Tre përkthime shqip nën
 kujdesin e princit Bonaparti  

Tre përkthime shqip nën<br /> kujdesin e princit Bonaparti  
Brenda tre vjetëve janë botuar në Londër tre përkthime shqip të Ungjillit të Mateut: Libri i parë më 1868 në arbërishten e Horës së Arbëreshëve; libri i dytë më 1869 në arbërishten e Frasnitës dhe libri i tretë më 1870 në gegërishten e Shkodrës. E përbashkëta e tyre është se janë bërë nën kujdesin e Princit Bonaparti dhe janë financuar e shtypur prej tij. Pyetja e parë që shtrohet atëhere është kjo: si shpjegohet ky interesim për gjuhën shqipe?
Lui-Lysien Bonaparti (Louis-Lucien Bonaparte,1813-1891) ishte djali i vëllait të dytë të Napoleon Bonapartit. Pothuaj gjysmën e parë të jetës e kaloi në Itali; fliste 5 gjuhë dhe lexonte në shumë të tjera. Me sa duket, vëmendja për gjuhët iu ngjall që nga viti 1839. Fushat kryesore të interesimeve gjuhësore të Bonapartit mund të mbahen dialektologjia dhe gjuhësia krahasuese.

Veprat e para diturore në fushën krahasuese i botoi në Itali. Që më 1843 gjatë udhëtimeve nëpër Europë dhe gjithashtu me ndihmën e bashkëpunëtorëve mblodhi lëndën për librin e tij të parë Specimen lexici comparativi (Gjedhe leksikore krahasuese), që doli në Firence më 1847. Përmbante shembuj me fjalët si deus, spiritus, angelus etj. për krahasimin ndërmjet 52 gjuhëve, mes të cilave përmend edhe epirotishten. Aty u shfaq prirja e tij për gjuhësinë krahasuese, që pastaj natyrshëm do të shtrihej edhe në dialektologji. Dhjetë vjet më vonë botoi në Londër Parabolën e farëhedhësit nga Ungjilli i Mateut në 72 gjuhë e dialekte të ndryshme të Europës, domethënë tashmë kishte shembuj nga 20 gjuhë më tepër. Kështu nisi programin e vet për grumbullimin e teksteve, të cilat duke pasur si pikënisje të njëjtin tekst biblik, jepnin dorë për të nxjerrë më me lehtësi përfundime nga krahasimi i tyre. Për shqipen ka përdorur termin “gjuha epirote” e ka përfshirë versionin nga Hora e Arbëreshëve dhe nga Frasnita. Besoj se këto janë gjurmët e para të përkthimeve të shtypura në të folmet arbëreshe të Italisë.

Nga viti 1850 u vendos përfundimisht në Angli, ku bleu një shtëpi, në të cilën nisi të grumbullonte libra, në pjesën më të madhe gjuhësorë, që arritën deri në 18.000 tituj. Gjatë Perandorisë së Dytë (1852-1870) nga Franca iu caktuan 130.000 franga në vit dhe kështu pati mundësinë të financonte botimet e shumta, madje edhe të ngrinte një shtypshkronjë në shtëpinë e tij. Por me rënien e Perandorisë së Dytë më 1870 kjo mbështetje financiare iu ndërpre, për fat të mirë pasi sapo kishte mbështetur botimet shqip.
Me lëndën që grumbullonte jo vetëm e ndihmonte gjuhësinë bashkëkohëse, por praktikisht merrte pjesë edhe në diskutimet, pavarësisht se nuk kishte mëtime teorike të posaçme. Për dialektologjinë do shënuar, se është quajtur pararendësi i dialektologjisë moderne. Përveç shfrytëzimit të teksteve të shkruara, kryesisht të përkthimeve, ai shkonte në terren dhe e mblidhte atje lëndën nga goja e folësve vendës. Kështu, bëri 5 ekspedita në rajonet baske më 1856-1869. Përkthyesve u kërkonte, që të përdornin variantin e folur bashkëkohës të gjuhës përkatëse dhe po këto kërkesa i kishte parashtruar Dh. Kamardës si redaktor.

