Miqësore, deri në një farë pike. Telefonata mes Donald Trump dhe Vladimir Putin ka zgjatur një orë e gjysmë dhe, sipas raportit që jep këshilltari i presidentit rus Yuri Ushakov, ka qenë “e hapur, miqësore dhe konkrete”, dhe pothuajse e gjitha e përqendruar në Iran. Putin është futur në rolin e ndërmjetësit dhe ka sjellë një zgjidhje të mundshme për 440 kilogramët e uraniumit të pasuruar që ndodhen ende në duart e pasdaranëve, një nga pikat kyçe për amerikanët. Megjithatë, dy elemente bëjnë të mendohet se biseda mes dy presidentëve ka qenë edhe diçka tjetër, diçka që përkufizimi i butë "i hapur dhe miqësor" nuk e kap me qëllim.
Trump flet për “pasoja jashtëzakonisht të rënda për Iranin, vendet fqinje dhe për gjithë komunitetin ndërkombëtar” në rast se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vendosin sërish të përdorin forcën në Lindjen e Mesme. “Ai e konsideron një operacion të mundshëm tokësor në Iran krejtësisht të papranueshëm dhe të rrezikshëm”, thotë Ushakov. Fjalë që përmbajnë një kërcënim, madje jo shumë të fshehur.
Pas telefonatës, gjithashtu, Trump, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me ekuipazhin e Artemis II, e ka ndryshuar rendin e ditës së bisedës, duke thënë se ajo është fokusuar “kryesisht në Ukrainë dhe vetëm pak në Iran”. Ai ka konfirmuar se Putin është ofruar të ndihmojë për zgjidhjen e konfliktit me Republikën Islamike, por para gazetarëve ka sqaruar se i është përgjigjur kështu: “Para se të më ndihmosh ti, dua të mbaroj luftën tënde”. Pra atë në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e pestë, për të cilën Trump është i bindur se fundi është afër dhe se Putin mund të jetë gati për marrëveshje. “Prej kohësh në të vërtetë, por dikush ia ka vështirësuar”.
Telefonata e fundit mes tyre daton më 9 mars të këtij viti, nëntë ditë pas fillimit të fushatës ushtarake kundër Iranit. “Presidenti mendon se vendimi i Trump për të zgjatur armëpushimin është i duhuri, për t’i dhënë mundësi negociatave dhe për të stabilizuar situatën”, shpjegon këshilltari i Putin. Dy liderët kanë folur në detaje edhe për uraniumin e pasuruar në 60 për qind, një nga objektivat kryesorë të komandave ushtarake amerikane. Sipas asaj që ka deklaruar Ushakov për agjencinë Tass, “Putin ka propozuar ide për programin bërthamor iranian”.
Nuk është e qartë për çfarë bëhet fjalë dhe nëse Rusia ka ofruar të marrë uraniumin në dorë dhe ta ruajë. Ditët e fundit, Moska – pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Teheranit, Abbas Araghchi – ishte shprehur e gatshme të transferonte jashtë kufijve iranianë stokun e materialit radioaktiv, të pasuruar në një nivel jo larg atij të nevojshëm për ndërtimin e bombës atomike. Megjithatë, nga komentet e Trump, me atë “së pari diskutojmë Ukrainën”, Shtëpia e Bardhë duket, nëse jo e bezdisur, të paktën e kujdesshme ndaj aktivizmit diplomatik rus në Lindjen e Mesme.
“Jam i sigurt se do të gjejmë një zgjidhje”, thotë Trump, por duke folur për Ukrainën. Putin dëshiron të shpallë një armëpushim më 9 maj gjatë festimeve për fitoren në Luftën e Dytë Botërore kundër Gjermanisë naziste. Trump e merr meritat si ide të tijën. “Ia kam sugjeruar unë”. Edhe vitin e kaluar Putin kishte propozuar tre ditë armëpushim për festimet, por Kievi e kishte refuzuar. “Presidenti amerikan beson se armëpushimi është afër. Si ai, ashtu edhe Putin kanë shprehur vlerësime për sjelljen e regjimit të Kievit të udhëhequr nga Zelensky, i cili, i nxitur nga evropianët dhe me mbështetjen e tyre, po ndjek një linjë për të zgjatur konfliktin”, deklaron në fund Ushakov, duke rikthyer narrativën e njohur të Kremlinit. E cila me siguri është ripërsëritur nga presidenti i Federatës edhe ndaj Trump./ La Repubblica

Presidenti rus Vladimir Putin foli në telefon me homologun e tij amerikan Donald Trump dhe tha se ishte gati të shpallte një armëpushim rreth Ditës së Fitores, 9 maj, raportoi TASS.
Telefonata zgjati rreth një orë e gjysmë. "Ata diskutuan një armëpushim në Lindjen e Mesme", tha Kremlini. Presidenti i SHBA-së Donald Trump beson se një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë është afër, tha këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov.
"Donald Trump beson se një marrëveshje që do t'i jepte fund konfliktit në Ukrainë është tani e afërt", u tha Ushakov gazetarëve.
Komente










