Presidenti i Irakut, Nizar Amedi ka vlerësuar rolin e presidentit amerikan Donald Trump në zhvillimet ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një figurë jashtëzakonisht të rëndësishme në histori, e cila mund të sjellë paqe dhe prosperitet jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në të gjithë botën, nëse arrin t'i japë fund luftës me Iranin.

Në një intervistë, Amedi i ka bërë thirrje Trumpit të rikthehet te angazhimi për t'u dhënë fund konflikteve ndërkombëtare, një prej premtimeve kryesore të fushatës së tij presidenciale të vitit 2024. Sipas presidentit irakian, përfundimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit do të ishte një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të stabilitetit në rajon dhe krijimit të mundësive të reja ekonomike.

"Zoti Trump është një njeri jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ai drejton një komb shumë të madh. Dua që ai t'i rikthehet asaj që kishte premtuar kur u zgjodh për herë të parë, që ishte t'u jepte fund të gjitha luftërave, qoftë luftës mes Ukrainës dhe Rusisë apo çdo konflikti tjetër në botë. Ai duhet t'i rikthehet këtij angazhimi, të sjellë paqe në rajon dhe t'u japë fund luftërave, ashtu siç ka bërë edhe më parë", deklaroi Amedi.

Gjatë intervistës, presidenti irakian e pozicionoi vendin e tij si një ndërmjetës të mundshëm mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke theksuar se Iraku ka një pozicion të favorshëm gjeografik dhe marrëdhënie me të dyja palët. Ai u shpreh se Bagdadi është i gatshëm të ndihmojë në negociatat për arritjen e një marrëveshjeje që do t'i jepte fund konfliktit.

"Iraku është në pozicionin më të mirë gjeografik dhe për sa i përket lidhjeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Ka shumë mundësi për partneritet afatgjatë me SHBA-në, ndërsa Irani është fqinji ynë i vjetër. Kam një mesazh të vetëm për SHBA-në dhe Iranin: dielli ende po shkëlqen. Për sa kohë ka dritë, duhet të përpiqeni të gjeni gjuhën e përbashkët, sepse do të vijë një moment kur do të bjerë errësira dhe nuk do të ketë më mundësi për ta bërë këtë", tha presidenti irakian.

Amedi bëri të ditur se përpjekjet për ndërmjetësim kanë vijuar edhe në takimet e tij me përfaqësuesit e dy vendeve. Ai zbuloi se një ditë përpara intervistës ishte takuar në Antalia të Turqisë me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, me të cilin kishte diskutuar pikërisht për nevojën e rikthimit të negociatave dhe shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm.

"Ne nuk duam kurrë luftë. Është gjëja e fundit që kërkojmë. Ne duam paqe në rajon dhe gjithmonë jemi përpjekur ta lehtësojmë këtë proces. Përpiqemi vazhdimisht të ndërmjetësojmë mes SHBA-së dhe Iranit dhe t'i ndihmojmë ata të arrijnë paqen", u shpreh Amedi.

Lufta po prek gjithë Lindjen e Mesme, Iraku kërkon rikthimin e investimeve

Një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar në intervistë ishte ndikimi ekonomik i konfliktit. Sipas presidentit irakian, pasojat nuk kufizohen vetëm te dy vendet që janë në luftë, por prekin një hapësirë shumë më të gjerë të Lindjes së Mesme, përfshirë Irakun, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Amedi deklaroi se përfundimi i konfliktit do të mundësonte rikthimin e stabilitetit dhe do t'u hapte rrugë investimeve të reja ndërkombëtare. Ai theksoi se Iraku po kalon një periudhë stabilizimi dhe është i interesuar të tërheqë kompani nga e gjithë bota, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.

"Nëse lufta përfundon, gjithçka do të shkojë mirë në rajon dhe stabiliteti do të rikthehet. Iraku mirëpret të gjithë. Vendi po stabilizohet dhe mirëpret investimet nga kompanitë e të gjithë botës. Do të dëshironim të kishim edhe më shumë investime", deklaroi presidenti.

Ai shtoi se paralajmërimet e ambasadave amerikane për qytetarët e tyre që të shmangin udhëtimet në rajon ndikojnë edhe në zhvillimin e turizmit dhe të marrëdhënieve ekonomike. Sipas tij, përfundimi i luftës do të krijonte kushte që qytetarët amerikanë të vizitonin më lirshëm vendet e Lindjes së Mesme, duke nxitur njëkohësisht bizneset dhe investimet.

Gjatë bisedës presidenti irakian shprehu gjithashtu dëshirën që Donald Trump të vizitojë Irakun, duke deklaruar se vendi është i gatshëm ta mirëpresë në çdo qytet, përfshirë Bagdadin, Erbilin dhe Sulejmanijen.

Amedi e cilësoi Irakun një partner strategjik të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme, pavarësisht lidhjeve që Bagdadi mban edhe me Iranin.

"Ne kemi qenë gjithmonë një partner strategjik i SHBA-së dhe do të dëshironim të mirëprisnim presidentin Trump. Kryeministri ynë u prit shumë mirë në Uashington dhe ka krijuar një bazë të fortë bashkëpunimi për Irakun. Do të donim ta mirëprisnim presidentin Trump kudo në vendin tonë, qoftë në Bagdad, Erbil apo Sulejmanije. Ai është i mirëpritur kudo", u shpreh ai.