TIRANE- Në një kohë kur ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kërkon mbylljen e numrave celularë që skanë pronarë konkretë, një shpërthim tjetër me tritol është rregjistruar në qytetin e Shkodrës. Këtë herë në vëmëndjen e autorëve të krimit ka qënë shtetasi Bledar Canko, 34-vjeçari që meret me tregtimin e makinave. Polica e Shkodrës ka ngritur dyshime të forta se autorë të këtij krimi janë shtetasit Marsedian Guri 15 vjeç dhe Shkëlzen Zvenja 22 vjeç, të dy nga zona e Shkodrës.

Për këtë ngjarje që prej mbrëmjes së djeshme është arrestuar 15-vjeçari Guri, ndërkohë u shpall në kërkim policor bashkëpuntori i tij Shkëlzen Zvenja. Burime pranë grupit hetimor thanë se dy personat kohët e fundit kanë pasur konflikte me shtetasin Bledar Canko, por nuk  dihet shkaqet dhe motivet e këtyre konflikteve. Sipas policisë së Shkodrës, hetimi është në fazën fillestare dhe s’mund të japin detaje lidhur me shkaqet që çuan në vendosjen e sasisë së tritolit në derën e shtëpisë së tregtarit të makinave Bledar Canko.

Ngjarja në mesnatë
Ngjarja e rëndë është rregjistruar në rreth orës 1.30 pas mesnate. Shpërthimi tronditi lagjen “Salo Halili”, në qendër të qytetit të Shkodrës, eksplozivi ishte vendosur në derën e jashtme të apartamentit të biznesmenit 34–vjeçar, Bledar Canka, në katin e pestë të këtij pallati. Në momentin e shpërthimit, në shtëpi kanë qenë të pranishëm të 8 anëtarët e familjes Canka, mes tyre edhe tre fëmijë.

 Fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk është dëmtuar dhe shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Banorët e pallatit janë zgjuar të tmerruar dhe kanë njoftuar policinë lidhur me shpërthimin e fuqishëm. Personi i parë i pyetur mbi ngjarjen ka qenë vetë biznesmeni, i cili ka deklaruar se nuk ka patuar konflikte. Vetëm pak orë pas ngjarjes policia ka shoqëruar në Komisariat disa persona, të cilëve pas kontrolleve në banesa u janë gjetur edhe armë zjarri.

Hetimet policore
Një grup i posaçëm hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në dosje deri më tani figurojnë vetëm disa dëshmi dhe pak prova material të gjetur në vendin e ngjarjes, por asnjë gjurmë e personave që kanë kryer atentatin. Hetimi është përqëndruar vetëm tek dëshmia e biznesmenit Canko, i cili siç duket ka treguar dhe disa emra individësh, të të cilët ka pasur probleme kohët e fundit. Nisur nga kjo situatë, policia e Shkodrës ka vendosur të arrestojë shtetasin Marsedian Guri, dhe të shpallë në kërkim shokun e tij Shkëlzen Zvenja. Atentatet me eksploziv kanë vënë në alarm policinë e shtetit. Në katër muaj janë regjistruar 23 të tillë.


Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)