SHBA-Presidenti i Shteteve  të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është duke konsideruar lëshimin e një dekreti të ri presidencial për ndalimin e emigrantëve nga disa vende.

Trump u tha reporterëve në bordin e “Air Force One”, se një urdhër i ri mund të lëshohej të hënën ose të martën.

Dekreti presidencial për ndalimin e emigrantëve nga shtatë vende me një shumicë popullsie myslimane, i firmosur nga presidenti Trump, u pezullua nga gjykatat amerikane, ndërkohë që Trump është zotuar për vazhdimin e betejës ligjore.

"Ne do ta fitojmë atë betejë. Pjesa e pafat është se kjo gjë kërkon kohë, por ne kemi edhe shumë mundësi të tjera, përfshirë edhe një urdhër të ri presidencial””, është shprehur ai.

Është e paqartë se çfarë ndalimesh do të përfshijë ky urdhër i ri për emigracionin, por presidenti Trump ka deklaruar se do të ketë shumë pak ndryshime nga ai i pari.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com