Ishte i interesuar sidomos për gjuhët e pakicave, në veçanti për baskishten dhe për të folmet krahinore të Italisë. Prej 210 botimeve të veta gjuhësore, 68 i janë kushtuar baskishtes. Klasifikimi që ka dhënë për dialektet e baskishtes vështrohet nga gjuhëtarët se ende sot ka vlerë. Besoj se ky interesim e kishte burimin nga prejardhja e tij si korsikan, domethënë prej ishullit të vogël mbi Sardenjën. Biblioteka e tij ka mbi 100 tituj për sardishten dhe po aq, që në një mënyrë ose tjetrën lidhen me shqipen. Në këtë qark natyrshëm do të përfshiheshin edhe të folmet e arbëreshëve të Italisë.

Përkthimet biblike nga gjuhë e dialekte të ndryshme i interesonin Bonapartit për kërkimet e tij filologjike. Nëpërmjet atyre ai e bënte të dokumentuar krahasimin gjuhësor, domethënë nuk kufizohej me korrespondencat vetëm të trajtave e të fjalëve të shkëputura, siç ishte e zakonshme te shumë dijetarë të tjerë. Në fillim i jepte rëndësi themelore fonetikës në krahasimet mes gjuhëve dhe këtu arriti rezultatet më të mira. Fonetikën e quante “specialitetin gjuhësor të parapëlqyer prej meje”, por më pas ka theksuar se kryesore janë trajtat gramatikore për klasifikimin e gjuhëve. Mund të quhet bashkërenduesi shkencor dhe financues i një vargu përkthimesh biblike afërsisht gjatë viteve 1856-1870, rrjedhimisht, përkthimi në të folmen e Shkodrës më 1870 ka qenë i fundit në këtë vazhdë interesimi. Më 1858 dhe 1860 u kujdes për botimin e Ungjillit të Mateut në dy dialekte të sardishtes. (Këto tekste janë ribotuar më 2004 në Kaliari, të shoqëruara me fjalorin e tyre të plotë).

Vendin kryesor në vargun e përkthimeve e zë Ungjilli i Mateut, për të cilin është kujdesur që të dalë në mbi 50 variante të gjuhëve e dialekteve të ndryshme, sepse e quante që ky tekst jepte lëndë më të pasur gjuhësore, por është marrë edhe me copa të tjera biblike. Me përkthimin e dy pjesëve biblike në dy dialektet baske u mor gjatë viteve 1859-1865. Secilin përkthim e kontrollonte me kompetencë, që të jepte me vërtetësi idiomën përkatëse. Rrjedhimisht, problem i madh i dilte sistemi grafik. Kur kishte një traditë për dialektin, atë zbatonte, përndryshe kërkonte një grafi fonetike dhe synonte paraqitjen sa më besnike të dialekteve në trajtën e tyre të folur. Po këto kritere ka ndjekur edhe për versionet në gjuhën shqipe.

Të folmet arbëreshe e kishin një traditë shkrimore. Në radhë të parë vijnë katekizmat qysh në shek. XVII, të cilët u bënë mjaft të përhapur në shek. XVIII. Vendin e parë e zë këtu E mbsuame e krështerë e L. Matrëngës (1592) në të folmen e Horës së Arbëreshëve.  Por copat e teksteve liturgjike të Nikollë Ketës, të përfshira në dorëshkrimin e Kieutit, dhe të tjera burime të kësaj natyre sigurisht që nuk njiheshin nga Bonaparti.
Dhimitër Kamarda në Shtojcën (1866) e gramatikës së vet të krahasuar, pjesën me tekstet e fillon pikërisht me një përkthim biblik: me Kreun 15 të Ungjillit të Lukës, dhe me Kreun 25 të Ungjillit të Mateut, të marrë nga botimi i Dhiatës së re të vitit 1827. Nuk ka dyshim, se këtë punim Bonaparti e ka njohur më pas prej vetë Kamardës, por sidoqoftë versione të tjera arbërisht të shtypura të përkthimeve biblike nuk kanë qenë të pranishme gjatë shek. XIX-XX. Vetëm më 2006 Emanuele Giordano do të botonte Il Vangelo (Ungjilli, 230 faqe, si suplement të “Jetës arbëreshe”), pas një ungjilli të veçanta më 2000. Do të pranojmë, se Bonaparti është i pari që është interesuar për të pasur përkthime shqipe në të folme arbëreshe të Italisë.

Tekstet e shtypura shqip përgjithësisht na shfaqen në fillim në Itali. Kjo shpjegohet me një varg arsyesh. Pavarësisht nga prejardhja krahinore gjatë shpërnguljes dhe pavarësisht nga përkatësia konfesionale (në veri ishin katolikë, ndërsa në Jug të Italisë ishin të kishës bizantine ose uniate), arbëreshët u ndodhën në kushte të ndryshme prej shqiptarëve të atdheut në lindje të Adriatikut. Ishin mes një popullsie të krishterë, që nuk rrezikohej prej islamizimit. Detyrimisht u kthyen në dygjuhësh dhe pak nga pak italishtja zuri vendin e prestigjit e nisi ndikimin e drejtpërdrejtë. Ishin në një vend, ku kishte shtypshkronja, ndërsa më vonë u ngritën dhe shkolla, në të cilat do të mësohej edhe gjuha shqipe. Shtypshkronjat dhe shkollat italiane do të ishin njësoj në shërbim të shqiptarëve të mërguar në Itali ose të vajtur përkohësisht nga atdheu i tyre.

Por kryesorja, ishin në mes të një kulture të shkruar të nivelit europian të kohës. Rrjedhimisht, kishte shtysa për t’u përftuar edhe një kulturë e shqipes së shkruar e të botuar. Nuk është e rastit atëhere, që librat e parë të shqipes janë botuar në Itali gjatë disa shekujve. Kështu ndodhi me librin e parë që njohim të Gjon Buzukut më 1555 në Venedik, me L. Matrëngën më 1592 në Romë, me katër librat e P. Budit që nga viti 1618 në Romë, me Fjalorin e F. Bardhit më 1635 në Romë, me P. Bogdanin më 1685 në Padovë, me Kuvendin e Arbënit më 1706 në Romë,  me Gj. Kazazin më 1743 në Romë, me J. Varibobën më 1762 në Romë. 

Me ardhjen e shekullit XIX rrethanat ndryshuan rrënjësisht. Para së gjithash, të folmet arbëreshe në njërën anë të Adriatikut dhe shqipja në brigjet e tij lindore gjatë evoluimit të natyrshëm u dalluan dukshëm. Lindi problemi i madh: a ishte e njëjta gjuhë në të dy anët e Adriatikut apo tashmë ishin dy gjuhë të ndryshme? Kjo pyetje nuk ishte shtruar në kohën e Gj. Buzukut ose të L. Matrangës. Ky problem këtej e tutje do të përshkonte gjithë punën e autorëve arbëreshë gjatë shek. XIX dhe madje ka mbërritur si diskutim i thellë deri në ditët tona. Arbërishtja e Italisë tashmë është një variant historik dhe dialektor i shqipes, i cili shfaqet me ndërlikime të tjera kur vjen puna për ta përpunuar si gjuhë të shkruar. Nuk është vendi këtu për ta ndjekur këtë temë interesante, por dëshiroj të theksoj se në shek. XIX nuk mund të shpërfillej realiteti i ri gjuhësor, ndërsa kur vinte puna për të shkruar, shfaqeshin edhe dallimet e të folmeve brenda këtij varianti.

Në këtë tablo erdhën e u ndërthurën ndikimet e letërsisë e të diturisë europiane përgjithësisht dhe të letërsisë e diturisë italiane veçanërisht. E quaj të domosdoshme të vë në dukje ndikimin sidomos të dy dukurive thelbësore: romantizmit dhe gjuhësisë krahasuese-historike. Del në pah se shqipja është një gjuhë e mëvetësishme europiane, e cila meriton vëmendjen si një vlerë e tillë, aq më tepër e një populli, i cili e ngacmon përfytyrimin romantik, duke filluar me një emër si të Xhorxh Bajronit. Del në pah edhe se në Itali ka gjuhë të pakicave, ndër to madje kanë interes të posaçëm të folmet arbëreshe, te të cilat e drejtojnë vëmendjen gjuhëtarët europianë.

