Tregim-Zonja e verbër/ Nga Zija Çela

Tregim-Zonja e verbër/ Nga Zija Çela

Pasi hynë në vilën e re, zonja Mine Sota i tha të shoqit: “Tani na duhen ca piktura. Por më parë dy portrete në ballë të sallonit, yti dhe imi.” Burri ia hapi rrugën menjëherë, le të zgjidhte një studio dhe ta niste nga vetja. Ajo u vu të kërkonte adresa në internet. Në Tuitter dhe në Instagram, ngaqë emri i saj i dukej anakronik, në vend të Mine Sota nënshkruante Minesota. Komunikimi elektronik e ndihmonte nga pak të luftonte vetminë e gruas shtëpiake. Megjithatë, herë pas here, aq e sfiliste vetmia, sa hynte në gjithfarë dyshimesh. E ç’bënte bashkëshorti i saj, kur largohej nga selia e Kompanisë S & V? Nga bridhte, ku humbiste, pse mungonte gjatë në shtëpi, pa u përgjigjur as në telefon? Me raste, këtyre pyetjeve u jepte një përgjigje brejtëse: “E ku ta dish, ndoshta bën të nëntëdhjetë e nëntat me kurvica të reja!”

Zgjedhja e studios e vuri ca në siklet. Dikur kishte lexuar thënien e një personaliteti italian që, me gjithë rikërkimet, nuk po arrinte ta gjente, sepse nuk i kujtohej autori. Por, për fat, i kujtohej gjysma e atij postulati: “Mos blini piktura moderne...”. Sidoqoftë, kaq i mjaftoi që t’u largohej disa piktorëve të qytetit, të cilët fjalët “moderne” a “postmoderne” i kishin edhe në loguset e studiove të tyre. Kështu që i dërgoi një mail Studios Pik-Fik-Tur, meqë u tërhoq nga origjinaliteti i emërtesës. Zonja e njoftoi se ishte e gatshme të paguante për portretin e saj, me kusht që lartësia e telajos të ishte mbi një metër. Më pas do të thoshte se kishte rënë nga shiu në breshër, por do të shtonte gjithashtu se fundi i kishte dalë për hajër.

Në atë kohë, piktori Laert Osmani sapo e kishte mbaruar tablonë, që do ta paraqiste në Ekspo Art Futur. Ai hapi postën elektronike, u njoh me kërkesat dhe u ndal te zonja, së cilës i caktoi orar për të nesërmen. Pastaj zgjodhi një telajo me lartësi 106 cm dhe e vuri në kavalet. Si ia kundroi përmasat një grimë herë, u kthye te divani, ku do të pozonte zonja. Por prapë nuk gjeti qetësi. Pse të rri duarkryq?! i foli vetes. Dhe kështu, me gjasë nga sfondi, nisi punën për portretin. Të nesërmen, me t’u paraqitur në studio, Minesota nxori nga çanta disa foto. Kur po ia zgjaste Laertit, ky e sfidoi duke ia shtyrë me trinën e dorës.

- Zonjë, ju keni ardhur te piktori apo te fotografi?
- Unë kam ardhur te Pik-Fik-Tur, - bëlbëzoi tjetra, e pamësuar me tekat e artistëve. - Që do thotë?
- Që do të thotë në studion e pikturës fikshën. Por në rastin tuaj do ta kem modelin përpara, - e qetësoi tjetri.
Si i tregoi divanin dhe e la të pozonte siç ia donte qejfi, i hyri punës. U deshën rreth pesëdhjetë minuta dhe portreti ishte gati. Piktori fshiu duart, pastaj e ktheu kavaletin përballë divanit. Në fillim zonja aq u shushat, sa u duk sikur humbi edhe zërin. Por erdhi çasti që hovi më këmbë, thuajse duke klithur.
- Jo, jo! Kjo nuk jam unë.
- Ashtu vërtet, nuk jeni ajo që jeni sot, - tha ai. - Por, ama, po shihni zonjën që do të jeni në futur, kur do të bëheni e famshme.
- Që do të thotë? - shpejtoi Minesota ende me çehren e çmeritur.
- Që do të thotë në të ardhmen, pra. Për shembull, pas njëqind vjetësh.
Minesota mblodhi buzët, teksa i afrohej telajos. Nuk po i mbushej mendja kurrsesi. Si mund të ishte ky portreti i saj me gjithë ato deformime?! Ja, njëri sy më lart, tjetri më poshtë. Gjithë pezm ia bëri piktorit këtë vërejtje. Por ai njëlloj u mbrojt me futurin, kohën që do të vinte.
- Që do të thotë? - ngulmoi ajo sërish, duke dashur të zhbironte diçka më tej.
- Që do të thotë, zonjë, se njerëzit kanë filluar ta shohin gjithnjë e më shtrembër njëri-tjetrin. Përfytyrojini tani sytë njerëzorë pas njëqind vjetësh. Merret vetvetiu me mend se çfarë do të pësojnë.
- Po kjo gojë... O Zot, ç’është kjo gojë kaq e madhe?! - u step Minesota.
- E madhe është, - pranoi Laerti. - Por, besoj, e keni pikasur edhe prirjen tjetër. Gjithandej njerëzit kanë qejf vetëm të flasin. Ata flasin e flasin...
- Prandaj veshët kaq të vegjël? - e ndërpreu Minesota. - Këtë po thoni tani?
- Këtë po them, zonjë. Sepse çfarë nuk përdoret, atrofizohet. Meqë askujt s’i pëlqen të dëgjojë, me kalimin e kohës veshët do ta humbasin funksionin. Si apendiciti që, pasi mbeti pa punë, u kthye në zorrë mbeturinë.
“Ç’po llomotit ky trillan, që hiqet si ekspert, mos po më përdor për ndonjë eksperiment?!”, nisi të dyshonte porositësja. Duke u kthyer ballë për ballë me portretin, provoi edhe një herë t’ia gjente fillin atij lëmshi të kokolepsur.
- Ju thatë se pas njëqind vjetësh do të bëhem e famshme. E thatë?
- E thashë, - pranoi tjetri. - Veçse e përsëris, jo siç e shihni veten ju, por siç ju shoh unë. Dhe ta dini, në këtë portret ju shoh të famshme. Madje në Minesota të Amerikës ndoshta po aq famoze, sa Mona Liza.
Befas, midis xhindëve që zonjës i kishin hipur, iu shtua edhe një më tepër, aludimi për Minesotën e saj. U përkul dhe lexoi diciturën. E kuptoi se piktori ia kishte zbërthyer sekretin e monogramit, përderisa në diciturë nuk shkruhej “Zonja Minesota”, por “Zonja Mine”. I erdhi t’ia vinte minat asaj pikture paçavure. “Ehuu”, ofshani nën zë, “ku zonja e ku dona, ku Mine e ku Liza!.. Ky maskarai ka dashur të tallet me mua!”

Kjo pabesi i dha fund durimit të saj. Ajo rrëmbeu spatullën në sergjenin e kavaletit dhe ia nguli majën metalike syrit të djathtë.
- Unë nuk dua të shoh në futur! Njëqind ditë për mua janë shumë, pa mendo pastaj njëqind vjet, - shtoi me atë vrull, duke ia ngulur majën edhe syrit të majtë.
Sapo mbeti vetëm, Laert Osmani hyri në mëdyshje. Me zgavrat që ishin hapur në pëlhurë, portreti kishte pësuar një ndryshim të menjëhershëm. Po sikur në vend të “Dallëndyshes dinozaur” të çonte në ekspozitë këtë portret? Do të ishte njëkohësisht edhe një mbrojtje e kolegëve kundrejt asaj turme qytetarësh, të cilët kurrsesi nuk krijonin marrëdhënie me artin futurist. Piktori mori penelin e hollë dhe e ndryshoi diciturën, duke e riemëruar tashmë: “Zonja e Verbër”.

