Presidenti Donald Trump ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë, por fjalimi dhe takimet e tij mund të lihen në hije nga polemikat që lidhen me ankesën e një informatori të zbulimit kombëtar. Ankesa ka të bëjë me një bisedë telefonike të presidentit Trump me presidentin Volodymyr Zelensky ku ai dyshohet se ka bërë presion ndaj udhëheqësit ukrainas për të hetuar djalin e rivalit politik të zotit Trump, kandidatit demokrat për president, Joe Biden.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Donald Trump u përball me pyetje për telefonatën e tij të korrikut me presidentin Volodymyr Zelensky. Presidenti Trump dyshohet se ka ushtruar presion ndaj liderit ukrainas për të hetuar Hunter Biden, djalin e rivalit të tij politik, kandidatin demokrat për president Joe Biden, lidhur me marrëdhëniet e biznesit të Hunter Biden në atë vend.
Presidenti Trump ka pranuar se ka diskutuar me Zelenskyn atë që ai e quajti "korrupsion" në lidhje me djalin dhe zotin Biden, por mohoi të ketë bërë ndonjë gabim në lidhje me ato që ai zgjodhi të diskutojë në atë telefonatë.
"Ajo që bëri Biden është një turp. Ajo që bëri djali i tij është një turp. Djali i tij mori para nga Ukraina, djali mori para nga Kina", tha presidenti.
Presidenti nuk ofroi hollësi për të mbështetur deklaratën e tij.
Kandidati Biden u përgjigj gjatë fushatës së tij.
“Trumpi po e bën këtë pasi e di se po e rrah si daulle. Ai po abuzon me pushtetit dhe çdo element të presidencës në përpjekje për të bëjë diçka për të më njollosur mua".
Polemika filloi javën e kaluar pas njoftimeve se një kallëzues i paidentifikuar në bashkësinë e inteligjencës kombëtare informoi i alarmuar nga përmbajtja e telefonatës së presidentit Trump me një drejtues të huaj. Njoftimet e mediave sugjerojnë se thirrja mund të ketë qenë me Zelenskyn.
Demokratët dëshirojnë të kenë qasje në informacionin e informatorit, por Shtëpia e Bardhë po e bllokon atë.
"Problemi është se ai person punon në degën ekzekutive dhe shefi i degës ekzekutive është, natyrisht, presidenti. Dhe, për presidentin punon edhe Drejtori i Zbulimit Kombëtar, i cili, siç duket, ka urdhëruar Inspektorin e Përgjithshëm të Inteligjencës të mos ia jap informacionin Kongresit. Pres që të kemi një përballje në gjykata për këtë", thotë Todd Belt, me universitetin George Washington.
Disa demokratë po bëjnë thirrje që ndaj presidentit Trump të nisin procedurat e shkartikimit dhe po kërkojnë një hetim nëse thirrja me Zelensky është e lidhur me vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të pezulluar përkohësisht 250 milion dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën. Fondet kanë për qëllim të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten nga fqinji i saj armiqësor, Rusia.
Përtej politikës së brendshme, ka implikime ndërkombëtare.
"Është për të ardhur keq që polemikat aktuale për Trumpin, Bidenin dhe Ukrainën po shkëpusin vëmendjen për të arritur një lloj përfundimi diplomatik të Luftës së Ukrainës, e cila do të ishte përparësia numër një e Kievit", thotë Richard Gowan i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Ukraina ka mohuar të ketë patur presion nga Uashingtoni. Zelensky dhe Trump pritet të takohen këtë javë në Uashington