Tregu i pensioneve private u rrit 41%

 /ATSH-E.Xhajanka/- Në gjysmën e parë të vitit 2015, në Shqipëri tre fondet e pensioneve private vullnetare "Sigal", "Raiffeisen", "SiCRED Pensions", e rritën aktivitetin e tyre me 41%, krahasuar me një vit më parë, në një nivel aktivesh prej 756.8 milionë lekësh.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti i tyre dominohet nga investime në titujt e borxhit të qeverisë me rreth 672.9 milionë lekë, në rritje me 21.8% ndaj fundit të vitit 2014. Ndërsa numri i anëtarëve të fondeve të pensionit u rrit me rreth 27.1%, në krahasim me fundin e vitit 2014, ndonëse ky segment mban një peshë të vogël në ndërmjetësimin financiar në vend.
BSH-ja bën të ditur se, tregu i pensioneve private vullnetare më 31. 03. 2015 tregon një total asetesh neto prej 685.19 milionë lekë dhe me një rritje prej afro 56.05 milionë lekë (8.91 %) krahasuar me fundin e vitit 2014. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur nuk ishte në fuqi lehtësitë tatimore, rritja ishte më e lartë, në nivelin e 11.3 %. Pensionet private, një treg ende i ri, që ka filluar të zhvillohet këto vitet e fundit. Në vitet në vazhdim pritet një zhvillim më i vrullshëm, i ketij sektori për shkak të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale të kontributeve në fondet vullnetare të pensioneve. 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit