Teksa doli nga avioni i Air Force One, atij iu rezervua një ceremoni e vogël pritjeje me të rinj, të cilët valëvitën flamujt kinez dhe amerikanë nën tingujt e muzikës ceremoniale.
Lufta në Iran do të jetë temë në takimin mes të dyve. Por përpara nisjes ai u tha gazetarëve nga kopshti i shtëpisë së bardhë se një ndërhyrje kineze tek Irani për të arritur një marrëveshje nuk do të duhet.
“Jo, unë besoj se nuk na duhet asnjë ndihmë me Iranin. Do të fitojmë me ta në një mënyrë ose një tjetër, do të fitojmë paqësisht ose në mënyrë tjetër”, tha Trump.
Përpara mbërritjes së Trump, Ministria e Jashtme kineze nëpërmjet zëdhënësit të saj, tha në një deklaratë se mirëpret Presidentin amerikan në Pekin.
Administrata Trump deklaroi të martën se zyrtarë të lartë amerikanë dhe kinezë kishin rënë dakord muajin e kaluar që asnjë vend nuk duhet të jetë në gjendje të vendosë tarifa kalimi mbi trafikun që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, në një përpjekje për të paraqitur një konsensus mbi këtë çështje përpara takimit Trump-Jinping.
Kina, e cila mban lidhje me Iranin dhe mbetet një blerëse e madhe e naftës iraniane, nuk e kundërshtoi këtë karakterizim.
Reuters thotë se Trump pritet të diskutojë luftën me Xi gjatë takimeve të planifikuara nga e enjtja deri të premten dhe gjerësisht pritet që ai ta inkurajojë Kinën të bindë Teheranin të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin për t’i dhënë fund konfliktit.
Kërkesat e SHBA-së përfshijnë përfundimin e programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e kontrollit të tij shtrëngues mbi ngushticën, ndërsa Irani është përgjigjur me kërkesat e veta, që përfshijnë kompensim për dëmet e luftës, heqjen e bllokadës amerikane dhe përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, ku Izraeli, po lufton kundër militantëve të Hezbollahut.
Trump i hodhi poshtë këto qëndrime të hënën duke i quajtur dokumentin iranian një fletë mbeturinash.
Axhenda e presidentit amerikan në Kinë nis në orët e para të së enjtes me takimin Trump-Jinping. Presidenti I SHBA shoqërohet në udhëtim edhe nga sekretari I shtetit Marco Rubio dhe drejtues të korporatave të rëndësishme të biznesit amerikan.
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Pekin, ku është pritur me ceremoni madhështore nga autoritetet kineze. Air Force One u ul në kryeqytetin kinez mes masave të forta ceremoniale dhe një organizimi të pazakontë nga Pekini zyrtar.
Sipas mediave amerikane që shoqërojnë delegacionin presidencial, Trump u prit nga zv/presidenti kinez Han Zheng, ndërsa në aeroport ishin të pranishëm edhe ambasadori amerikan David Perdue, ambasadori kinez në Uashington Xie Feng dhe zyrtarë të lartë të diplomacisë kineze.
Në nder të presidentit amerikan u shtrua tapet i kuq, ndërsa ceremonia u shoqërua nga një gardë nderi ushtarake dhe një bandë ceremoniale. Rreth 300 të rinj kinezë valëvitnin njëkohësisht flamuj amerikanë dhe kinezë, ndërsa brohorisnin në kor: “Mirë se erdhe, mirë se erdhe! Një mirëseardhje e ngrohtë!”.
Pas zbritjes nga avioni presidencial, Trump përshëndeti autoritetet kineze dhe ndaloi për disa çaste duke buzëqeshur përballë ceremonisë së organizuar në aeroport.
Presidenti amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe më pas u largua me limuzinë drejt hotelit ku do të qëndrojë gjatë vizitës në Pekin. Në delegacionin që shoqëron Trump ndodheshin edhe djali i tij Eric Trump, nusja Lara Trump, si dhe disa biznesmenë të njohur amerikanë, mes tyre Elon Musk.
Sipas axhendës zyrtare, Trump nuk ka aktivitete publike deri të enjten.

Nicolas Maduro dhe Marco Rubio
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, pozoi për një fotografi në bordin e Air Force One, gjatë rrugës për në Kinë, i veshur me kostumin Nike Tech, tashmë i njohur si ai i ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro. Ky i fundit e kishte veshur kostumin gri gjatë shoqërimit për në burgun federal në SHBA më 3 janar pasi u arrestua në Karakas.
"Sekretari Rubio vesh tutat e Nike Tech 'Venezuela' në Air Force One!", shkroi Drejtori i Komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steve Cheung, në llogarinë e tij X, duke postuar një foto të Rubios të mbështetur në njërën nga dyert e aeroplanit presidencial. Fotografia u bë shpejt virale në mediat sociale dhe u shpërnda kryesisht nga aktivistë republikanë dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Komente