Brenda kësaj tërësie rrethanash shpjegohet edhe interesimi i Bonapartit për arbërishten dhe për përkthime në ato të folme, nga  njëra anë, po ashtu edhe për tekstin në gegërishten e Shkodrës, nga ana tjetër. Rrjedhimisht, është i gabuar mendimi i shprehur, se këto përkthime u nxitën nga Dh. Kamarda (O. HASHORVA: Mbi përkthimet e veprave të letërsisë fetare në arbërishte. “Studime filologjike”, 2011, nr. 1-2, f. 141-153). Po ashtu janë krejt në erë pohimet (SH. SINANI, Abat Prend Doçi dhe konferenca gjuhësore e ipeshkvinjve më 1902, në: “Abat Prend Doçi. Rilindas i madh, 2015), se Preng Doçi mund të kishte porositur te Bonaparti një prej këtyre përkthimeve më 1870, domethënë kur përkthimi i Londrës tashmë ishte botuar.

Për një varg botimesh Bonaparti shkruante parathëniet, p.sh. për sardishten galureze më 1861 dhe për sasarezen më 1866, për të folmen romane të Faensës më 1865. Nga botimet shqipe po cek shkurt të parin, të vitit 1868. Siç e vura në dukje më sipër për gjuhët e tjera, edhe për arbërishten ai thekson, që “besoj se do të ishte mirë që të zbatoja një alfabet, i cili të përfaqësonte me përpikëri sa më të mundshme shqiptimin e dialektit të Horës së Arbëreshëve” dhe vijon me vërejtje për secilën shkronjë kundrejt tingullit përkatës. Më tej i drejtohet mendimit të Kamardës dhe veprës së tij, duke e quajtur të shkëlqyer, lidhur me tingullin ‘h’ të aspiruar.

Meqë dy botimet e para arbërisht janë redaktuar prej Dh. Kamardës, pyetja tjetër që shtrohet është, se cilat kanë qenë marrëdhëniet e tyre. Ka shumë gjasa, që Bonaparti ta ketë mësuar emrin e Kamardës menjëherë pas botimit të Gramatologjisë së tij më 1864 dhe të Shtojcës më 1866. Të dy këta libra gjenden në bibliotekën e Bonapartit, madje edhe një botim fare i vogël, tetë faqe i vitit 1869 Alfabeti i përgjithshëm shqip-epirotisht. Ndoshta do të gjenden letrat e shkëmbyera ndërmjet tyre, por mjaft përshtypjelënëse është pjesa Vërejtje përmbyllëse e punimit të Bonapartit më 1885 (shih më poshtë). Për variantin në të folmen e Shkodrës tregon, se është mbështetur te veprat e F. Ross-it, ndërsa përmirësimet i ka sjellë nëpërmjet diskutimeve të gjata me të dhe me redaktorin, Gaspër Krasniqi, si dhe duke u këshilluar me punimet e G. Jungg-ut, J. G. Hahn-it e sidomos të K. Kristoforidhit. Këtu mësojmë se kopje të tre botimeve të veta shqip ia paska dhuruar Shoqërisë Filologjike të Londrës. Kurse për variantet arbëreshe mbi bazë toskërishten jo vetëm ka shfrytëzuar botimet dhe kontaktet me shumë shqiptarë, por sidomos ka dëgjuar: “madje këtu në Londër Don Dhimitër Kamardën nga Hora e Arbëreshëve, i cili ka qenë mysafiri im për disa muaj”.

Duke i sintetizuar të dhënat nga disa anë, më del se Kamarda do të ketë qenë në Londër për disa muaj në vitin 1868. Një vit më parë do të ketë marrë kërkesën nga Bonaparti për versionet e përkthimit. Ndonëse në botimin e vitit 1868 shënon se përkthimin e ka bërë një vendës nga Hora e Arbëreshëve, dihet se ky ka qenë i vëllai, poeti Zef Kamarda (1831-1878). Del që redaktimi është bërë në Londër, duke diskutuar me vetë Bonapartin. Vinçenc Dorsën (1823-1885) Kamarda e njihte mirë që nga viti 1841-1842, kur ishin bërë miq në kolegjin e Romës dhe meqë ishte nga Frasnita, i ishte drejtuar për variantin përkatës të përkthimit, sepse vetë Bonaparti dhjetë vjet më parë pikërisht Horën e Arbreshëve dhe Frasnitën i kishte marrë si përfaqësuese të dy të folmeve arbëreshe. Rrjedhimisht, pas redaktimit të parë, Kamarda ka vijuar në Londër me redaktimin e tekstit të Dorsës, që do të dilte nga shtypi vitin pasues.

Edhe pas botimit të përkthimeve Bonaparti e ka vijuar interesimin për shqipen. Këtë e dëshmojnë dy artikuj të tij, të botuar në revistën e Shoqërisë Filologjike të Londrës: i pari
më 1885, Shqipja në trevën e Otrantos dhe i dyti më 1891, Shqipja, greqishtja e re, galo-italikja, provansalja dhe ilirishtja ende në përdorim (1889) si ishuj gjuhësore në provincën e Napolit dhe të Sicilisë së Italisë, domethënë në vitin e fundit të jetës së tij. Fare shkurt po shënoj, se në punimin e parë jep një paraqitje të hollësishme të vendbanimeve arbëreshe në provincën e Otrantos. Ka siguruar nga San Marcanoja një listë me 38 fjalë dhe tri shprehje, si dhe një këngë, por me një gjuhë jo të rregullt.

Këto i kanë dhënë rastin të japë një tabelë për 53 tinguj të shqipes me variantet e tyre sipas dialekteve. Në punimin e dytë e sheh shqipen ndër ishujt gjuhësorë të provincave të Napolit e të Sicilisë krahas greqishtes, galo-italikes, provansales dhe sllavishtes. Jep një listë shumë të gjerë të vendbanimeve arbëreshe, gjithsej 55 në nëntë provinca të ndryshme. E ka rimarrë dhe e ka zgjeruar punimin e parë edhe me ndihmën e Kozimo Santorit, duke u kushtuar vëmendje fshatrave, në të cilët tashmë arbërishtja kishte shkuar drejt shuarjes. Lista e fjalëve tashti ka mbërritur në afër 160. Është shtuar lutja “Ati ynë”, e përkthyer nga Santori. Në shtojcën ka nëntë variante të asaj lutjeje në të folmet e provincës së Napolit dhe i ka botuar siç ia kanë shkruar përkthyesit arbëreshë, domethënë sërisht kemi metodën e tij për të dhënë tekste të përkthyera në gjuhë e dialekte të ndryshme me qëllim krahasimi, porse do të shtoja që edhe këto janë dëshmi të cilat bëjnë pjesë në përkthimet shqipe.

Për disa ka dhënë edhe emrin e përkthyesit: Angelo Bozza, papa N. Emanuele, Giov. Battista Canadé, Giu. Canton Lanzo, Modesto Miraço, Antonio Dorsa. Duke e ndjekur këtë hulli, ka dhënë edhe pesë variante të tjera: në të folmen e Frasnitës, të Horës së Arbëreshëve, toskërisht, gegërisht dhe gegërishte e Shkodrës. Rastësisht kanë ndërhyrë një letër e shkurtër dhe Ave Maria arbërisht e italisht. Së fundi, është edhe një faqe nga Dekameroni i Bokaços (Novela IX), përkthyer në arbërishten e Frasnitës. Duke e mbyllur punimin, Bonaparti shprehet se shqipja për herë të parë ka vajtur në Italinë e Jugut rreth vitit 1440 me Dhimtër Rere Skënderbeun bashkë me të birin dhe shokët.

Ishte e pritshme, që Bonaparti do të hetonte për veprimtarinë e Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja, e në veçanti për punën e saj me gjuhën shqipe. Kemi dëshmi për këtë nga një letër e Aleksandër Tomsonit, e regjistruar në arkivin e Shoqërisë, dërguar nga Stambolli më 16 dhjetor 1867, që fillon kështu: “Jam shumë i gëzuar, që po mësoj prej jush, se Lartësia e tij, princi L. L. Bonaparti është interesuar për përkthimet e mia shqip. E dija se e kishte Mateun të përkthyer në dialektin e Shkodrës dhe pa dyshim, me alfabetin e jezuitëve.”

Pasi u bë i njohur, Bonaparti pati letërkëmbim me shumë dijetarë të kohës dhe sidomos me gjuhëtarë e përkthyes të Biblës. Interes të posaçëm paraqet për ne letërkëmbimi i Bonapartit me albanologun e njohur Gustav Majer, autorin e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe (1891). Janë ruajtur 8 letra frëngjisht në dorëshkrim, që prandaj nuk ishte edhe aq e lehtë për t’i përkthyer. Që në letrën e parë të tetorit 1881 të bën përshtypje, se diskutimi është pikërisht për gjuhën shqipe dhe po kështu vijohet deri në letrën e fundit të datës 21 qershor 1884. I ka dërguar edhe Mateun në kalabrishten e Frasnitës. Mes të tjerash, do të veçoja, se me gjithë vlerësimin që kishte për Kamardën, i ka shkruar G. Majerit se: “Shqipja dhe greqishtja, së fundmi, nuk janë motra, por kushërira, që do të thotë se janë më pak sesa mendonte Kamarda, por më shumë sesa besojnë disa albanologë.” Më 22 nëntor 1883 Bonaparti i ka shkruar G. Majerit, se  të premten e kaluar në Shoqërinë Filologjike të Londrës kishte paraqitur veprën e tij për shqipen të atij vitit dhe kishte tërhequr vëmendjen e Shoqërisë lidhur me rëndësinë gjuhësore të asaj broshure.

Si përfundim, mund të thuhet se përveç rrjedhës së madhe të përkthimeve në gjuhën shqipe për t’i mundësuar lexuesit shqiptar të lexojë tekste në gjuhë të panjohura për të, ka edhe një tip tjetër, që janë përkthimet për ta dëshmuar shqipen. Këto janë bërë kryesisht duke u porositur shqiptarët që të japin një tekst shqip të përkthyer nga një gjuhë e huaj ose duke gjetur një tekst tashmë të përkthyer për ta shfrytëzuar jo për lexim të përgjithshëm, por për qëllime të posaçme kryesisht studimore dhe dëshmuese të shqipes. Gjurmët e para të kësaj metode i gjejmë te Kelmendasit në Sirmi (1782) të Von Ëindisch-it me lutjen “Ati ynë” të marrë prej P. Budit. Fare pak vjet pas tij vjen Sprova praktike e gjuhëve (Saggio pratico delle lingue, Cesena, 1787) e Lorenzo Hervas y Panduro, ku kjo lutje del në katër variante shqipe, dy prej të cilave arbëreshe.

Po kështu F. Pouqueville-i i ka kërkuar Ali Pashës më 1813, që të vinte dy veta të përkthenin gegërisht e toskërisht parabolën e Djalit plangprishës për ta pasur si tekst shqip në librin e botuar më 1820 (Voyage de la Grèce, Tome troisième, f. 298). Ë. Martin Leake-u për librin e tij të vitit 1814 mori e redaktoi si dëshmi të shqipes tekstin e përkthyer nga greqishtja të Dhanil Voskopojarit të vitit 1802. Po shembulli më i qartë është ai me Ungjillin e Markut. Dhiatën e re e kishte përkthyer V. Meksi dhe libri i botuar doli më 1827 nën kujdesin e G. Gjirokastritit. Ishte libër për lexuesin e gjerë. Ndërsa më 1835 J. R. von Xylander-i e përfshiu Ungjillin e Markut në veprën e tij për gjuhën shqipe pikërisht për dëshmimin e shqipes, sepse as që mund të mendohej ai libër për lexuesin shqiptar, i cili përgjithësisht nuk kishte asnjë gjasë ta lexonte atë vepër gjermanisht. Në këtë vazhdë eci edhe L.L. Bonaparti, qysh në punimet e veta të para, të përmendura më sipër. Si nëntip do të shtoja këtu përkthimet e shembujve të ndryshëm në shkrimet studimore, që të bëhet ndonjë krahasim ndërmjet gjuhësh ose që të dëshmohet një dukuri edhe për gjuhën shqipe.

