Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilluan një takim dypalësh në margjinat e samitit në Ankara, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, veçanërisht sistemet Patriot. Trump bëri të ditur se me Zelenskyn do të diskutojnë prodhimin e raketave Patriot dhe kompaninë që i prodhon ato, ndërsa njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t'i japin Ukrainës licencën për prodhimin e tyre.

“Tani do të diskutojmë prodhimin e Patriot me Zelenskyn dhe kompaninë që i prodhon ato. Gjithashtu do t'i licencojmë ato për Kievin”, tha Trump.

Presidenti amerikan komentoi edhe sulmet e Ukrainës ndaj territorit rus, duke i cilësuar ato si një "përshkallëzim", por shtoi se ato "mund të kontribuojnë për t'i dhënë fund luftës". Trump tha se nuk ka afat, por së shpejti mund të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Putini më kërkoi të shkoja në Moskë, por nuk e di. Është e vështirë për shkak të dronëve ukrainas”, tha Trump.

Trump tha gjithashtu se marrëdhënia e tij me Zelenskyn është përmirësuar ndjeshëm pas përplasjes së tyre në Zyrën Ovale vitin e kaluar. Nga ana e tij, Zelensky falënderoi SHBA-në për mbështetjen ushtarake dhe u shpreh se beson se Trump do të bëjë gjithçka që është e mundur për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.


Lajmi kryesor:

Samiti i NATO-s/ 70 mld euro për Ukrainën! Trump: Të zhgënjyer nga Aleanca, Groenlanda e rëndësishme! SHBA ‘ok’ Kievit për prodhimin e raketave ‘Patriot’