Besmir Limani, tifozi i flaktë nga Struga e Maqedonisë së Veriut, që e ka ndjekur kombëtaren e futbollit në shumë ndeshje, ka depozituar edhe kërkesën për t’u pajisur me pasaportë shqiptare.

Pas apelit në Report Tv, ministri i Brendshme, Taulant Balla, i premtoi shtetasit shqiptar me banim në Zvicër, se kërkesa e tij për shtetësi dhe pasaportë shqiptare do të shqyrtohet në bazë të parashikimeve ligjore, duke i dhënë edhe prioritetin e duhur në këtë rast, sipas kushteve të programeve të veçanta të shtetësisë.

Balla tha se të gjithë sportdashësit e tifozët duhet ta mbështesin ekipin, dhe të mos bëhen shkas për dënime të fushës në Tiranë.

Ky shqetësim vjen pas ndeshjes së kaluar, ku u hodhën mjete piroteknike në fushë, të cilat nëse përsëriten, rrezikojnë që të dënohet fusha nga drejtuesit e UEFA-s.