Donald Trump thotë se SHBA dhe Irani janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje dhe se bisedimet mund të rifillojnë që këtë fundjavë.
Një armëpushim 10-ditor ka hyrë në fuqi që mund të ndalë luftimet që kanë vijuar prej 6 javësh midis Izraelit dhe grupit të armatosur libanez të Hezbollahut.
Edhe pse armëpushimi filloi në mesnatë sipas orës lokale, Hezbollahu vazhdoi të lëshonte raketa drejt veriut të Izraelit, ndërsa thuhet se bombardimet izraelite vazhduan edhe për gjysmë ore më pas.
Presidenti amerikan e quajti këtë një “ditë historike” për Libanin dhe shtoi se shpreson që Hezbollahu “të sillet mirë” gjatë armëpushimit.
Izraeli këmbënguli se trupat e tij do të qëndrojnë në zonat që kanë pushtuar në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu beson se marrëveshja u jep libanezëve të drejtën për të rezistuar.
Irani e mirëpriti armëpushimin dhjetëditor, por bëri thirrje për një tërheqje të plotë të Izraelit nga Libani.
Më vonë gjatë ditës së sotme, rreth 40 vende pritet të marrin pjesë në një takim, të kryesuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për të rikthyer lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Lajm në përditësim…
Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të kryesojnë më vonë gjatë ditës një takim me aleatët për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për të rikthyer lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Teherani e ka mbyllur praktikisht këtë rrugë ujore strategjike pranë bregdetit të Iranit si përgjigje ndaj sulmeve SHBA-Izrael, ndërsa SHBA ka nisur bllokadën e saj ndaj porteve iraniane, gjë që ka çuar në rritje të çmimeve globale të energjisë.
Rreth 40 vende pritet të marrin pjesë në takimin e kësaj pasditeje, tha zyra e Keir Starmer, duke shtuar se udhëheqësit do të “përqendrohen në mbështetjen e armëpushimit delikat në rajon dhe në sigurimin që rrugët e transportit detar të rihapen dhe të mbrohen nëpër Ngushticë në afat të gjatë”.
Starmer pritet të thotë në takim se “rihapja e menjëhershme dhe pa kushte” e Ngushticës “është një përgjegjësi globale”, tha Downing Street.
AFP raporton se në ftesën e Francës thuhet se do të diskutojnë për vendosjen e mundshme të një “misioni mbrojtës shumëkombësh ushtarak, për të siguruar lirinë e lundrimit.”

Donald Trump ka dhënë një deklaratë të shkurtër gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë lidhur me luftën në Iran.
“Do të them se lufta në Iran po shkon shumë mirë” dhe se ajo “duhet të përfundojë shumë shpejt”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan nuk dha më shumë detaje, por lavdëroi ushtrinë amerikane për aftësinë e saj në rrëzimin e raketave.
Më vonë, pasi ishte konfirmuar dakordësimi i Iranit për të hequr dorë për 20 vjet nga pasurimi i uraniumit, ai shtoi se negociatat e reja mund të rifillojnë që këtë fundjavë. Uashingtoni dhe Teherani janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje, tha Trump.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i bëri thirrje Hezbollahut, grupit militant të mbështetur nga Irani në jug të Libanit, që të respektojë armëpushimin me Izraelin që ka hyrë në fuqi.
“Shpresoj që Hezbollahu të sillet mirë dhe si duhet gjatë kësaj periudhe të rëndësishme,” shkroi presidenti në Truth Social. “Do të jetë një moment i madh për ta nëse e bëjnë këtë. Jo më vrasje. Duhet më në fund të ketë paqe!”
Në një postim tjetër, ai e përshkroi ngjarjen si një ditë “historike” për Libanin.
“Po ndodhin gjëra të mira!!!”, u shpreh Trump.
Një zyrtar izraelit tha se Izraeli do të përgjigjet ushtarakisht gjatë armëpushimit vetëm ndaj “kërcënimeve të menjëhershme nga Hezbollahu”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se një marrëveshje paqeje më e qëndrueshme do të kërkojë që grupi i mbështetur nga Irani të çarmatosej.
Komente








