TIRANE - “Procesi i zgjedhjes së Kryetarit të PD përfundoi, duke krijuar një model të ri në politikën tonë. Dëshiroj të uroj Z.Basha për detyrën e tij të re, shumë të rëndësishme, por dhe të vështirë në këto momente”. Ky ka qënë dhe postimi i ish-kreut të PD Tritan Shehu në faqen e tij sociale facebook.

Sipas tij, më e vështira fillon më tej. “Jam i bindur se ne do dimë kalojmë vështirësitë, për t’u kthyer përsëri në pozicionin që meritojmë në politikën tonë. Në këtë rrugëtim tonin, pa dyshim që z.Basha do ketë një rol të dorës së parë, duke ditur të jetë gjithmonë në lartësinë e sfidave të përbashkëta, që na presin. Unë jam krejt dakord me atë që ai tha: risitë e të ardhmes duhet t'i ndërtojmë mbi themelet e asaj që ne kemi bërë deri më sot”, thotë Shehu.

I cili s’ka munguar të përshëndesë mikun e tij Berishën, për sa ai ka bërë në të gjitha këto vite, që nga 1990, për PD, për këtë vend. “Kam pasur mundësi të bashkëpunoj ngushtë me të, shumë gjatë, nga shumë pozicione, jam në gjendje ta bëj sot pa ekuivoke këtë vlerësim. Sidoqoftë unë për një gjë jam i sigurtë, me Berishën ne kemi akoma dhe shumë sfida e fitore për të ndarë së bashku”, tha ish-kreu i PD Shehu.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)