Është ndërprerë për shkak të kushteve të vështira të motit dhe errësirës, operacioni i kërkim–shpëtimit në Tropjë për gjetjen e një 26-vjeçari, i cili rezulton i humbur prej 3 ditësh. Ekipet e policisë dhe të emergjencave civile zhvilluan kërkimet në zonën malore mes fshatrave Mulliq dhe Kamenicë.
Sipas Prefekturës së Kukësit, zonat e kontrollit janë mbuluar në mënyrë të koordinuar, nga Qafa e Morinës, Kamenica, Koshare, Padesh, e deri tek fshati Kasaj,në të gjithë territorin shqiptar ku dyshohej për praninë e të humburit.
Sipas Prefekturës Kukës, strukturat e Bashkisë Tropojë, në bashkëpunim me Policinë e Kufirit dhe Shërbimin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, kanë zhvilluar kontrolle edhe në disa fshatra në territorin e Kosovës. Aty janë shpërndarë njoftime dhe fotografi të 26-vjeçarit, në shkolla, banesa dhe pika të ndryshme, me qëllim që çdo person që mund të ketë informacion të njoftojë menjëherë autoritetet.
Nga Prefektura Kukes, bëjnë me dije se operacioni ka vijuar gjatë gjithë ditës me intensitet të lartë dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet të gjitha strukturave përkatëse. Ndërkohë, nga Policia e Kosovës janë planifikuar disa verifikime në anën e tyre të kufirit, pas disa sinjalizimeve jozyrtare se 26-vjeçari mund të jetë parë në një qytet afër zonës ku është raportuar humbja.
Operacioni do të rifillojë në orët e hershme të mëngjesit të nesërm. Në kërkimet e sotme kanë qenë të angazhuar: 25 forca komando, 28 trupa të ushtrisë, 10 forca të Policisë së Kufirit, 10 punonjës të shërbimit zjarrfikës, rreth 100 punonjës të Bashkisë Tropojë si dhe rreth 20 banorë të zonës.
I riu ndodhej me nënën e tij duke mbledhur gështenja në vendin e quajtur Kamenicë, kur është zhdukur papritur më datë 20 tetor. Kërkimet janë vështirësuar edhe nga fakti se 26-vjeçari nuk ka pasur me vete telefon dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai po ruante thasët e mbushur me gështenja përpara se të largohej në mënyrë të papritur.
Për shkak të afërsisë me kufirin, kërkimet u shtrinë edhe në territorin e Kosovës, pasi dyshohet se i riu mund të ketë kaluar në anën tjetër të kufirit. Në terren u angazhuan ekipe tokësore dhe ajrore, ndërsa dronët e Shërbimit të Kërkim–Shpëtimit Malor të Kosovës monitoruan disa zona.
Komente









