Donald Trump ka rritur presionin ndaj Iranit me një tjetër paralajmërim të fortë, në një kohë kur ndërmjetësit po përpiqen të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Presidenti amerikan deklaroi të hënën se Teherani “do ta paguajë shumëfish” për çdo ushtar amerikan të vrarë, ndërsa paralelisht po zhvillohen përpjekje për të arritur një armëpushim 10-ditor mes dy vendeve.
Sipas Reuters, ndërmjetësit u kanë propozuar Uashingtonit dhe Teheranit një ndalim 10-ditor të luftimeve, me synimin për t'u krijuar hapësirë negociatave dhe për të shpëtuar marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve. Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar që tregon nëse propozimi do të pranohet.
Megjithatë, ndërsa diplomacia po kërkon të ulë tensionet, Shtetet e Bashkuara po forcojnë praninë ushtarake në rajon. Sipas CNN, Uashingtoni do të dërgojë avionë të tjerë luftarakë F-16 dhe F-35, si edhe avionë cisternë për furnizim në ajër, duke zgjeruar opsionet ushtarake në dispozicion të presidentit Trump.
Tensionet po reflektohen edhe përtej kufijve të Iranit. Rebelët Houthi të mbështetur nga Teherani shpallën bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, duke njoftuar se masa hyn në fuqi menjëherë. Në të njëjtën kohë, Egjipti dhe Arabia Saudite kërkuan garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar për pasojat që një përshkallëzim i mëtejshëm mund të ketë për tregtinë dhe sigurinë energjetike.
Gjatë ditës pati edhe një përplasje në frontin e informacionit. Neë York Times raportoi se Pentagoni kishte fshehur numrin e ushtarëve amerikanë të plagosur gjatë sulmeve iraniane, por Departamenti amerikan i Mbrojtjes i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar të pavërteta dhe duke këmbëngulur se të dhënat për humbjet ushtarake publikohen rregullisht.
Ndërkohë, po sot, Trump reagoi edhe për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se ai “nuk do të arrestohet në asnjë rrethanë” gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara.
Komente








Trump nuk eshte i perjetshem ne pushtet,me largimin e tij,Netanjahu nuk e eviton dot arrestimin po shkeli ne U.S.
Përgjigju