Një javë më parë pata ndjesinë e qartë se ishte si “Groundhog Day”, ose siç e quajnë rusët, “Dyen Surka”. Në mes të kërcënimeve amerikane për t’i bërë presion Moskës — duke i premtuar Ukrainës raketa Tomahawk — Vladimir Putin dhe presidenti Donald Trump zhvilluan një telefonatë. Rezultati: u njoftua për një samit SHBA–Rusi në Budapest.
Në gushtin e kaluar, mes kërcënimeve për sanksione shtesë amerikane ndaj Rusisë, Putini u takua me të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff. Rezultati: u njoftua për një samit SHBA–Rusi në Alaskë. Por duket se “Groundhog Day” ka marrë fund.
Takimi në Alaskë u zhvillua me përgatitje minimale dhe me pak rezultate. Ndërsa samiti në Budapest është anuluar. Madje mezi pati kohë të shpallej. Tani presidenti Trump e ka anuluar.
“Nuk ndjeva se do të arrinim aty ku duhet të arrijmë,” – u tha gazetarëve presidenti amerikan.
Dhe kjo nuk është e gjitha.
Më parë, Trump nuk i kishte përdorur kërcënimet për më shumë presion ndaj Rusisë, duke preferuar “kulaçin” ndaj “kërbaçit” në marrëdhëniet me Kremlinin.
Aktualisht ai e ka hequr kulaçin nga skena – ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive të mëdha ruse të naftës, Rosneft dhe Lukoil.
Kjo gjë vështirë se do ta detyrojë Putinin të bëjë një kthesë në luftë, por është një shenjë e zhgënjimit të Trumpit ndaj mungesës së vullnetit të Kremlinit për kompromis apo lëshime për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.
Reagimi rus
Presidenti Putin e quajti paketën e re të sanksioneve amerikane “një akt jo-miqësor” dhe “një përpjekje për t’i bërë presion Rusisë”.
“Asnjë vend dhe asnjë popull që respekton veten nuk vendos asgjë nën presion,” – tha ai.
Ish-presidenti Dmitry Medvedev ishte më pak diplomatik: “SHBA është armiku ynë, dhe ‘paqebërësi’ i tyre llafazan ka hyrë plotësisht në rrugën e luftës me Rusinë,” – shkroi ai në rrjetet sociale. “Vendimet që janë marrë janë një akt lufte kundër Rusisë.”
Gazeta bulevardeske Moskovsky Komsomolets e përshkroi situatën me më pak dramë, por po aq negativisht, duke kritikuar “kapriçozitetin dhe paqëndrueshmërinë e partnerit tonë kryesor në negociata”.
Çfarë ka ndryshuar?
Ndryshe nga hera e parë, kur Trump nxitoi drejt samitit të parë, këtë herë tregoi më shumë kujdes.
Ai i kërkoi Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të përgatiste terrenin për samitin, përmes një takimi me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, për t’u siguruar se kishte arsye për të udhëtuar në Budapest.
Por shpejt u bë e qartë se nuk kishte, dhe se një samit i ri nuk do të sillte ndonjë përparim.
Rusia është rreptësisht kundër idesë së Trumpit për “ngrirjen” e vijave të frontit në Ukrainë.
Kremlini është i vendosur të marrë nën kontroll, të paktën, të gjithë rajonin lindor të Donbasit, një pjesë e madhe e të cilit tashmë është pushtuar. Por presidenti Volodymyr Zelensky refuzon t’i dorëzojë Rusisë zonat që Ukraina ende kontrollon.
Përfitimet dhe objektivat ruse
Moskës do t’i kishte pëlqyer një samit i dytë me SHBA-në.
I pari, në Alaskë, ishte një fitore diplomatike dhe politike për Kremlinin: pritja me tapet të kuq për Putinin në Anchorage simbolizoi rikthimin e Rusisë në skenën ndërkombëtare dhe dështimin e Perëndimit për ta izoluar.
Mediat shtetërore ruse e kanë shijuar idenë e një takimi në Europë me Trumpin, por pa praninë e Bashkimit Europian. Komentuesit rusë e përshkruan samitin e mundshëm në Budapest si “një shuplakë për Brukselin”. Megjithatë, pakkush besonte se ky takim do të sillte rezultatet që dëshiron Moska.
Disa gazeta ruse madje kanë bërë thirrje që ushtria të vazhdojë luftën: “Nuk ka asnjë arsye që Moska të pranojë armëpushim,” – deklaroi dje Moskovsky Komsomolets.
Kjo nuk do të thotë se Kremlini nuk dëshiron paqe — e dëshiron, por vetëm sipas kushteve të veta, të papranueshme si për Kievin ashtu edhe për Uashingtonin.
“Kushtet” e Rusisë
Këto kushte nuk lidhen vetëm me territorin: Moska kërkon që të adresohen “shkaqet rrënjësore” të luftës — një frazë që përdor për të përfshirë ndalimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes. Gjithashtu besohet gjerësisht se Rusia synon ende ta rikthejë Ukrainën nën ndikimin e saj.
Çfarë pritet nga Trump?
A është gati Donald Trump të shtojë edhe më shumë presion ndaj Rusisë? Ndoshta po. Por po aq e mundshme është që një mëngjes të zgjohemi dhe të gjendemi sërish në “Groundhog Day”.
“Në lojën e tërheqjes së litarit mes Trumpit dhe Putinit, Rusia po udhëheq sërish,” shkroi Moskovsky Komsomolets pas njoftimit të samitit të Budapestit, duke vazhduar më tej “Në javët para takimit, Trump do të tërhiqet në drejtimin e kundërt nga telefonatat dhe vizitat evropiane. Pastaj Putini do ta tërheqë sërish në anën tonë.”/BBC
Komente










