"Unë me të vërtetë shpresoj që Amerika mund të ndihmojë Izraelin dhe palestinezët të ndërtojnë paqen dhe të sjellin shpresë të re për rajonin dhe banorët e tij", tha presidenti Trump, pas një takimi në Bethlehem me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.
Ai tha së beson fuqishëm që "nëse izraelitët dhe palestinezët mund të ndërtojnë paqen, atëherë ajo do të shënonte fillimin e një procesi të paqes gjithandej Lindjes së Mesme dhe kjo do të ishte një e arritur e mrekullueshme".
Duke folur përkrah presidentit Trump, udhëheqësi palestinez, Abbas, tha se problemi thelbësor për palestinezët është okupimi izraelit dhe ndërtimi i vendbanimeve si dhe dështimi i Izraelit për të njohur Palestinën.
“Problemi nuk është judaizmi, por pushtimi", tha ai.
Mahmoud Abbas ritheksoi gatishmërinë për të pranuar një zgjidhje për dy shtete në kufijtë e vitit 1967.
Presidenti amerikan arriti në Izrael pas një vizite dyditëshe në Arabinë Saudite, ku Trump tha se ishte siguruar nga Mbreti Salman se Riadi dëshiron paqe midis Izraelit dhe Palestinës.
Gjatë një paraqitjeje publike të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tërhoqi vërejtjen se "nuk do të jetë e thjeshtë", por u shpreh me optimizëm të kujdesshëm se “për herë të parë në shumë vjet dhe për herë të parë në jetën time, shoh shpresë të vërtetë për ndryshime".
Statusi i Jerusalemit, që të dyja palët si izraelitet edhe palestinezët e cilësojnë si kryeqytetin e tyre, është çështja më e vështirë për t'u zgjidhur.
Autoriteti palestinez kontrollon Bregun Perëndimorë dhe është i vendosur në Ramallah. Grupi militant Hamas, kontrollon Rripin e Gazës.
Hamas thotë se presidenti Trump, i cili e quan atë si organizatë terroriste, dëshmon se presidenti amerikan nuk mund të jetë ndërmjetësues i drejtë i paqes.
Ndalesa e radhës e presidentit Trump, është Roma, ku ai pritet të arrij të martën në mbrëmje.
Të mërkurën presidenti pritet të takojë Papa Françeskun, duke përmbyllur vizitat në tri vendet e shenjta të besimeve Abrahamike.
Para se të largohet nga Italia ai do të takojë edhe presidentin dhe kryeministrin italian para se të fluturojë të enjten për në Bruksel.
Në Belgjikë, udhëheqësi amerikan do të flasë në Shtabin e ri të NATO-s, në mes shqetësimeve të anëtarëve të aleancës për përkushtimin e presidentit Trump ndaj organizatës.
Të premten dhe të shtunën, presidenti Trump do të udhëtojë në Sicili për të marrë pjesë ne takimin e G-7-ës.ZA
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com