Të tilla raste ndeshen edhe sot, por nga vëzhgimet e mia më del se nganjëherë të huajt japin përkthime të gabuara shqip. E kundërta e këtij tipi janë përkthimet, që bëhen nga shqipja për nevojat e shkrimeve studimore. Prej kohësh albanologët kanë dhënë tekste shqipe, duke i përkthyer në gjuhën e librave të tyre përkatës. Do të përmendja si shembull bindës përkthimet, që u ka bërë pjesëve të eposit shqiptar Stavro Skendi në librin e tij Albanian and South Slavic Oral epic Poetry, 1954, i cili për këtë arsye më ka nxjerrë vështirësi të posaçme për të gjetur origjinalet që të jepeshin në përkthimin shqip nga anglishtja më 2007 (Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut, Instituti i Dialogut e Komunikimit, 2007).

Ka edhe një tip të tretë, që përfshin përkthimet shqip për të ndihmuar të huajt të mësojnë shqipen, ose anasjelltas, të cilat do t’i quaja kështu përkthime mësimore. Më del që ndonjëherë në disa libra mësimorë të hartuar madje prej shqiptarësh, gjithashtu ka mjaft gabime, por nuk është vendi këtu për t’u marrë me to.
Përfundimi i mësipërm vlen për të dhënë një shpjegim. Meqë përkthimet dëshmuese nuk janë të paracaktuara për lexuesin e gjerë, ato botohen në tirazhe të vogla. Kështu e kuptojmë atëhere përse edhe L. L. Bonaparti ka kërkuar që librat e Mateut shqip, si edhe në të gjitha gjuhët e dialektet e tjera, të botohen vetëm në 250 kopje, domethënë nuk e parashikonte se do të përdoreshin gjerësisht dhe kjo bie fort në sy, po të krahasojmë tirazhet prej disa mijëra kopjesh që nga Dhiata shqip e vitit 1827 e deri te përkthimet e shumta të K. Kristoforidhit, që edhe ribotoheshin.

Përkthimet fetare në arbërishten kanë vijuar edhe pas botimeve nën kujdesin e Bonapartit, porse tashmë për nevojat e shërbesave dhe të literaturës fetare të arbëreshëve, duke përbërë kështu një degëzim të lëvrimit të arbërishtes së shkruar. Nga kjo pikëpamje këtu nuk kanë peshë dorëshkrimet e shumta, të cilat po bëhen të njohura dhe po botohen në ditët tona, duke e pasuruar dijen për të folmet arbëreshe. Ka dy arsye themelore që e mbështesin këtë pohim. Së pari, dorëshkrimet edhe kur njiheshin, mbeteshin brenda një rrethi shumë të ngushtë dhe rrjedhimisht, pengohej komunikimi publik për të shkëmbyer arritjet dhe për ta çuar përpara lëvrimin e përgjithshëm të gjuhës. Përveç këtij aspekti, që mund t’i cilësonte ato si sprova individuale, pa dyshim me interes për pasqyrimin e veçorive dialektore të periudhës dhe për veprimtarinë vetjake të autorëve, ka edhe një aspekt kanonik. Dorëshkrimet nuk i janë nënshtruar një kontrolli kanonik, rrjedhimisht mund të quhen përkthime të lira, të cilat nuk kishte gjasa të zinin vend të qëndrueshëm në përdorimin real sipas dogmës fetare.

Aq më e theksuar është ana individuale te këngët e shumta fetare nga letrarë të ndryshëm arbëreshë, të cilat kështu mundësojnë fare pak përgjithësime gjuhësore. Prandaj mbeten më me interes përkthimet e botuara, në veçanti përkthimet biblike, të cilat detyrimisht i nënshtrohen ballafaqimit të gjerë dhe rigoroz ndërmjet tyre, si edhe me versionet e bëra  për lexuesit shqiptarë në trevat ballkanike. Botimet e bëra nën kujdesin e princit Bonaparti kanë vendin e tyre me peshë në këtë  shfaqje historike të shqipes së shkruar.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

‘Çmendet’ moti në Europë, stuhitë godasin veriun e Italisë dhe Gjermanisë! Gjendje alarmi në 12 rajone të Francës

‘Çmendet’ moti në Europë, stuhitë godasin veriun e Italisë dhe Gjermanisë! Gjendje alarmi në 12 rajone të Francës