli i ministrave të vendeve të BE, për Shqipërinë.

Kështu, Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministri i Drejtësisë Nasip Naço janë nisur drejt Brukselit dje, për një vizitë tepër të rëndësishme zyrtare në funksion të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin e vendit në BE.

Kjo vizitë, siç është bërë me dije edhe më herët është e fundit deri në muajin dhjetor, kur merret vendimi nga vendet anëtare të BE-së për statusin e Shqipërisë.

Reformat dhe masat konkrete të ndërmarra deri tani për prioritetet e lëna nga progres-raporti i 16 tetorit do jenë fokusi i kësaj vizite për ministrat shqiptarë. Ata do raportojnë dhe dëshmojnë, për progresin e bërë që pas marrjes së mandatit nga qeveria e re, për të plotësuar dhe pesë kushtet e vëna nga ana e Komisionit Evropian, në mënyrë që Shqipëria të jetë e gatshme për të marrë një votë pro nga të gjitha vendet e BE. Tre ministrat shqiptarë, kanë planifikuar një sërë takimesh të rëndësishme.

Sot në ora 09:30–10:15 tre ministrat do të kenë një  takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS, Pierre Vimont.

Në orën 11:00–12:30 do të mbahet një panel për Shqipërinë në European Policy Center me prezencën e tre ministrave, i drejtuar nga Joost Korte zv/DP i DP për Zgjerimin, dhe Rjelic, Drejtor i Zyrës së SWP në Bruksel.

Nga ora 13:00–14:30 do të zhvillohet një takim  pune me ambasadorët e BE, Komisionit Europian e EEAS.

Rreth orës 16:10–17:10 një takim pune me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malsmtrom.
 
TAKIMET NE FRANCE
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka qënë bashkë me ministren e Integrimit Klajda Gjosha dhe në Francë javë më parë, ku ka zhvilluar takime me drejtuestit shtetërore të këtij vendi, që është skeptik për integrimin e Shqipërisë. Ai tha se shtimi i kërkesave për azil politik në Francë mund të ndikojnë negativisht në mbështetjen që mund të japë ky vend në dhjetor në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Raportimi i ministrit të Jashtëm në Kuvend, Ditmir Bushati në lidhje me integrimin e vendit në Bashkimin Europian, nxori në pah ato vende që kanë shprehur skepticizëm në lidhje me mbështetjen apo jo që do t`i japin Shqipërisë në dhjetor për marrjen e statusit. Duke vënë dhe një herë në dukje se nga këto vende është pikërisht Franca.

“Ka dhe një çështje specifike, e cila nuk ka lindur me qeverinë tonë, por kjo ka qenë edhe më parë. Kjo ka qenë një nga arsyet që para se të shkoja në Paris, u ndala në Lion. Ka të bëjë me kërkesat për azil politik në Francë. E drejta për azil politik në Francë është një çështje e shenjtë dhe për fat të keq në rrjetin e trafiqeve apo spekulimeve ka rënë dhe një grup shqiptarësh duke krijuar një situatë të papëlqyeshme kryesisht me autoritetet e Lionit dhe duke njollosur fatkeqësisht edhe imazhin pozitiv që ka disapora jonë. Kjo është një çështje e rëndësishme për autoritetet franceze. Është një çështje që është e lidhur me raportin e Francës dhe Shqipërisë dhe sensibilitetin që ekziston në Francë kur bie puna për të mbështetur një vend, që do të jetë shpejt kandidat për në BE. Eshtë e pakonceptueshme që njëri vend që kërkon të jetë kandidat, të ketë çështje për azile”, u shpreh Bushati.
 
Shkrimi u publikua sot (22.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)