Presidenti amerikan, Donald Trump ka paraqitur kërkesat e tij për Iranin, ndërsa merr vendimin përfundimtar për një marrëveshje në “Dhomën e Situatave”. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump përsëriti thirrjen e tij që Irani të bjerë dakord se nuk do të ketë kurrë një armë apo bombë bërthamore. Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet menjëherë me transport të pakufizuar detar, pa taksa dhe që Irani të pastrojë të gjitha minat.
Ndërkohë mediat në SHBA raportojnë se një marrëveshje kornizë është dakordësuar mes SHBA dhe Iranit dhe mund të shpallet të dielën. Megjithatë palët nuk po nxitojnë ta pranojnë. Donald Trump foli në Fox News në një intervistë që do të transmetohet këtë fundjavë se do të pranojë vetëm një marrëveshje në të mirë të SHBA-së.
Iranianët janë negociatorë shumë të mirë, por ushtria e Teheranit është “e shkatërruar” dhe kjo u jep SHBA-ve avantazh për të marrë kushtet që preferojnë, mbi të gjitha një Iran të çarmatosur nga pikëpamja bërthamore. Çdo marrëveshje me Iranin do të varet nga arritja e një “marrëveshjeje të mirë” për SHBA-në. Një marrëveshje që nuk do të ishte në favorin tonë është vija e kuqe që do të na shtynte të rifillonim armiqësitë”, tha Trump.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance shtoi më shumë pritjen kur u tha gazetarëve se nuk dihet se kur Trump mund ta firmosë draft marrëveshje me Iranin apo nëse do të bëjë një gjë të tillë.
Por megjithë pikëpyetjet, Vance foli për optimizëm sa u takon negociatave.
Sipas hipotezave që po qarkullojnë, marrëveshja do ta zgjaste armëpushimin edhe për 60 ditë të tjera dhe do të lejonte tranzitin e mallrave përmes Ngushticës së Hormuzit, duke hapur negociata mbi çështjet më të ndjeshme si programi bërthamor iranian. Nëse miratohet, kjo do të përfaqësonte hapin më të rëndësishëm drejt paqes që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian, Ebrahim Azizi, deklaroi se Teherani nuk ka ndërmend të transferojë jashtë vendit rezervat e tij të uraniumit të pasuruar.
Kështu raportoi agjencia Mizan, duke sqaruar pozicionin iranian mbi një nga nyjet kryesore të negociatave me SHBA-në. Azizi tha se Irani “nuk ka ndërmend ta transferojë uraniumin e tij të pasuruar në një vend të tretë”, duke riafirmuar qëndrimin e Teheranit mbi menaxhimin e materialit bërthamor. Çështja lidhet veçanërisht me rreth gjysmë ton uranium të pasuruar në 60%, temë ende e pazgjidhur në bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Foto: Abbas Araghchi
Në një bisedë telefonike, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i tha homologut të tij omanian, Badr Albusaidi, se marrëveshja përfundimtare me SHBA-në varet nga ndërprerja e kërkesave "të tepërta" dhe qëndrimeve "të ndryshueshme dhe kontradiktore" të Uashingtonit në negociata.
Araghchi deklaroi gjithashtu se Teherani mbetet "serioz dhe i vendosur" në ndjekjen e asaj që ai e quan "të drejtat dhe interesat e tij legjitime".

Foto: Donald Trump
"Irani duhet të pranojë se nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore apo një bombë. Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet menjëherë, pa pagesë, për trafik detar të pakufizuar në të dyja drejtimet", deklaroi Donald Trump në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Truth.
"Të gjitha minat, nëse ka, do të pastrohen. Irani do të përfundojë heqjen dhe/ose shpërthimin e menjëhershëm të të gjitha minave të mbetura, të cilat nuk do të jenë shumë", shtoi presidenti.

Foto: Anije në Ngushticën e Hormuzit
Mohsen Rezaei, këshilltar ushtarak i Udhëheqësit Suprem të Iranit Mojtaba Khamenei, tha se Teherani do të sulmojë Shtetet e Bashkuara nëse bllokada amerikane vazhdon përtej një periudhe të caktuar kohore në Ngushticën e Hormuzit.
"Uashingtoni po na afrohet në errësirë, ndërsa ne monitorojmë çdo lëvizje të tyre", përfundoi ish-komandanti i Gardës Revolucionare.
Komente









