Trump: Nuk do t’i heqim sanksionet ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump tha se ai nuk ka pranuar kurrë të heqë sanksionet ndaj Iranit në këmbim të bisedimeve, duke kundërshtuar një pohim të Presidentit iranian Hassan Rouhani.

"Irani donte që unë t’i hiqja sanksionet e vendosura ndaj tyre si kusht për t’u takuar. Dhe unë sigurisht thashë jo!", shkruante në një postim në Twitter Trump.

Më parë gjatë ditës zoti Rouhani tha që Shtetet e Bashkuara ishin ofruar ta bënin një gjë të tillë dhe se çështja ishte në diskutim.

"Ata (Shtetet e Bashkuara) kanë thënë qartë se do t’i heqin të gjitha sanksionet", tha zoti Rouhani, pas kthimit në Teheran nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që mbahet në Nju Jork.

Ai tha se vendi i tij ishte i gatshëm për negociata, por jo në klimën aktuale politike.

"Në kushtet e ekzistencës së sanksioneve dhe nën një klimë toksike e presioni maksimal edhe nëse duam të negociojmë me amerikanët nën kornizën 5 plus 1, askush nuk mund të parashikojë se cili do të jetë rezultati përfundimtar i negociatave" tha zoti Rouhani.

Zyrtarët amerikanë dhe sauditë kanë fajësuar Iranin për sulmet ndaj rafinerive të naftës saudite, të cilat bllokuan gjysmën e prodhimit të naftës të këtij vendi.

Zyrtarët iranianë, përfshirë zotin Rouhani, i kanë mohuar akuzat për përfshirje të Teheranit.

Ndërsa shumë udhëheqës botërorë zhvilluan bisedime në ambjentet e selisë qëndrore të Kombeve të Bashkuara këtë javë, nuk pati një takim mes Presidentit Trump dhe atij iranian.

Të dielën e kaluar Presidenti Trump tha se ai nuk kishte ndërmend të bisedonte me Hassan Rouhanin. Nga ana tjetër presidenti iranian pati thënë se ai nuk do të takohej me zotin Trump për sa kohë që Shtetet e Bashkuara mbajnë në fuqi sanksionet ekonomike.

Pak ditë më parë Presidenti Trump njoftoi sanksione të reja kundër Bankës Kombëtare të Iranit, duke përshkallëzuar më tej presionin ekonomik ndaj Republikës Islamike, por duke u tërhequr nga çdo veprim i drejtpërdrejtë ushtarak.

Departamenti amerikan i Thesarit tha të premten se sanksionet e fundit u vendosën pasi banka qendrore e Iranit u angazhua në "terrorizëm" duke siguruar "miliarda dollarë" për trupat e Rojes Revolucionare Islamike dhe Hezbollahun.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja