TIRANE - Ish-kryetari i PD dhe anëtar i Këshillit Kombëtar Tritan Shehu është shprehur se zgjedhjet brenda kësaj partie për kryetarin e saj janë një risi e vërtetë, dhe se pas 22 korrikut duhet të përfshihen gjithë kapacitetet e PD. “Ështe një risi e vërtetë demokratike jo vetëm në PD por dhe në politikën shqiptare. Pa dyshim një demostrim tjetër i forcës morale dhe politike të PD.

PD po bën përsëri histori në Shqipëri. Sidoqoftë PD ka nevojë për të gjithë kapacitet e saj. Betejat e ardhshme politike kanë nevojë për të gjithë. Kështu do jetë dhe e nesërmja e datës 22 korrik. Realisht puna më e vështirë politike fillon ditën mbas zgjedhjes së kryetarit të ri”, ka deklaruar Shehu për gazetën.

Sipas tij dhe humbja duhet lexuar për forcimin e partisë. “PD duhet të shfrytëzojë të gjithë trashëgiminë e saj të fuqishme duke e kombinuar me vizione të reja. Zgjedhjet e datës 23 qershor duhen parë pikërisht në funksion të forcimit të PD. Ky proces është i tillë pavarësisht kush do fitojë”, tha Shehu. Duke nënvizuar faktin se demokratët do të dinë se si të ringrihen.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)