Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Kanadaja dëshiron “përfitimet e të qenit shtet, pa qenë i tillë”, pasi bisedimet tregtare mes dy vendeve dështuan, shkruan BBC.
Komentet e tij pasuan ndërprerjen e negociatave, gjë që çoi në vendosjen e tarifave të reja doganore prej 50% mbi një sërë produktesh kanadeze; Trump gjithashtu tha se fermerëve amerikanë u ishin ngarkuar “shuma të mëdha tarifash” për vite me radhë.
Kryeministri kanadez Mark Carney i quajti tarifat e reja doganore një “llogaritje të gabuar”, të krijuara për të na “dëmtuar dhe përçarë”.
Carney tha se do të kundërpërgjigjej ndaj tarifave doganore të Trump me masa të barasvlershme (“dollar për dollar”) duke filluar nga 8 shtatori, përfshirë taksat mbi çelikun, produktet e qumështit, pajisjet shtëpiake dhe ato elektronike.
SHBA-ja dhe Kanadaja tani ndodhen në një “luftë” tregtare, tha ai.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan pak,” tha Carney të shtunën.
“Je në luftë kur të sulmojnë.Ne u sulmuam,” shtoi ai.
Komentet e fundit të Trumpit pasqyrojnë përmendjet e tij të përsëritura për ta bërë Kanadanë “shtetin e 51-të” të Amerikës që kur u rikthye në detyrë, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te liderët dhe qytetarët e saj.
Dështimi i bisedimeve tregtare tronditi një marrëdhënie tregtare thellësisht të integruar, pa një rrugë të qartë drejt zgjidhjes.
“Ne nuk mund ta pranojmë atë që kanë ofruar dhe nuk do të japim atë që kanë kërkuar,” tha Carney.
Të dielën, gjatë një interviste për Fox News, Trump tha se kanadezët ishin “të pamend” që hynë në një luftë tregtare me SHBA-në dhe mendojnë se do të “fitojnë vërtet”.
Të dyja vendet ishin optimiste për arritjen e një marrëveshjeje në fillim të javës, por bisedimet dështuan pasi palët akuzuan njëra-tjetrën për bërjen e ndryshimeve të minutës së fundit.
Tarifat e reja doganore prej 50% do të zbatohen për një sërë mallrash kanadeze, krahas tarifave ekzistuese amerikane për çelikun, aluminin, automjetet dhe lëndën drusore kanadeze. Ato kanë një shtrirje të kufizuar dhe përfshijnë importe kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë (15 miliardë paund; 28 miliardë dollarë kanadezë), ose rreth 5% të totalit; në to përfshihen vera, produktet e qumështit, çimentoja, veshjet dhe pajisjet e hokejit.
Tarifat doganore - një taksë që u vendoset importeve nga vende të tjera - kanë qenë një element kyç i politikës tregtare të Trumpit, ku presidenti amerikan argumenton se ato do të nxisin prodhimin vendas dhe do të krijojnë vende pune brenda vendit.
Megjithatë, kritikët thonë se ato kanë rritur çmimet për konsumatorët amerikanë dhe kanë prishur dhe dëmtuar ekonominë globale.
Fjalimi i Carney të shtunën ishte fjalimi i tij i parë drejtuar kanadezëve pasi ai njoftoi vonë të premten në mbrëmje se nuk do të arrihej një marrëveshje, duke akuzuar amerikanët se kishin bërë “ndryshime të minutës së fundit” që ishin “të padrejta” dhe “joekonomike”.
Ndërkohë, negociatorët amerikanë akuzuan Kanadanë se kishte bërë “kërkesa të reja dhe tërheqje” nga kushtet për të cilat ishin rënë dakord më parë.
Të shtunën, përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, i tha Fox News se nuk kishte plane për të rifilluar bisedimet. Ai shtoi se SHBA-të ishin përgatitur të ulnin disa nga tarifat e tyre ndaj Kanadasë si pjesë e marrëveshjes së pafat.
Megjithatë, Carney tha se SHBA-të paraqitën kushte “të papranueshme” që ishin shumë kufizuese, duke përfshirë kufizimin e aftësisë së Kanadasë për të arritur marrëveshje të reja tregtare me vendet e tjera.
Ai gjithashtu hodhi poshtë pohimin se Kanadaja kishte bërë kërkesa të minutës së fundit: “Ne sqaruam se çfarë ofrohej dhe ishim vazhdimisht të zhgënjyer nga përgjigjet.”
Doug Ford, udhëheqësi i Ontarios – provincës më të populluar të Kanadasë – mbështeti Carney-n dhe deklaroi se Trump-it “nuk mund t’i zihet besë”.
Kryeministri i British Columbia-s, David Eby, tha se kërkesa e SHBA-së për kufizime mbi mundësinë e Kanadasë për të lidhur marrëveshje të tjera tregtare “do të na reduktonte në ekuivalentin ekonomik të shtetit të 51-të”.
“Kjo nuk ka qenë kurrë e pranueshme për kanadezët,” tha Eby. Edhe udhëheqësi i opozitës konservatore, Pierre Poilievre, duket se e mbështeti Carney-n, duke i cilësuar tarifat e fundit amerikane si “të pajustifikuara”.
Ministrja e Ekonomisë së Quebec-ut, Christine Fréchette, paralajmëroi se ka gjasa të humbasin vende pune si pasojë e tarifave të reja amerikane.
“Pas këtyre shifrave qëndrojnë njerëz të vërtetë,” tha ajo, duke u zotuar se do të prezantojë masa për të mbështetur sektorët e prekur.
Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith – provinca e së cilës është e pasur me naftë dhe ka punuar për të krijuar lidhje me administratën Trump – u bëri thirrje të dyja palëve që t’i rifillojnë bisedimet.
Ky dështim vjen pas më shumë se një viti bisedimesh tregtare me ndërprerje, të cilat u intensifikuan javët e fundit pas afatit të vendosur nga SHBA-ja për të arritur një marrëveshje ose për t’u përballur me tarifa të mëtejshme.
Të dy vendet ishin gjithashtu të angazhuara në një shqyrtim të detyrueshëm të një marrëveshjeje ekzistuese të tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut, të njohur si USMCA, me Meksikën.
Pakti u nënshkrua nga Trump gjatë mandatit të tij të parë për të zëvendësuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut të vitit 1994. Ai mbështet 1.6 trilion dollarë (1.2 trilion paund) në tregtinë vjetore trepalëshe midis Kanadasë, SHBA-së dhe Meksikës.
Më herët këtë verë, Kanadaja dhe Meksika kishin kërkuar zyrtarisht që USMCA të rinovohej për 16 vjet të tjera.
Megjithatë, SHBA-të refuzuan ta rinovonin atë në formën e saj aktuale. I pyetur se si dështimi i bisedimeve tregtare të së premtes do të ndikonte në paktin e tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut, Carney tha se “sigurisht që nuk ishte një lajm i mirë”./BBC









Komente
Komento