Trump ndalon hyrjen në SHBA
të qytetarëve nga 7 shtete

Trump ndalon hyrjen në SHBA<br />të qytetarëve nga 7 shtete
Ditë pas dite presidenti i ri amerikan Donald Trump, po konfirmon se politikat kontroverse të njoftuara gjatë fushatës do kthehen në realitet. Me urdhërin ekzekutiv të radhës, republikani i ndalon hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve sirianë, deri në një njoftim të dytë.

Ai pezulloi gjithashtu me 3 muaj lëshimin e vizave për shtetasit nga 6 vende të tjera me shumicë myslimane, përfshirë Iranin, Irakun, Jemenin e Libinë. Mbi bazë të urdhrit të firmosur në Pentagon pas ceremonisë së betimit të sekretarit të ri të Mbrojtjes, gjeneral James Mattis, është pezulluar edhe pranimi i të gjithë refugjatëve për 4 muaj.

“Masat e reja synojnë të mbajnë larg Amerikës terroristët islamikë. Ne duam të pranojmë, vetëm ata që do të mbështesin vendin tonë dhe do të duan popullin amerikan”, tha Trump.

Përmbajtja e urdhrit u publikua disa orë pas nënshkrimit, e ndër të tjera aty thuhet se në të ardhmen do të kenë prioritet ato aplikantë që përndiqen për shkak të besimit të tyre, por vetëm nëse ata janë pjesë e një minoriteti në atdheun e tyre.

Në 2017 do të mund të pranohen deri në 50 mijë refugjatë, sa gjysma e kufirit të vendosur nga paraardhësi i Trump, Barack Obama.
Në një intervistë televizive të transmetuar më herët gjatë së premtes, miliarderi tha se të krishterët do të kenë prioritet mes sirianëve që do të aplikojnë për statusin e refugjatit në të ardhmen.

Vendimi ngjalli zemërimin e demokratëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut, që këmbëngulin se nuk ka lidhje mes refugjatëve sirianë në SHBA dhe terrorizmit. Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill De Blasio e quajti të turpshëm mesazhin që po përcillte Trump-i, që sipas tij binte ndesh me idealet amerikane.
Trump po ashtu nënshkroi edhe një urdhër ekzekutiv që kishte si qëllim ringritjen e ushtrisë nëpërmjet zhvillimit të një plani për avionë, anije e burime të reja.

Më herët Donald Trump dhe Tereza May dolën shumë optimistë para gazetarëve pas takimit të tyre të parë në Shtëpinë e Bardhë. Ata folën për ditë të reja që presin Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë dhe u zotuan që të punojnë ngushtë. Presidenti amerikan tha se raportet mes Washingtonit dhe Londrës nuk kanë qenë asnjëherë më të forta se sot.

Ndërkohë Trump bisedoi dje në telefon me Merkel, Holande dhe Putin. Vendimi i Trump për të kufizuar dhënien e vizave nga disa vende islamike ka shkaktuar pasoja te biznesi i këtyre komuniteteve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Nga këto vende do bien udhetimet, por edhe marrëdhëniet e biznesit.

Motori i kërkimit në internet, Google ka thirrur anëtarët e stafit të tij në lëvizje, pas urdhërit ekzekutiv të firmosur nga presidenti Donald Trump, që kufizon hyrjen në Shtetet e Bashkuara për qytetarët nga 7 vende me shumicë myslimane.

Burime nga Google kanë deklaruar për BBC se, grupi është i shqetësuar nga urdhëri i presidentit dhe çdo masë tjetër që mund të bllokojë talentet e mëdha në Shtetet e Bashkuara. 

Kufizimet e reja pritet të kenë një impakt madhor ndaj kompanive teknologjike, që punësojnë persona me aftësi nga e gjithë bota. Mësohet se Google ka thirrur në bazë rreth 100 anëtarë të stafit që jetojnë jashtë Amerikës. 

Ndërsa Microsoft ka paralajmëruar aksionerët e saj se, kufizimi i lëvizjes së emigrantëve mund të ketë një impakt material në biznesin e saj. sektori i teknologjisë bazohet tej mase në punonjës me aftësi të lartë dhe të mirëpaguar që jetojnë jashtë Amerikës. 

Sidoqoftë, nëse urdhëri i Trump do të sjellë kufizim të “lëvizjes së trurit” ose trembje të specialistëve të tjerë që mund të ndihen të padëshiruar në SHBA, atëherë kompanitë e teknologjisë mund të rimendojnë se ku të vendosin stafin e tyre në të ardhmen.


Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje