Trump i pakorrigjueshëm, riposton
videot kontradiktore

Trump i pakorrigjueshëm, riposton<br />videot kontradiktore<br>
Presidenti amerikan Donald Trump ka ripostuar në orët e fundit në Twitter tre videot provokuese të një grupi britanik të ekstremit të djathtë, të njohur për qëndrimet e tij kundër emigrantëve myslimanë.

Postimi i parë është ai i bërë më herët nga Jayda Fransen, nënkryetare e fraksionit Britania e Para, që tregon një emigrant mysliman duke sulmuar një burrë me paterica. Kjo video është pasuar nga dy të tjera, sërish me njerëz, që sipas zonjës Fransen, janë myslimanë.

Duke iu përgjigjur veprimit të zotit Trump, kryeministrja britanike Theresa May përmes zëdhënësit të saj deklaroi se, “është e gabuar për një president të bëjë gjëra të tilla”.

Fraksioni Britania e Para u themelua në vitin 2011 nga ish-anëtarë të së djathtës ekstreme, Partia Kombëtare Britanike. Grupi ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me postimet e tij kontradiktore mbi atë që ai e quan “Islamifikimi i Mbretërisë së Bashkuar”.

Subjekti ka futur njerëzit e tij për të garuar në zgjedhjet evropiane dhe ka promovuar politikën kundër emigracionit dhe abortit, por pa arritur të sigurojë vende në Parlamentin e kontinentit të vjetër.

Videoja origjinale u shpërnda nga komentatorja konservatore amerikane, Ann Coulter, të cilën shefi i Shtëpisë së Bardhë e ndjek rregullisht.

Nga ana e saj radikalja Jayda Fransen, që ka 52 mijë ndjekës në profilin e saj në Twitter, iu përgjigj me entuziazëm presidentit të Shteteve të Bashkuara që shpërndau postimet e saj. “Vetë Donald Trump ka ripostuar këto video dhe ka rreth 44 milionë ndjekës. Zoti të bekoftë, Trump! Zoti bekoftë Amerikën”, tha ajo. 

G.F. / Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg