Donald Trump ka kritikuar “forcat negative” që duan të ngadalësojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ai i bëri këto deklarata gjatë një bisede me gazetarët nga klubi i tij i golfit në Doonbeg të Irlandës, ku ndodhet për të ndjekur një turne, pas përfundimit të vizitës së tij zyrtare në vend.

“Mendoj se ka shumë forca negative që po e ngrenë këtë çështje pa pasur arsye, duke sjellë në diskutim skenarë që nuk do të ndodhin”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan po i përgjigjej alarmit të ngritur nga disa prej kompanive më të mëdha amerikane të sektorit të inteligjencës artificiale, të cilat kanë kërkuar ngadalësimin e zhvillimit të AI-së, nga frika se teknologjia mund t’i shpëtojë kontrollit njerëzor.

Trump më pas theksoi rëndësinë e teknologjive të reja dhe peshën që ato kanë në raportet e fuqisë mes vendeve në arenën ndërkombëtare.

“Jemi përpara Kinës në inteligjencën artificiale, jemi vendi më i avancuar në botë. Dhe, sinqerisht, dua që të mbetet kështu, sepse kush fiton në fushën e inteligjencës artificiale, fiton gjithçka”, deklaroi Trump.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:37
Ish-studiuesi i kompanisë Anthropic ngre alarmin: Brenda fundit të kësaj dekade Inteligjenca Artificiale mund të bëhet kërcënim për njerëzimin

Jacob Coxon, ish-punonjës i kompanisë Anthropic, i cili njoftoi dorëheqjen e tij në rrjetin X më 9 shtator, thotë se sektori i Inteligjencës Artificiale po “luan bixhoz me jetët tona”.

Në një intervistë për CNN, ai shpjegoi se ajo që e frikëson më shumë është mundësia që Inteligjenca Artificiale të përdoret për ta bërë veten edhe më inteligjente.

“Gjëja që më tremb më shumë është që Inteligjenca Artificiale të përdoret për ta bërë veten më inteligjente”, tha ai, duke paralajmëruar se kompanitë janë “të detyruara të futen në një garë të shfrenuar për krijimin e një teknologjie vdekjeprurëse”.

Coxon ka punuar për tre vite në trajnimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale, fillimisht në OpenAI dhe më pas në Anthropic.

“Asnjëra prej këtyre dy kompanive nuk po vepron në mënyrë të përgjegjshme”, u shpreh ai.

Të njëjtin shqetësim ndajnë edhe dy studiues të tjerë, mes tyre edhe informaticieni Evan Hubiger, i cili vazhdon të punojë në Anthropic.

“Ne besojmë vërtet se Inteligjenca Artificiale mund të zhdukë gjithë njerëzimin. Personalisht, mendoj se mundësia që kjo të ndodhë do të jetë mbi 10% brenda dekadës së ardhshme”, tha Hubiger.

Megjithatë, siç u theksua edhe gjatë intervistës në CNN, aktualisht nuk ekziston rreziku i zhdukjes së njerëzimit, pasi modelet e sotme të Inteligjencës Artificiale nuk janë ende aq të avancuara sa të tejkalojnë aftësitë njerëzore në një nivel që do të çonte në fundin e specieve njerëzore.

Ajo që shqetëson studiuesit është shpejtësia me të cilën këto teknologji po përmirësojnë vetveten. Pikërisht për këtë arsye, sipas Coxon, kompanitë e teknologjisë po kërkojnë vendosjen e një kuadri rregullator për sektorin e Inteligjencës Artificiale./CorrieredellaSera