Trump kritikon Sessions:Tërheqja
 nga hetimet mbi Rusinë, e pandershme

Trump kritikon Sessions:Tërheqja<br /> nga hetimet mbi Rusinë, e pandershme
Presidenti i SHBA, Donald Trump gjatë një interviste me New York Times ka thënë se ai kurrë nuk do ta kishte përzgjedhur zotin Sessions për këtë post në qoftë se do ta dinte që ai do të vetëtërhiqej nga hetimi për Rusinë.

Ai u zgjodh kreu i Departamentit të Drejtësisë në muajin shkurt. Një muaj më vonë, ai u tërhoq nga hetimi i drejtuar nga Departamenti i Drejtësisë rreth zgjedhjeve të vitit 2016, pasi u zbulua se ai nuk i kishte bërë të ditura takimet me ambasadorin rus në Uashington.

“Përjashtimi i tij nga hetimi ishte një veprim i padrejtë ndaj Presidentit dhe se kurrë nuk do ta kisha emëruar Prokuror të Përgjithshëm, nëse do të kishte dijeni se do të ndërmerrte një vendim të tillë. Si mund të marrësh një punë dhe më pas të vendos të tërhiqesh? Nëse ai do ta kishte bërë publike këtë para marrjes së emërimit, do t’i thosha: Faleminderit, Jeff, por nuk do t’ju emëroj ju”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë gjatë intervistës.

Gjithashtu Trump i tha gazetës “The New York Times” se nëse prokurori i posaçëm Robert Mueller do të përfshinte në hetime edhe financat e familjes Trump, që nuk kanë lidhje me Rusinë, atëherë kjo do të kapërcente kufirin e të pranueshmes. Prokurori Mueller po heton rreth ndikimit të Rusisë në zgjedhje dhe bashkëpunimi e mundshëm me anëtarët e ekipit elektoral të zotit Trump. I pyetur nëse kjo do të përfaqësonte një vijë të kuqe për të, Presidenti Trump u përgjigj se “Do të thoja po”. Unë nuk kam ardhur nga Rusia. Nuk bëj biznes me Rusinë”.

Ne vijim të intervistës Trump sugjeroi në vazhdim se ish drejtori i FBI-së, James Comey, i pati treguar një dosje me materiale dhe aludime të pakonfirmuara, kompromentuese për Presidentin, me qëllim për të fituar influencë ndaj tij. “Për mendimin tim, ai ma tregoi në mënyrë që unë të mendoja se ai mund ta bënte publike”, i tha gazetës Presidenti Trump, i cili e shkarkoi zotin Comey në muajin maj.

Pasi Prokurori i Përgjithshëm Sessions u vetë tërhoq nga hetimet, zëvëndësi i tij, zoti Rod Rosenstein, caktoi një tjetër ish- drejtor të FBI-së, zotin Robert Mueller, në detyrën e prokurorit të posaçëm që do të drejtonte hetimet për Rusinë. Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se këto nuk janë të lidhura.

Nuk kam bërë asgjë të gabuar. Nuk duhet të ishte caktuar fare një prokuror special për këtë çështje”, tha ai për “The New York Times”. Donald Trump Jr., djali i madh i Presidentit, dhëndri i tij Jared Kushner, tashmë këshilltari i lartë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe ish-drejtori i fushatës elektorale Paul Manafort, u takuan vitin e kaluar me një juriste ruse që kishte thënë se dispononte material dëmtues për kundërshtaren demokrate të zotit Trump në garën presidenciale, zonjën Hillary Clinton.

Gjatë intervistës, Presidenti Trump nuk i dha rëndësi takimit, duke e emeruar si “ gjëra standarde politike”, si dhe përsëriti mendimin e tij se shumica e politikanëve do ta kishin pranuar një takim të tillë.

Donald Trump Jr, ka thënë se juristja ruse nuk pati ndonjë informacion me vlerë rreth zonjës Clinton dhe se takimi përfundoi shpejt. Kur u pyet nga gazeta, Presidenti Trump tha se “ duhet të ketë qënë ndonjë takim vërtet i parëndësishëm, pasi mua nuk ma përmëndën fare”. Për sa i përket çështjeve ndërkombëtare, Presidenti Trump kritikoi ish-Presidentin Obama për mosveprimin për Ukrainën, Korenë e Veriut dhe Sirinë. Presidenti Trump tha se kur Rusia aneksoi Krimenë, ish-Presidenti Obama “e la t’ia hidhte paq”. Ai nuk përdori gjuhë të ashpër ndaj Koresë së Veriut. Ne kemi një problem të madh me Korene e Veriut” , tha Trump.

Në vitin 2013, ish-Presidenti Obama kërcënoi se do të përdorte forcën ndaj qeverisë siriane, nëse ajo do të kryente sulme me armë kimike. Por ai nuk vuri në jetë këtë kërcënim, ndërsa administrata e tij bashkëpunoi me Rusinë për të negociuar një marrëveshje sipas të cilës Siria do të largonte rezervat e armëve të saj kimike nga vendi.

Pas një sulmi kimik në muajin prill, për të cilin u fajësuan forcat siriane, Presidenti Trump urdhëroi sulme ajrore ndaj një aerodrome sirian. “Ai nuk sulmoi, unë i sulmova”, tha Trump.

Ligji i reformës se kujdesit shëndetësor

Pasi Senati i udhëhequr nga republikanet pati disa dështime javët e fundit për të anuluar dhe zëvëndësuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Presidentit Barack Obama, Presidenti Trump organizoi të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë një takim me ligjvënësit.

Nëse nuk e përfundojmë këtë punë, do të shohim se si do të rrënohet “Obamacare” dhe pastaj do të fajësojmë demokratët. Pastaj, ata do të vijnë dhe do të thonë “na ndihmoni”, tha Presidenti Trump.

Presidenti shtoi se sipas planit republikan, amerikanët do të përjetojnë shkurtime të mëdha të taksave dhe reformave, të cilat ai tha se do të jenë si një “ dhuratë për vendin”.

Zyra jopartiake për Buxhetin në Kongres, ka shqyrtuar disa versione të projektligjeve republikane për kujdesin shëndetësor me dallime të vogla ndërmjet tyre, për të cilat u konkludua se do t’i kursenin qeverisë miliarda dollar për rreth një dekadë, por dhe do të linin miliona njerëz pa sigurim shëndetësor.


Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi