Trukimet, lojtarët e Teutës njihen
me akuzat, nuk i  pranojnë

Trukimet, lojtarët e Teutës njihen<br />me akuzat, nuk i  pranojnë
Katër ish-lojtarë të Teutës së Durrësit dhe ish-trajneri i saj në periudhën vjetore të 2016, do të gjykohen në mungesë në gjykatën e Salzburg, Austri, për akuzën e “Mashtrimit të rëndë”. Lojtarët dhe trajneri gjatë vitit 2016 dyshohet se janë përfshirë në një skandal trukimesh në Austri, dhe pikërisht në ndeshjen miqësore Austria Wien-Teuta.

Pak ditë më parë prokuroria e Tiranës, ka plotësuar letërporosinë e dërguar nga autoritet e drejtësisë Austriake, duke i komunikuar akuzat katër ish-lojtarëve dhe ish-trajnerit, akuza këto që janë ngritur në mungesë të tyre nga prokuroria Austriake. Një burim pranë prokurorisë së kryeqytetit i tha gazetës “Shqiptarja.com” se Shpëtim Moçka, Bledjan Rizvani, Rustem Hoxha, Erand Hoxha dhe Juljan Ahmataj, kanë marrë dijeni për akuzat e ngritura dhe për procesin hetimor që ka filluar kundër tyre në Salzburg, Austri.

“Ne kemi bërë vetëm njoftimin e tyre, për atë që na kishin sjellë me letërporosi Austriakët. Sigurisht që i kemi pyetur nëse kishin për të thënë diçka, por asnjëri prej tyre s’ka pranuar të dëshmojë për këtë çështje, duke mos pranuar akuzën. Njoftuam akuzat duke i vënë në dijeni se në Austri ishin marrë të pandehur dhe çështja po gjykohej në mungesë të tyre.

Sipas ligjit i njoftuam se kishin të drejtë që të autorizonin një avokat në Austri për të ndjekur gjykimin aty”-thanë burimet pranë prokurorisë. Pas këtyre procedurave, prokuroria e Tiranës ka dërguar dokumentacionin e palës Shqiptare në Austri, duke i vënë në dijeni autoritet e këtij vendi se katër ish-sportistët e Teutës dhe ish-trajneri i këtij ekipi kanë marrë dijeni për akuzat e ngritura dhe për procesin penal që është hapur kundër tyre.

Ndeshja miqësore e kthyer në dosje penale
Katër ish-lojtarët e Teutës dhe ish-trajneri i saj dyshohen nga drejtësia austriake se janë të implikuar dhe kanë dijeni për trukimin e rezultatit të ndeshjes miqësore Austria Wien-Teuta.

Kjo ndeshje është luajtur në 21 qershor 2016 në Seeboden të Austrisë dhe që ka përfunduar 7-2 për austriakët dhe autoritetet e këtij vendi janë të bindur se ka qenë ndeshje e manipuluar nga ana e ekipit shqiptar për përftime në bastet sportive.

Për këtë arsye prokuroria austriake në prill 2017 ka kërkuar nga ana e homologëve shqiptarë që të pyeten dhe të njoftohen si të pandehur Shpëtim Moçka, Bledjan Rizvani, Rustem Hoxha, Erand Hoxha dhe Juljan Ahmataj, pra katër ish-lojtarë dhe ish-trajneri i Teutës. Moçka dhe Rizvani janë dy portierët që u aktivizuan në atë ndeshje, Rustem dhe Erand Hoxha dy mbrojtës, ndërsa Ahmataj ka qenë trajneri i Teutës në atë ndeshje.

Këta shtetas shqiptarë akuzohen nga drejtësia austriake për veprën penale të “Mashtrim i rëndë”. Prokurorët austriakë kanë depozituar edhe provat e tyre për akuzën ndaj lojtarëve shqiptarë, ku një mesazh që i është kapur një lojtari të Teutës në celular është edhe prova më e rëndë. Gjykata e Tiranës i ka dhënë autorizimin e saj Prokurorisë së Tiranës për të proceduar sipas kësaj letër-porosie të austriakëve.

Si u trukua ndeshja
Sipas rezultateve të hetimeve të deritanishme, të akuzuarit Shpëtim Moçka, Bledjan Rizvani, Rustem Hoxha, Erand Hoxha dhe Juljan Ahmataj jane të dyshuar, që më dt. 21 qershor 2016 në Seeboden nepërmjet sjelljes në kundërshtim me të verteten, që po luanin me gjithë fuqinë, sipas rregullores dhe konform rregullave, ndërkohë që ata në fakt dhe mundësisht pa rënë në sy ndikuan në rezultatin e lojës, i cili ishte dakortësuar me përpara konkretisht, pra nëpërmjet mashtrimit për faktet i kanë çuar ofertuesit të basteve në kryerjen e veprimeve, konkretisht në pranimin e basteve me bashkëpunetor të panjohur dhe në pagesat tek keta bashkëpunetor të fitimeve të basteve të arritura në mënyre mashtruese, nepermjet të cilave ofruesit perkates të basteve janë dëmtuar në pasurinë e tyre me një shume deri tani ende të panjohur, të paktën mbi 5.000.00 Euro (dy shifrat pas pikës janë për centët, sqarim i redaksisë). 

U “çmenden” bastet për 20 minuta
Nga analiza e tregut të basteve, bërë nga firma Sportradar, rezulton që në 20 minutat e fundit të ndeshjes së futbollit midis KS Teuta dhe FK Austria Vien, me dt.21.06.2016, koeficientet e bastit-në kundërshtim me përvojen e pergjithshme në tregun e basteve në menyre shume të pazakonte ndryshuan në disfavor të KS Teuta.

Keshtu që në menyre jo të zakontë shume bastexhinj sportiv, kur rezultati i ndeshjes ishte 5:2 për FK Austria Vien, vendosen baste që gjithesej bëhen të paktën nëntë gola. Perveç kësaj u vu re, që mbrojtësit e KS Teuta në veçanti në 20 minutat e fundit të ndeshjes janë sjellë shume pasivë.

Mohimi dhe “arratisja”
Pasi lojtarët e stafi i ekipit të Teutës janë marrë në pyetje nga policia austriake ata nuk kanë qëndruar për t’u sqaruar situate por janë larguar menjëherë. “Gjatë marrjes në pyetje nga policia të pandehurit mohuan çdo veprim penal. Meqënëse ata u kthyen në Shqipëri përpara vleresimit të telefonave mobil, ata nuk mund të konfrontoheshin me materialin e proves, i cili i rëndon shumë ata”, thuhet në letër-porosinë e dërguar nga Prokuroria austriake.
 
Austria Wien-Teuta 7-2
Teuta e Durrësit është nën hetim nga organet e drejtësisë të Austrisë për trukim të rezultatin të ndeshjes miqësore të futbollit Austria Ëien-Teuta, e luajtur më 21.06.2016 në Seeboden të Austrisë dhe që ka përfunduar 7-2 për austriakët.
 
Kuotat e basteve
“Në kundërshtim me përvojen e pergjithshme në tregun e basteve në menyre shume të pazakonte ndryshuan në disfavor të KS Teuta”.
 
9 gola
“Në menyrë jo të zakontë shume bastexhinj sportiv, kur rezultati i ndeshjes ishte 5:2 për FK Austria Vien, vendosen baste që gjithesej behen të paktën nëntë gola”.
 
Personat e pandehur
1.Shpetim Moçka Portier
2.Bledjan Rizvani Portier
3.Rustem Hoxha Mbrojtës
4.Erand Hoxha Mbrojtës
5.Juljan Ahmetaj Trainjer
 
Minutat që u shënuan golat
FT Austria – Teuta 7 - 2
81' 7 - 2
73' 6 - 2
62' 5 - 2
58' 4 - 2
47' 4 - 1
HT 4 - 0
44' 4 - 0
41' 3 - 0
34' 2 - 0
31' 1 – 0

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS