“Ëmbëlsirë apo shaka.”

Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania, dolën nga Shtëpia e Bardhë nën tingujt e këngës Thriller të Michael Jackson, për të marrë pjesë në një aktivitet për Halloween, ku morën pjesë edhe familjet e zyrtarëve të administratës, përfshirë zëdhënësen Karoline Leavitt me bashkëshortin dhe djalin e tyre, si edhe këshilltarin Stephen Miller.

Presidenti Donald Trump priti qindra të ftuar të veshur me kostume, nga superheronj tek dinozaurët, madje edhe disa fëmijë të veshur si çifti presidencial , në festën e Halloween-it të së enjtes mbrëma në Shtëpinë e Bardhë.

Ai dhe Zonja e Parë Melania Trump dolën në South Lawn (lëndinën jugore) në mbrëmje. Asnjëri prej tyre nuk ishte veshur me kostum. Trump mbante një kostum blu me kravatë të kuqe dhe një kapele të kuqe me mbishkrimin “USA”, ndërsa Melania kishte veshur një pallto kafe mbi një fustan portokalli.

Çifti shpërndau çokollata Hershey dhe Twizzlers, të paketuara në kuti me vulën presidenciale, për një radhë fëmijësh dhe prindërish që shtrihej përgjatë rrugicës. Mure të përkohshme pengonin pamjen e punimeve për ndërtimin e sallës së re të ballove të Trump në Shtëpinë e Bardhë, që kishte çuar në shembjen e Krahut Lindor, megjithatë një buldozer i parkuar shihej ende në anën tjetër.

“Është një radhë e gjatë,” tha Trump. “Pothuajse aq e madhe sa salla e ballove.”

Tradita e Shtëpisë së Bardhë u mbajt megjithëse Trump ishte kthyer vetëm disa orë më parë nga një udhëtim gjashtëditor në Azi që përfshinte Malajzinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut, dhe në një kohë kur mbyllja e qeverisë kishte hyrë në ditën e saj të 30-të.