Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se lufta me Iranin pritet të përfundojë së shpejti, por nuk ka dhënë detaje se si do të arrihet përfundimi i konfliktit. Në një intervistë për radion amerikane KCMO, në Kansas City, Trump tha se objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara është të sigurojnë që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.
Gjatë intervistës, Trump u shpreh: “Kjo do të përfundojë së shpejti. Ne kemi nevojë për një garanci se nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore.”
Deklarata vjen pak ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat do të mbahen më 3 nëntor. Trump ka deklaruar më herët se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin sulme të reja ndaj Iranit përpara këtyre zgjedhjeve.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk ka sqaruar nëse fundi i luftës do të arrihet përmes negociatave diplomatike apo përmes veprimeve ushtarake. As nuk ka përcaktuar një afat konkret se kur mund të përfundojë konflikti.
Në javët e fundit, Trump ka përsëritur disa herë se SHBA-ja dhe Izraeli do ta “përfundojnë punën” në Iran, pa dhënë detaje se çfarë masash synojnë të ndërmarrin për të arritur këtë objektiv.
Çështja e programit bërthamor iranian mbetet një nga kushtet kryesore të artikuluara nga Uashingtoni. Në deklaratën e fundit, Trump e bëri të qartë se kërkon garanci që Teherani të mos zotërojë armë bërthamore, por nuk shpjegoi se çfarë forme duhet të marrë kjo garanci.




Komente
Komento