Kur e pa të riprodhuar në revistën me ngjyra, si një nga veprat polemiste të ekspozitës, zonja ishte e bindur se askush nuk do të mund ta njihte, aq më tepër me atën diciturën misterioze poshtë portretit. Dhe, vërtet, nuk e njohu as i shoqi. Por ndoshta rrethanat nuk qenë të përshtatshme, sepse Spiro Sota e kishte mendjen gjetkë. Sapo kishin sjellë nga Megatek kutitë e një rafti me pjesë plastike. I zoti i shtëpisë kishte thirrur kopshtarin që ta montonte raftin në verandë, por me gjasë diku kishin ngecur dhe po shihnin letrat e skicave. Mirëpo, ndoshta nga motoja që reklamonte Megatek-u, për fat zonjës i shpërtheu në kujtesë postulati i plotë i atij italianit autoritar: “Mos blini piktura moderne, bëjini vetë, se i bëni mirë.”
Pasi kaluan disa ditë dhe u pajis me gjithçka i lipsej, Minesota hapi kavaletin pikërisht në verandë. Me vështrimin e ngulitur në tavalocin e ngjyrave, u përqendrua një grimë herë. Nuk po i dukej aq e vështirë, portretin e të shoqit mund ta bënte përmendësh. Kur Spiroja u kthye nga selia e Kompanisë S & V dhe e pa, nuk e njohu veten. Por gruaja i tha se mosnjohja ishte diçka e pritshme, pasi ai portret ishte futuri i tij.

- Që do të thotë? - pyeti ai në stilin e familjes.
- Që do të thotë, për shembull, pas nëntëdhjetë e nëntë vjetësh.
- Po a nuk janë të panatyrshëm këta krahë kaq të gjatë? - deshi ta kapte gafil ai.
- Mos u habit, i dashur, është prirja e njerëzimit. Njeriu i sotëm priret të zhvasë sa më shumë dhe sa më shpejt. Përfytyro tani ç’do të ndodhë me krahët e tij pas një shekulli.
- Po këmbët, pse kaq të shkurtra këmbët e mia?
Zonja u kollit që të fitonte kohë. T’ia thoshte a të mos ia thoshte atij? Por pastaj u mbush me frymë. Tekefundit, vetë i kishte dalë në shteg. Pse të mos qëllonte dy zogj me një gur, pse të mos hakmerrej për vetminë e saj sfilitëse?!
- Ah, këmbët, - psherëtiu. - Ç’faj kanë këmbët e shkreta! Po ja, për shembull, ti në mëngjes shkon me makinë në seli. Me makinë nëpër takime. Me makinë bredh, kur nuk ma hap as telefonin. Përmbi rrota kur del për kafe. Me ato rrota edhe te kioska prapa shtëpisë për një Marlboro. Zotrote e di fort mirë se, kur nuk përdoret, jo vetëm këmbët, por edhe hallati i mashkullit ka rrezik të shkurtohet, Spirooo!

Me atë “o” të zgjatur u duk sikur do të vinte kujën. Mirëpo zonja e përmbajti veten. Veçse iu afrua kavaletit me spatullën metalike në dorë. E përse me spatullën, do t’ia nxirrte sytë edhe të shoqit? Jo, përkundrazi, ishte penduar për sulmin depërtues në studion e atij trillanit. Tani ishte e sigurt se portreti i vet nuk do të kishte jetë të gjatë. Por e mbante një shpresë tjetër. Ndoshta mbas njëqind vjetësh mund të bëhej e famshme me pikturat e saj. Prandaj la spatullën dhe mori penelin e hollë. Ishte e vendosur të hiqte dorë nga monogrami Minesota dhe të identifikohej me pseudonimin aq intrigues, që sikur i kishte rënë nga qielli. U përkul dhe, duke u kujdesur që të lexohej sa më qartë, hodhi në fund të telajos nënshkrimin autorial: Zonja e Verbër.
Kur e postoi në internet portretin e të shoqit, postoi njëkohësisht edhe një foto të saj. Por kësaj here me një palë syze, të cilat e kishin skeletin ngjyrë ari, ndërsa xhamat fare të errët.

Shënim: Si u shkallëzua pastaj konflikti mes çiftit dhe si i zoti i shtëpisë, duke siguruar alibi për veten, pagoi kopshtarin për ta vrarë të shoqen, besoj t’i keni lexuar në të përditshmet e 18 shkurtit. Por tash vonë diç është hedhur edhe në JouTub nga seanca e fundit gjyqësore.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë