Këta janë Mao Ce Dun, Marksi dhe Lenini, 3 komunistë të historisë botërore, teksa shikojnë triumfin e një presidentëve më të djathtë amerikanë, Donald Trump.
Ky është një prej 55 punimeve grafike të artistit Avni Delvina, të ekspozuara në kryeqytetin pikërisht në momentin kur në Uashington DC merrte detyrën Presidenti i 47-të të SHBA-ve.
“Në këtë që shohim Donald Trump thotë: ju të tre, pavarësisht se i kam interpretuar si femra dhe mund të shkoni dhe më lart. Një kryevepër e një skulptori italian është kjo punë. Ideja është që ju rrini në muze, se kur dilni jashtë bëni dëme.”,- shpjegon Delvina.
Të gjitha punimet janë të frymëzuara nga ajo çfarë përfaqëson Donald Trump, ndërsa nuk mungojnë edhe simbole të historike amerikane, historisë së vjetër dhe të re, si Mali Rushmore, Statuja e Lirisë, Ronald Regan apo edhe figura si Elon Musk apo Robert Kennedy Jr.
“Rastësisht Triumfi dhe Trump shfaqeshin shpesh në gazetat e mëdha amerikane dhe rastësisht djali im kapi elementin TR me të kuqe dhe blu dhe bëri lojën Triumf dhe Trump, i vuri të dyja. Kjo është gjetje shqiptare dhe i shkon shumë për shtat.”, - vijon artisti.
Një tjetër punim tregon liderët evropianë të buzëqeshur në një varkë shpëtimi si emigrantë të paligjshëm, të veshur me xhaketë shpëtimi portokalli, ndërsa Trump i veshur me smoking luan në violinë.
Delvina, një mbështetës i fortë i Donald Trump përdor artin e tij për të eksploruar ndikimin e presidentit të SHBA-së në politikën globale dhe ndryshimet kulturore të epokës sonë. Ai vëren se me këtë ekspozitë kërkon të ngacmojë, pse jo edhe për të ngjallur atë qe e quan ndërgjegje kolektive.
"Kjo erdhi për shkak të një kundërshtimi kolosal të së majtës botërore ndaj Donald Trump. Në njëfarë mënyre unë nuk kisha ndonjë njohje, njohuri, simpati direkte. Thjesht një burrë simpatik, shoumen, manjat etj. Por në momentin kur pashë një rreshtim kolosal të mediave, një uinifikim të llahtarshëm, që më kujtonte kohën e diktaturës komuniste, atëherë, menjëherë thashë me vete: këtu ka diçka dhe u rreshtova në krahun tjetër. Filloi me disa grafika në fillim. Fitorja e tij qe e mahnitshme dhe pastaj fillova të besoj te ai. Shpesh herë thonë: piktori i Donald Trump. Jo. Unë jam dhe piktori jot dhe piktori i këtyre zotërinjve. Aty jam unë, jemi të gjithë ne që gjejmë një frymë lirie. Po ta shikosh, në njëfarë mënyre ka gëzim të madh në gjithë botën. Diçka e madhe pritet, ndryshime të mëdha priten.”, - shprehet Delvina.
Ai tregon se vuan shumë me gjithë udhëheqësit e tjerë, të cilët i përdor si personazhe në punët e tij, por fizionomia e Trump i shkon shumë për shtat.
“Kudo që ta vesh ai rri mirë, qoftë në butësi apo ashpërsi.”, - nënvizon artisti.
Përveç mesazheve përmes figurës së Donald Trump, i cili premton se do ta bëjë Amerikën madhështore sërish, në “Triumf” nuk mungon as ironia e artistit, as kundërshtarët politikë të Trump.
“Unë e fillova me vizatimet e mia pasi jam një vizatues shumë i mirë. Pastaj vetvetiu, një piktor italian, më tha: nuk mjafton piktura, ty të duhen mjete të tjera shprehëse. Ti do të thuash shumë gjëra, që piktura nuk arrin dot t’i thotë. Vetvetiu fillova me photoshop-in dhe janë gjëra që nuk i programon dot.”, - tregon Delvina.
Kjo ekspozitë, e cila do të jetë e hapur deri më 26 janar pranë Piramidës në Tiranë me gjasë mund të jetë një ndër të fundit e këtij lloji e piktorit Delvina. Artisti pohoi se puna me personazhet është shumë e vështirë dhe ka tension.
“Po mendohem ta lë. Kam ndërmend që të merrem më shumë me peizazhin, me grafikën, me familjen që në njëfarë mënyre ka sakrifikuar dhe të merrem me dy mbesat e mia të mrekullueshme.”