Presidenti amerikan Donald Trump ka "diskutuar aktivisht" blerjen e  Groenlandës nga Danimarka, tha të mërkurën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Që nga fillimi i mandatit të dytë në janar të vitit të kaluar, Trumpi ka deklaruar përsëritur se SHBA duhet të kontrollojnë territorin e pasur me burime të Arktikut, i cili është pjesë e Danimarkës, për arsye sigurie kombëtare.

Si anëtare e NATO-s, Danimarka është aleate e Shteteve të Bashkuara.

Këmbëngulja e Trumpit se Uashingtoni do ta marrë Groenlandën "me një mënyrë apo një tjetër" ka alarmuar aleatët amerikanë në Evropë, veçanërisht pas sulmit amerikan në Venezuelë.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha këtë javë se një sulm amerikan ndaj një vendi tjetër të NATO-s do të significonte fundin e aleancës dhe, "prandaj, të sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore."

Planet e Trump-it për Groenlandën

Në një konferencë shtypi, Leavitt-i tha se blerja e Groenlandës po "diskutohej aktivisht" nga Trumpi dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare, si përgjigje ndaj një pyetjeje për një ofertë të mundshme për të blerë territorin nga Danimarka.

"Ekipi i tij aktualisht po diskuton se ç'pamje do të kishte një blerje e mundshme," shtoi Leavitt.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ripërsëriti se Trump beson se blerja është "në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara për të penguar agresionin rus dhe kinez në rajonin e Arktikut."

Leavitti tha se megjithëse "zgjedhja e parë e Trump-it ka qenë gjithmonë diplomacia," presidenti amerikan nuk përjashton përdorimin e forcës ushtarake kundër Danimarkës.

"Presidenti Trump gjithmonë i ka të gjitha opsionet në tavolinë," tha ajo.

Sekretari i Shtetit të SHBA, Marco Rubio, tha të mërkurën se planifikon të takohet me zyrtarë danezë javën e ardhshme, pasi Kopenhageni kërkoi bisedime për të trajtuar kërcënimet e Trump-it për të marrë nën kontroll Groenlandën. Rubio nuk specifikoi se kur apo ku do të mbahej takimi./DW